Rama: U grabitën pronat e ushtrisë për pasurimin e oborrtarëve

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama akuzoi sot Qeverinë për grabitjen e pronave të ushtrisë, ndërsa theksoi se ato nuk i përfituan as ushtarakët dhe as publiku. “Ajo që është bërë me pronat e ushtrisë është e papërfytyrueshme. Nga ato prona të gjithë ju që kontribuat në vite nuk merrni asgjë. Ato prona iu transferohen oborrtarëve dhe familjarëve të Saliut duke u kthyer në pronarë tokash pafund. Do të bëjmë transparencën për aktet e kthimit dhe kompensimit të pronave. Ne do bëjmë transparencë të plotë në lidhje me deformimet dhe korrupsionin e pronave”, u shpreh Rama gjatë këndit të fjalës me ish-ushtarakë në Vlorë, qark ku kryeson listën e kandidatëve për deputet të PS. Sipas Ramës, sot ushtria drejtohet nga një ministër i paaftë dhe karagjoz, që është vënë në funksion të fushatës. “Ushtria është kthyer në një garnizon privat për të marrë vota. Ne synojmë të ripërtërihet ajo trupë e madhe që duhet të jetë krenaria jonë, garancia jonë”, u shpreh kreu socialist.

Gjatë bashkëbisedimit me të pranishmit, Rama akuzoi gjithashtu keqqeverisjen e vendit për rritjen e kriminalitetit, duke shtuar se Policia e Shtetit është e rrënuar dhe nuk i shërben më qytetarëve. Rama u shpreh se siguria për jetën është më kritike se kurrë, ndërsa ka premtuar se gjithçka që premtohet në programin e rilindjes do të bëhet realitet.

“ Policia e Shtetit është rrënuar dhe vrasjet janë rritur me katër herë. Grabitjet me dhunë të individit dhe pronës janë rritur ndjeshëm. Ata e kanë shumë të lehtë të premtojnë gjithçka, por kanë 8 vjet në pushtet dhe e rrënuan vendin. Ne nuk do të mbyllim sytë përballë halleve tuaja, por do të zgjidhim gjithçka duke iu dëgjuar e duke u bërë hallet tuaja, hallet tona”, tha ai.

Në fjalën e tij, Rama gjithashtu premtoi se pas ardhjes në pushtet PS-ja do të bëjë të mundur rindërtimin e policisë. “Brenda 300 ditëve të para qeverisëse do t`i japim vendit një Polici Shteti në krye të detyrës. Do të vijojmë me procesin e rindërtimit të Policisë së Shtetit, e cili do të bazohet  tek profesionalizmi, integriteti dhe eksperienca e këtyre njerëzve”,  tha Rama.

 

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message

Leave a Reply

Log in | Designed by GSC