Leja e përdorimit për strukturat jashtë lejes së ndërtimit, Bashkia propozon 253 objektet e para

Bashkia e Tiranës i propozon Këshillit Bashkiak miratimin e listës së strukturave që pajisen me leje përdorimi. Vendimi është në përputhje me Aktin Normativ të Qeverisë për pajisjen me leje përdorimi të strukturave të ndërtuara në shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit. Vendimi që pritet të miratohet nga Këshilli Bashkiak javën e ardhshme, parashikon pajisjen me leje përdorimi të rreth 253 objekteve. Vendimi parashikon marrjen e masave për lehtësimin e procedurave dhe listës së dokumentacionit,  për t’u pajisur me leje përdorimi të strukturave të përcaktuara në pikën 1 të këtij vendimi, brenda afatit të përcaktuar në nenin 6  të Aktit  Normativ dt.06.02.2013 për  “Pajisjen me leje përdorimi të strukturave të ndërtuara me shkelje të kushteve të lejes së ndërtimit përpara fillimit me efekte të plota të ligjit nr.10119, datë 23.4.2009, “Për planifikimin e territorit”. Vendimi hyn në fuqi 10 ditë pas shpalljes.

Në relacionin që shoqëron propozimin e Bashkisë së Tiranës thuhet se: Akti, parashikon pajisjen me leje përdorimi të strukturave që kanë përfunduar ndërtimin në datën e fillimit me efekte të plota të ligjit nr.10119, datë 23.4.2009, “Për planifikimin e territorit”, të ndryshuar, pasi të kenë plotësuar dokumentacionin e përcaktuar nga ligji nr.8402, datë 10.9.1998, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”, të ndryshuar, edhe në rastet kur:

a)      aktkontrollet përfundimtare, të kryera nga autoritetet vendore të planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit të territorit, vërtetojnë se strukturat janë ndërtuar në shkelje të kushteve të lejeve të ndërtimit të miratuara, por nuk ndryshojnë sipërfaqet dhe volumin e miratuar në leje;

b)     aktkontrollet përfundimtare, të kryera nga autoritetet vendore të planifikimit dhe kontrollit të zhvillimit të territorit, vërtetojnë se strukturat janë ndërtuar në shkelje të kushteve të lejeve të ndërtimit të miratuara, të shoqëruara me shtesë të sipërfaqes dhe/ose volumit të miratuar në leje të strukturës. Këto struktura, pajisen me leje përdorimi vetëm për sipërfaqen dhe volumin e përcaktuar në lejen e ndërtimit.

Në nenin 4 të këtij akti parashikohet se :  Miratimi i listës së strukturave që pajisen me leje përdorimi sipas ketij akti normativ  bëhet me vendim të këshillit vendor të njësisë përkatëse të pushtetit vendor.

Në këtë fazë, mbështetur në akt kontrollet e ushtruara, strukturat e paraqitura për miratimin tuaj, që përfitojnë nga ky akt normativ  janë rreth 260, kryesisht objekte mbi 3 kat, me një sipërfaqe totale rreth 930.000 m2, ku jane rreth 11.000 apartamente.

Bashkia do të vijojë ushtrimin e akt kontrolleve për konstatimin e shkeljeve, edhe në rastet e objekteve të tjera, nën 3 kat, të cilat do t’ju praqiten për miratim në një fazë të dytë, brenda afatit ligjor të përcaktuar nga ky akt normativ.

Ju sqarojmë se ky akt normativ trajton vetëm ato struktura/objekte, për të cilat janë konstatuar shkeljet nga Zyra e Urbanistikës në periudhën pas vitit 2006, pasi kishte përfunduar afati për vetëdeklarim për legalizim që përcaktonte ligji nr.9482, datë 03.04.2006 për “Legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje” (i ndryshuar) i cili ka qenë deri në 4 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji (pika 2, neni 7). Rrjedhimisht ndërtimet me shkelje të kondicioneve të lejeve, subjektet e të cilëve  kanë aplikuar pranë ALUIZNI-it, dhe janë në proces trajtimi nga ana e tyre, përjashtohen nga fusha e veprimit të këtij akti.

Ky akt normativ do të ndihmojë  në zgjidhjen e situatës së krijuar që po passjell një bllokim të procedurave të rregjistrimit në ZRPP për një numër të madh qytetarësh që tashmë i kanë në përdorim këto objekte,  tek të cilat janë kryer shtesa pa leje (anësore apo në lartësi, tej lejes së ndërtimit, shkelje të kondicioneve teknike të lejes, ndryshim të projektit te miratuar, etj), dhe të marrin një zgjidhje përfundimtare të problemit që ka ardhur jo për faj te tyre.

 

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message

Komentoni »

Log in | Dizenjuar nga GSC