Uragani Sandy, te pakten 15 viktima
Stuhia Sandy goditi mbrëmë vonë bregdetin e shtetit New Jersey me erëra deri në 130 kilometra në orë dhe shkaktoi dallgë të papara 4 metra të larta në qytetin e Nju Jorkut, duke përmbytur tunele, stacione metroje dhe sistemin elektrik që furnizon Wall Street-in.
Të paktën 15 veta humbën jetën si pasojë e superstuhisë Sandy, e cila shkaktoi edhe bllokimin e fushatave të dy kandidatëve presidencialë, vetëm një javë para zgjedhjeve. Për qytetin e Nju Jorkut të paktën stuhia kaloi me furi nëpër qytet, me erëra dhe shira, që përmbytën qytetin nga tre drejtime, por brënda pak orësh gjendja u qetësua. Megjithatë, qindra mijëra njujorkezë nuk kanë rrymë elektrike dhe llogaritet se 5.7 milion njerëz janë në erësirë në bregdetin lindor të vendit.
Do të duhet një farë kohe për të përcaktuar dëmet e plota të shkaktuara nga studia Sandy në gjithë rajonin. Gjithashtu, shirat, që vazhdojnë dhe përmbytjet e mëtejshme përbëjnë kërcënime të mëdha për ditët në vazhdim, ndërsa Sandy vazhdon rrugën drejt shtetit të Pensilvanisë dhe pjesës veriore të shtetit të Nju Jorkut.
Qytetet kryesore amerikane nga Uashingtoni në Nju Jork kanë pezulluar për të dytën ditë sistemet e transportit publik (trena, autobusë, aeroplanë) dhe miliona njerëz janë detyruar të qëndrojnë në shtëpitë e të mos dalin në punë. Në Manhatan kompania e energjithë elektrike ndërpreu rrymën për të parandaluar dëmtimin e rrjetit të energjisë. Qyteti i Baltimorës në Maryland ka ndaluar çdo qarkullim të makinave, me përjashtim të atyre të policisë dhe spitaleve.
Presidenti Barak Obama ka anuluar veprimtaritë e tij të fushatës zgjedhore për të monitoruar uraganin nga Shtëpia e Bardhë. Ai u bëri thirrje amerikanëve që të marrin parasysh paralajmërimet lidhur me natyrën e rrezikshme të uraganit Sandy.
“Mesazhi më i rëndësishëm që kam për publikum tani është: ju lutem dëgjoni se çfarë thonë zyrtarët shtetërore dhe vendorë. Kur ata ju thonë të evakuoheni, ju duhet të evakuoheni. Mos vononi, mos ngurroni, mos vini në pikëpyetje udhëzimet që u janë dhënë, sepse kjo është një stuhi shumë e fortë dhe mund të ketë pasoja fatale në qoftë se njerëzit nuk veprojnë shpejt.”
Autoritetet në 9 shtete dhe kryeqytetin Uashington, DC kanë shpallur gjendjen e jashtzakonshme, shkollat jane mbyllur, ndërsa zyrat federale u mbyllën të hënën dhe do të qëndrojnë të mbyllura edhe sot. Uragani Sandy shkaktoi vdekjen e të paktën 65 personave në Karaibe javën e kaluar para se të lëvizte në drejtim të Shteteve të Bashkuara.




