Taksa progresive, Berisha: Rama nxjerr nga arkivat familjare taksen e falimentit
Kryeministri Sali Berisha akuzoi kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, se po nxjerr nga arkiva të kaluarën, ndërsa theksoi se premtimet për heqjen e taksave janë mashtrime. “Premtimet e Ramës për heqjen e taksave janë mashtrime. Taksa progresive e Ramës e kthen vendin vite mbrapa. Rama nxjerr nga arkivat familjare taksen e falimentit. Kudo ku shkon Rama njerëzit pyesin është Rama apo hija e tij”, tha Berisha. Ndërkaq, Berisha akuzoi Ramën për dyfishim të taksave në kryeqytet, kur mbante postin e kryetarit të Bashkisë Tiranë.
Berisha vizitoi fabrikën e prodhimit të këpucëve të kompanisë FITAL, në Bathore, nga ku premtoi se qeveria do të heqë TVSH-në për makineritë e industrisë fason. “Unë erdha t’ju informoj ju se qeveria do të heqë tërësisht TVSH për çdo makineri që importojnë fasonët. Ne do bëjmë gjithçka për të lehtësuar barrën fiskale e burokratike për të kontribuar në suksesin tuaj. Qeveria brenda dy javëve do vendosë heqjen tërësisht të TVSH-së për çdo makineri të industrisë fasone. Thirrja ime për autoritetet vendore që këto lehtësira të qeverisë t’i konvertojnë në lëhtësira për magazina e çdo lloj lehtësirë tjetër”, tha Berisha.





