Rama: Rinegocim kufiri me Greqinë. Gjika: Berisha të marrë bukë me vete, po erdhi në Vlorë me 27 Nëntor

Kryetari i PS, Edi Rama
Kryetari i PS-së Edi Rama i ka bërë apel kryeministrit Berisha të rinegociojë marrëveshjen për ujërat detare me Greqinë. Duke folur në mbledhjen e grupit të PS-së, Rama theksoi se duhet të mbyllet njëherë e përgjithmonë konflikti i hapur mes dy vendeve tona. “I bëj apel Kryeministrit që të bëjë gjithçka që i takon në respekt të historisë dhe të Kushtetutës për ta rinegociuar dhe për ta mbyllur këtë burim konflikti që mund të bëhet pengesë për ardhmërinë e dy vendeve tona dhe dy popujve që meritojnë të zhvillohen. Rinegocimi duhet të bëhet duke u bazuar në domosdoshmëri që mes dy vendeve të ketë harmoni dhe bashkëpunim dhe një këndërvështrim të përbashkët për rajonin” tha kreu socialist.
Në vijim, Rama akuzoi qeverinë se nuk ka vizion për të festuar 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. “Është për të na ardhur zor që të gjithëve që edhe në këtë rast Shqipëria tregon se sa të vjetra janë konceptet dhe sa të varfëra janë shijet e saj. Kryeministri nxjerr nga goja një lum broçkullash, kthen përmbys të vërtetat historike, lartëson figura gjysmë të zeza të historisë sonë dhe kjo ndodh ngaqë Shqipëria ka sot qeverinë që nuk e meriton, kremtimi larg asaj që meritojmë”, tha Rama.
Në fjalën e tij, Kryetari i PS-së ka bërë publike edhe nismën e “Ngri një flamur” me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë. “Nisma do të fillojë të aktivizohet të hënën e ardhshme dhe ne do të ftojmë të gjithë ata që kanë një ëndërr për Shqipërinë e nesërme, që kanë një ëndërr për familjen e tyre në raport me atdheun tonë të përbashkët që të bëhen pjesë e kasë nisme. Kjo është një nismë që ne do ta kurorëzojmë në Vlorë në 28 nëntor duke mbledhur së bashku 100 ëndrrat më domethënëse, dhe do të ftojmë 100 të rinj, të cilët duan ti ndjanë me ne ëndrrat e të nesërmes”, tha Rama.
Kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpërtim Gjika, i pranishëm në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, i ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve të jenë të pranishën në Vlorë për të festuar 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Ai akuzoi Kryeministrin se ka shkelur protokollin e shtetit, miratuar që në 2004. “Për protokollin e shtetit flet Presidenti i vendit dhe Kryeministri është i ftuar. Ku është i pari i shtetit? Kush të vijë nga qeveria në 27 nëntor të marrë bukë me vete, dreka zyrtare do jetë më 28 dhe të gjitha ceremonitë do jenë në 28″, tha Gjika.
Ai gjithashtu ka akuzuar qeverinë se nuk ka dhënë fonde për bashkinë e Vlorës. “Buxheti i bashkisë praktikisht është zero për shkak të një akti normativ. Interesi dhe dëshira e qeverisë nuk ka për tu realizuar. Unë do t`i jap një lajm të hidhur Sali Berishës, duke i thënë se investimet publike do të realizohen në Vlorë. Ky është një lajm i keq për të, por një lajm i mirë për të gjithë qytetarët”, tha Gjika.





