Premier League, gjyqtari përballet me akuzat për fyerje racore
Një gjyqtar futbolli në Angli do të përballet me akuzën për fyerje racore. Mark Clattenburg, gjyqtari që gjykoi takimin Chelsea-Manchester United akuzohet nga gjigandët londinezë se ka fyer dy futbollistë. Thuhet se arbitri ka fyer në baza racore mesfushorin John Obi Mikel, ndërsa klubi londinez ka paraqitur ankesë ndaj Clettenburgut duke u ankuar se ai përdori “gjuhë të patolerueshme” ndaj lojtarëve të tyre në duelin e së dielës në Stamford Bridge.
Klubi nga Londra perëndimore publikoi një komunikatë por nuk zbuloi identitetin e futbollistëve në fjalë edhe pse njëri prej tyre besohet se është reprezentuesi nigerian John Obi Mikel, për të cilin menaxheri Sir Alex Ferguson mendoi se ishte me fat që i shpëtoi përjashtimit, të cilin e morën dy futbollistë të tjerë të Chelseat, mbrojtësi Branislav Ivanovic dhe sulmuesi Fernando Torres.
Menaxheri i Chelseat, Roberto Di Matteo ishte i hidhëruar me vendimet e Clattenburgut, sidomos atë për përjashtimin e Torresit me kartonin e dytë të verdhë për simulim, ndërsa asistenti pranoi golin e fitores të Javier Hernandezit edhe pse ai realizoi nga pozita jashtë loje.
Di Matteo shkoi për të takuar Clattenburgun pas takimit, i shoqëruar nga disa anëtar të stafit teknik, dhe ishte i vetëdijshëm për ankesat e futbollistëve të tij. Mikel po ashtu besohet se ka vizituar Clattenburgun në zhveshtoren e gjyqtarëve. “Ne kemi paraqitur një ankesë te delegati i ndeshjes sa i përket gjuhës së patolerueshme të përdorur nga gjyqtari në drejtim të dy futbollistëve tanë në dy incidente të ndryshme të takimit kundër Manchester Unitedit”, deklaroi një zëdhënës i Chelsea.
“Delegati i ndeshjes do ta përcjell ankesën te Federata angleze. Ne nuk do të bëjmë komente shtesë në këtë kohë”, shtoi ai. Clattenburg nuk u prononcua në mediet angleze pas akuzave të Chelsea, por shoqata e gjyqtarëve të Premier League publikoi një komunikatë duke u zotuar se “Mark do të bashkëpunojë plotësisht dhe mirëpret mundësinë e paraqitjes së fakteve. Asnjë koment shtesë nuk do të bëhet deri kur kjo çështje të sqarohet”.
Futbollisti tjetër që besohet se ishte viktime e gjuhës së ashpër nga Clattenburg është mesfushori spanjoll Juan Mata. Këto incidente vijnë vetëm një javë pas fuqizimit të fushatës Kick it Out, kundër racizmit ku skuadrat ranë dakort që kapitenët të bartin shirit dhe fanella para fillimit të ndeshjeve, por edhe dueleve të javës së shkuar në Ligën e Kampionëve.





