60 vjetori, Berisha: Fakulteti i Mjekësisë të kthehet në Universitet

Fakulteti i Mjekësisë do të kthehet në Universitet të Mjekësisë. Ndërkohë ka qenë kryeministri Sali Berisha që ka bërë të ditur dhe nisjen e procedurave ligjore për shndërrimin në Univeristet të këtij fakulteti. “Sot, në këtë 60 vjetor, ju jeni shumë larg 40 vjetorit që keni festuar 20 vjet më parë. Ju jeni shumë më lart, shumë herë më të mëdhenj. Sot, de facto, ju jeni Universiteti i Mjekësisë i Shqipërisë dhe ju do të jeni i tillë, këtë vit. Ju e ndërtuar atë, duke e zgjeruar në të gjitha fushat, në të gjitha degët dhe Shqipëria meriton të ketë universitetin e saj të mjekësisë. Ndaj, zoti ministër i Arsimit, zoti rektor, zoti dekan, sëbashku të përgatisim kuadrin ligjor për të shpallur Fakultetin e Mjekësisë, Universitetin e Mjekësisë së Tiranës”, tha kryeministri Berisha, në ceremoninë e dilomimit të studentëve të mjekësisë, që përkon dhe me 60 vjetorin e themelimit të këtij Fakulteti.

Berisha vlerësoi punën e bluzave të bardha, të cilët me përkushtimin e tyre e kanë ngritur vendin në nivelet më të larta të vendeve të zhvilluara. “Mirënjohje për profesorët, për kolegët, për studentët e mi të cilët në një betejë të pandërprerë, çdo minutë, çdo orë apo ditë kanë qëndruar tek shtrati i të sëmurit, dhe në çdo skaj të vendit ia kanë dalë sot të vendosin Shqipërinë ndër treguesit më kryesorë të shëndetit”, tha Berisha.

Kryeministri renditi disa nga treguesit kryesorë të shëndetësisë, sikurse vdekshëmrinë foshnjore, sistemin e imunizimit, etj.  “Shqipëria, e cila kishte vdekshmëri foshnjore dy e tre shifrore, sot ka vdekshmëri foshnjore një shifrore dhe ka një ndër nivelet më të ulëta në Europë e në botë, të vdekshmërisë amtare. Shqiptarët kanë mortalitetin më të ulët të përgjithshëm, se të gjitha kombet e tjera që dolën nga diktatura komuniste në Europë. Shqiptarët kanë sot, një nga mbrojtjet më të mira, në sistemin e tyre të vaksinimit. Këto janë disa nga arritjet themelore të punës suaj, që kanë në themel mijëra e mijëra orë, ditë e javë mundimi, vuajtjeje, sakrifice dhe dhimbjeje që ju ndani me heronjtë tuaj pa himne që, siç thotë një poete e madhe e sotme, janë të sëmurët që luftojnë çdo sekondë, minutë e orë, me sëmundjen e cilësdo natyre qoftë ajo. Në këtë betejë, ata ju kanë juve si mbështetjeje dhe burim shprese. Ju, brengat, dhimbjet e vuajtjet e të sëmurëve i shndërroni në brenga, dhimbje e vuajtje tuajat, në burim frymëzimi për ju dhe bëni gjithçka që ata të ngadhënjejnë mbi më të keqen, më të egrën e më armiken që është sëmundja. Ndaj sot, ju vini në këtë 60 vjetor më krenarë se kurrë, sepse keni vendosur kombin e vendin tuaj, në treguesit më themelorë, në nivelet më të larta të vendeve të zhvilluara”, tha Berisha.

Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, tha se “Fakulteti i Mjekësisë i Tiranës është një institucion arsimor dhe shkencor me një histori tashmë më shumë se gjysëm shekullore. Afirmimi dhe konsolidimi i tij si një institucion i nivelit të lartë shkencor dhe si pikë referimi në të gjithë hapësirën shqipfolëse, është mundësuar falë përkushtimit të stafit të tij akademik; aseteve të krijuara dhe që vijnë gjithnjë duke u zgjeruar; bashkëpunimit të tij të ngushtë me institucione të tjera arsimore e shëndetësore brenda dhe jashtë vendit; por edhe përmes një filozofie novatore, e cila mishëron të sotmen e këtij fakulteti”.

“Sot ky fakultet pregatit jo vetëm studentët e rinj por njekohësisht këtu pregatiten specialistët dhe shkencetarët e të gjithë fushave të mjekësisë, duke filluar nga mjeku i familjes, kirurgu, obstetri, kardiologu, pediatri, farmacisti, stomatogu, e kështu me rradhë, duke përfshirë edhe të gjitha specialitetet. Stafi pedagogjik i ketij fakulteti jep një kontribut të shquar edhe në diagnostikimin, trajtimin dhe kujdesin për të sëmurët e shtruar në institucionet tona duke orientuar punen e vet në atë mënyrë ku shëndetësia dhe shkenca plotesojnë njëra tjetrën”, tha më tej Tavo.

Ministria e Shendetesise, sipas tij, gjatë viteve jo vetëm që ka përkrahur dhe mbështetur inisiativat e ndërmarra për modernizimin e arsimimit shqiptar, por ajo ka kontribuar fuqishëm, duke pajisur Qendrën Spitalore Universitare me teknologjinë më të përparuar të kohës, duke krijuar kushtet për zhvillimin e procesit arsimor dhe kërkimit shkencor. Tavo theksoi gjithashtu nevojën e hapjes së shkollës së Menaxhimit Shëndetësor në mënyrë që të forcojmë tregun e menaxherëve shëndetësor të cilët pas kualifikimit të konkurojnë lirshëm në mundësitë që i ofron tregu dhe të ndihmojnë në një menaxhim më profesional dhe efikas të spitaleve dhe qendrave shëndetësore në vend.

Në përfundim, kryeministri Berisha u ka dorëzuar diplomën 5 studentëve më rezultate të shkëlqyera të këtij Fakulteti.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message
Enter below security code

Komentoni »

Galeria e Fotove

Log in | Dizenjuar nga GSC
View in: Mobile | Standard