Pushkatohen drejtuesit e ushtrisë, nuk respektuan vdekjen e diktatorit
Kur vdiq “Lideri i Dashur” dhjetorin e vitit të kaluar në gjithë Korenë e Veriut pllakosi zija 100-ditore. Pamjet e ceremonisë mortore të Kim Jong-Ilit bënë xhiron e botës, por edhe më shumë fotot dhe informacionet e pakta për liderin e ri Kim Jong-Un. Ky i fundit u pa si një shpresë për ndryshim kursi nga vendi komunist, por aspak nuk ndodhi kështu, përkundrazi ai po ecën në gjurmët e shtypjes së popullit të tij, ashtu sikur edhe i ati.
Këtë e dëshmojnë informacionet e fundit që kanë rrjedhur nga Pheniani, ku përflitet se dhjetëra zyrtarë të lartë të ushtrisë, përfshirë këtu disa ushtarakë, janë pushkatuar pasi nuk kanë respektuar 100-ditët e zisë kombëtare. Sipas medieve jug-koreane, gjeneralët kanë shpenzuar net nën shoqërinë e femrave dhe alkoolit dhe kjo nuk i ka pëlqyer liderit suprem, që ka vendosur t’i ndëshkojë.
Mes të ekzekutuarve mësohet se është edhe zëvendësministri i Mbrojtjes. Kim Jong-un ka kërkuar që nga ai të mos mbetet asnjë shenjë, ndaj ekzekutimi është kryer me artileri. Në Seul mendojnë se janë të paktën 10 zyrtarë ushtarakë të lartë të pushkatuar, që të gjithë me akuzën e shkeljes së 100 ditëve të zisë me konsum alkooli në shoqërinë e femrave.





