Berisha: Rama premton taksa elektorale me manifestin e Marksit! Jemi vend me potencial nafte dhe gazi
Kryeministri Sali Berisha inspektoi sot punimet për shpimin në pusin kërkimor Shpirag 2, në Berat, pusi më i thellë i hapur ndonjëherë në vend, me thellësi totale të llogaritur prej 6100 metrash. Pusi, i cili përparon me një mesatare prej 40 metrash në ditë, aktualisht ka arritur në thellësinë e 4045 metrave. Ai është vepër e kompanive Petromanas Energy Inc. dhe Shell dhe ka një kosto totale shpimi dhe përfundimi mbi 35 milion dollarë. Së shpejti, ky investim do të shoqërohet edhe me fillimin e kërkimeve në pusin Juban 1.
Kryeministri Berisha u interesua për ecurinë e tyre dhe përgëzoi ekipin e punës për realizimin, dy muaj para afatit të shpimit të pusit, në sajë të teknologjive më të zhvillura dhe bashkohore që po aplikohen. Nga ana e tyre, investitorët e huaj dhe konkretisht drejtuesi i punimeve për kompaninë Petromanas Energy Inc u shpreh se aktiviteti i tyre në Shqipëri është mirëpritur nga shqiptarët, si dhe ka gjetur bashkëpunimin e vazhdueshëm të qeverisë shqiptare dhe të autoriteteve lokale. Ata vlerësuan potencialet dhe lehtësitë që Shqipëria ofron në këtë drejtim, duke nisur aksesi i gatshëm ne tregjet kyçe të eksportit Europian, si dhe sistemi i themeluar i hidrokarbureve me fusha nafte te shumta, perfshire Patos-Marinzen, fushen me te madhe të naftes në tokë, ne Europen Perendimore.
Berisha uroi që investimi në pusin e Shpiragut të shënojë njërën nga historitë më të mira të suksesit të përbashkët mes këtyre kompanive dhe qeverisë shqiptare. Kryeministri garantoi përfaqësuesit e këtyre kompanive, por dhe të gjithë investitorët në tërësi se qeveria do të ndërmarrë në të ardhmen një seri masash të reja për të zgjeruar lirinë e biznesit dhe për të konsoliduar garancinë për biznesin dhe investimet.
“Ata që premtojnë taksën elektorale, valëvisin manifestin e Karl Marksit, që s`do të kthehet më kurrë. Kush mendon të shkatërrojë të pasurit për të ndihmuar të varfërit, shohin ëndrra me sy hapur. Kjo është rruga për t`i çuar ata në mjerim”, tha Berisha.
Ndërkaq Kryeministri vlerësoi faktin se edhe pse në një krizë globale Shqipëria ka njohur një rritje ekonomike 4 herë më të lartë se ajo e rajonit. “Shqipëria në kushtet e krizës ka rritje ekonomike 4 herë më të lartë se ajo e rajonit. Qeveria dhe politikat e saj bënë që të rriten investimet, të mbrojmë shqiptarët dhe ekonominë nga kriza. Të ardhurat buxhetore njohin rritje të vazhdueshme, të konvertuara këto në rritje rrogash e pensionesh. Papunësia është ulur në mënyrë progresive, në çdoskaj të vendin po krijohen vende pune. Berisha do bëjmë çdo gjë për punësimin që vendi të mbrohet nga kriza dhe të mos bjerë në recesion” u shpreh Kryeministri Berisha.
Më poshtë po japim të plotë fjalën e Kryeministrit Sali Berisha
“Së pari, dëshiroj të përshëndes shumë përzemërsisht, të falenderoj me mirënjohje të thellë kompaninë Petromanas Energy Inc dhe Kompaninë Royal Dutch Shell për këtë besim të madh që kanë dëshmuar tek Shqipëria me investimin e tyre, që këtë vit kap shumën 50 milionë dollarë, ndërsa në dy vitet e fundit së bashku shkon në vlerën 80 milionë dollarë, në eksplorim për naftë dhe gaz në Shqipëri. Unë dua ti siguroj ata, se ne jemi mirënjohës dhe krenarë me besimin e tyre, me praninë e tyre në Shqipëri. Kompania Petromanas dhe Shell me persistencën e tyre, me vendosmërinë e tyre, me profesionalizmin e tyre, kanë vendosur marrëdhënie të shkëlqyera me komunitetin lokal, autoritetet vendore, qeverinë qendrore dhe urojmë me gjithë zemër që të kenë këtu në Shpirag njërën nga historitë më të mira të suksesit tonë të përbashkët.
Unë gjithashtu, shpreh kënaqësinë që këtu operojnë dy kompani Petromans, një kompani kanadeze e njohur me eksperiencë të shkëlqyer në fushën e naftës dhe Shell një kompani planetare, e cila feston këtë vit 100 vjetorin e themelimit të saj. 100 vjet histori e madhe suksesi, histori e madhe zhvillimi. Ndaj dhe dua tu uroj sot këtu në emër të qeverisë shqiptare edhe qindra e mijëra suksese të tjera në vitet që vijnë.
Zonja dhe zotërinj,
Angazhimi i këtyre kompanive në një sipërfaqe prej 5700 km2 në Veri dhe ne Jug të vendit është dëshmi e besimit të tyre për potencialet e mëdha energjetike të Shqipërisë, është dëshmi e besimit të tyre të madh tek klima e biznesit në Shqipëri, tek Shqipëria dhe qëndrimi i saj ndaj investimeve të huaja. Qeveria ka bërë dhe do të bëjë gjithçka për të mbështetur, për të lehtësuar, për të ndihmuar investitorët e huaj dhe vendas, pasi për ne, investimet janë themelore në shpejtësinë e zhvillimit të vendit.
Gjatë këtyre viteve, në fushën e hidrokarbureve janë investuar rreth 800 milion dollarë, kundrejt vetëm 3,4 milion që ishin investuar në vitin 2004. Gjatë këtyre viteve prodhimi i naftës në Shqipëri është mbidyfishuar. Gjatë këtyre viteve interesi për potencialet e mëdha të Shqipërisë në fushën e naftës dhe gazit është dhjetëfishuar.
Unë i garantoj përfaqësuesit e këtyre kompanive se qeveria do të ndërmarrë në të ardhmen një seri masash të reja për të zgjeruar lirinë e biznesit, për të konsoliduar garancinë për biznesin dhe investimet. Por kjo politikë ka patur rezultate shumë të rëndësishme. Në kohën e krizës më të thellë që Evropa ka njohur në 80 vitet e fundit, krizë të cilën tani po e thërrasin kriza e recensionit të madh, ekonomia e vogël shqiptare nuk ra në asnjë moment në recension. Ekonomia e vogël shqiptare dëshmoi një gjallëri dhe dinamizëm, të cilat bënë që Shqipëria edhe në kushtet e kësaj krize të ketë rritje ekonomike, 4 herë më të madhe se rritja ekonomike mesatare e rajonit.
Kjo politikë dhe këto qëndrime bënë që të shumëfishohet besimi i investitorëve të huaj tek Shqipëria dhe Shqipëria në kulmin e krizës ekonomike evropiane ngjitet në çatinë e botës për sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja për frymë. Ato në katër vitet e fundit u rritën me 316 %. Kjo politikë i mbrojti shqiptarët dhe ekonominë e tyre nga kriza. Kjo politikë bëri që të ardhurat buxhetore, jo vetëm të mos ulen, por përkundrazi të njohin rritje të vazhdueshme, e konvertuar kjo me rritje konstante të rrogave dhe pensioneve të qytetarëve shqiptarë. Kjo politikë ka bërë që në rast se në vendet e krizës, papunësia është dy dhe trefishuar, në Shqipëri, siç faktojnë të gjitha statistikat, papunësia është ulur në mënyrë progressive. Është ulur në mënyrë progresive, pasi në çdo skaj të këtij vendi po krijohen vende pune. Në këtë shesh shpimi punojnë rreth 100 punëtorë, inxhinierë e teknikë. Dhjetëra e dhjetëra të tjerë punojnë në kompanitë e nënkontratuara nga Petromanas dhe Shell. Dhe këtu jemi në një luginë rreth Shpiragut. Por në qoftë se shkojmë rrëzë Korabit edhe atje do të gjejmë se ndërtohet një Hec, edhe atje do të gjejmë se janë të punësuar punëtorë. Le të dalim në Vithkuq, edhe atje është ndërtuar një Hec, edhe atje janë punësuar punëtorë. Le të shkojmë në lindje, 1500 metra, në lartësinë e Martaneshit. Edhe atje ndërtohet Hec, edhe atje janë të punësuar punëtorë. Pra, ne po bëjmë gjithçka për punësimin e qytetarëve shqiptarë, po bëjmë gjithçka që ky vend, ekonomia e qytetarëve shqiptarë të mbrohet nga një krizë, e cila do të jetë një krizë afatgjatë dhe ne do të bëjmë gjithçka që shqiptarët të mos bien në recension, të mos bien në krizë.
Ketë jave qeveria hoqi Tvsh-të për të gjitha makineritë e importuara, lehtësi të tjera fiskale do të parashikohen. Ata të cilët premtojnë taksën progressive nuk bëjnë gjë tjetër vetëm shëtisin Manifestin e Karl Marksit nëpër sipërmarrje, kodrat, fushat, malet e Shqipërisë, por ai ju jap fjalën nuk ka të ardhme.
Ne do të bëjmë çdo gjë që investitorët do të kenë suksesin më të madh. Ata që mendojnë se do të pasurojnë të varfrit, duke shkatërruar të pasurit, ata shohin ëndrra në diell. Ajo është rruga me e sigurtë e kalimit të tyre nga varfëria në mjerim. Më mirë se kushdo tjetër e kanë provuar këtë baballarët dhe gjyshërit tanë në regjimin që shkoi. Ne besojmë se paratë në kontot e biznesmenëve dhe të investitorëve kthehen shumë më shpejt, shumë më sigurtë ne vende pune, në rroga, në mirëqenie për qytetarët shqiptarë, se sa paratë në arkën e shtetit apo të qeverisë. Ndaj dhe ne i qëndrojmë politikës sonë. Kjo politikë ka bërë që Shqipëri të mos njohë krizën, kjo politikë ka bërë që vitet e ardhshme Shqipëria të qëndrojë sërish në krye të rajonit, në krye të Evropës, për rritje ekonomike. Kjo politike do ta shndërroje Shqipërinë në një nga prodhuesit kryesorë të naftës dhe gazit në rajon dhe më gjerë. Kjo politikë do të shndërrojë Shqipërinë në një superfuqi të energjisë së rinovueshme në rajon dhe më gjerë. Kjo politikë do të shndërrojë Shqipërinë në një vend me zhvillim të shpejtë, në një vend që e filloi me të ardhura për frymë prej 204 dollarë dhe sot ato janë 9 mijë dollarë. Ky vend do të rendë me shpejtësi drejt niveleve të të ardhurave të vendeve të zhvilluara.
Edhe një herë ju përshëndes përzemërsisht dhe ju uroj suksese, duke shprehur bindjen se me aftësitë tuaja profesionale, me fuqitë e mëdha eksploruese, mençurinë dhe ekspertizën, ju do të firmosni këtu në Shpirag, një nga historitë më të mëdha të suksesit të karrierës suaj 100 vjeçare.



