Topi: Berisha, komunisti i fundit në Evropë. Opozita nuk ekziston
Kreu i Fryma e Re Demokratike, Bamir Topi, ka akuzuar kryesministrin Sali Berisha se po përqëndron të gjitha pushtetet në një dorë, duke u bërë, sipas tij, komunisti i fundit në Evropë. Ndërkaq, Topi foli me tone kritike ndaj opozitës, e cila, sipas tij, nuk ekziston, pasi nuk ka nërë rolin e saj, por është bërë palë me qeverinë. “Të gjithë pushtetet sot janë zotëruar nga një dorë e vetme, që pret edhe prokurorin e përgjithshëm, e me këtë përqendrim, bëhet i denjë si totalitaristi komunist, i fundit në Europë”, tha Topi. Ndersa shtoi se “kryeministri aktual natyrisht nuk ka qenë i vetëm. Atë e ka ndihmuar, edhe në 2008-ën, edhe deri pak ditë më parë vetë kreu i opozitës. Ndaj, problemi është se ka tendenca që pushteti të bëhet i pakufishëm. Në çdo vend me demokraci funksionale, ekziston opozita, pikërisht që ta pengojë këtë rrezik të madh. Por në Shqipëri, nuk ekziston opozita që duhet të konfrontonte qeverinë. Në Shqipëri, ajo nuk e ka luajtur rolin, por i është bërë palë qeverisë”.
Topi foli gjithashtu edhe për mandatin e kryeprokurores Ina Ramës, që, sipas tij, përfundon në majin e vitit që vjen. Ish-Presidenti që firmosi dhe ndryshimet kushtetuese të 2008 tha nga Pogradeci se kryeprokurores aktuale i përfundon mandati kur këto ndryshime kanë hyrë në fuqi. “Mandati i kryeprokurorit të ri hyn në fuqi me ndryshimet kushtetuese. Veprimet e tjera që bëhen lidhur me këtë çështje janë anti-kushtetuese”, tha Topi.
Ndërkaq , Topi foli edhe mbi përjashtimin e FRD nga tryeza e partive politike të thirrura nga Presidenti Bujar Nishani për të diskutuar mbi datën e zgjedhjeve, duke e cilësuar këtë verpim një reflektim të frikës që kanë, sipas tij, ndaj kësaj partie. “Fakti që ne nuk jemi thirrur nga presidenti në tryezën e partive nuk na çudit. Mosthirrja në tryezë dëshmon frikën që ata kanë nga partia që ne përfaqësojmë. Por ne kemi eksperiencë të mjaftueshme në politikë dhe do të bëjmë të mundur arritjen e rezultateve”, tha Topi.
Topi u takua në Pogradec me mbështetës të FRD, gjatëtë cilit u ndal dhe në zgjedhjet e ardhshme, për rezultatet në të cilat u shpreh optimist.
Nga fjala e Topit në zyrtarizimin e degës së FRD-së në Pogradec
U bënë tashmë shumë vite që jam në politikë e vetëm pak kohë më parë jam larguar me kokën lart e dinjitoz nga institucioni më i lartë në piramidën shtetërore, nga Presidenca e Republikës. E që atëherë, por edhe tani, mjaft herë në komunikimin me qytetarët, ndërkombëtarët e gazetarët, më drejtohet shpesh një pyetje: kur jeni prishur në komunikimin me përfaqësuesin e maxhorancës aktuale?
Respektimi i parimeve dhe filozofisë së ruajtjes së pavarësisë së institucioneve e të kontureve të Kushtetutës, kanë qenë principet e mia. Paralajmërimi i vitit 2008 u vërtetua e vërtetohet akoma sot e kësaj dot.
Të gjithë pushtetet sot janë zotëruar nga një dorë e vetme, që pret edhe prokurorin e përgjithshëm, e me këtë përqendrim, bëhet i denjë si totalitaristi komunist, i fundit në Europë. Kjo mënyrë komunikimi nuk ka të bëjë me ndonjë ndjesi personale. As kolegët, që përbëjnë një ekip të nderuar në FRD, nuk kanë asgjë personale me askënd. Ndaj sot jemi ballëlartë e të lirë, njëlloj si ju, kudo, në rrugë, në këto ambiente, por edhe në fjalën tonë.
Të hapur, sepse e dimë që në këtë situatë, Kryeministri aktual natyrisht nuk ka qenë i vetëm. Atë e ka ndihmuar, edhe në 2008-ën, edhe deri pak ditë më parë vetë kreu i opozitës. Ndaj, problemi është se ka tendenca që pushteti të bëhet i pakufishëm. Në çdo vend me demokraci funksionale, ekziston opozita, pikërisht që ta pengojë këtë rrezik të madh. Por në Shqipëri, nuk ekziston opozita që duhet të konfrontonte qeverinë. Në Shqipëri, ajo nuk e ka luajtur rolin, por i është bërë palë qeverisë.
Ndaj, kjo situatë solli kërkesën dhe nevojën për krijimin e FRD-së, në bazë të së cilës qëndrojnë parimet, e jo interesat. Të gjithë anëtarët që morën hapin për të krijuar këtë parti, kishin mundësi të vijonin me karrierat e tyre profesionale. Por, ata zgjodhën të marrin përsipër një rrugë të vështirë me një mision, për një të ardhme ndryshe nga kjo që shohim.
Sot, në Shqipëri mungon një element thelbësor i shtetit: demokracia funksionale. Ka kontroll në media e aktivitet publike, që kontrollohen nga një klan i afërt i kreut të maxhorancës. Në Shqipëri merret vesh gjithçka, ndonëse për hir të së vërtetës, ka një klimë terrori psikologjik.
Shumë dashamirës të tjerë do të donin të vinin në takimet tona, por nuk munden, jo se s’kanë dëshirë, por sepse dikush në rrethin e tyre riskon të pushohet nga puna nëse vijnë këtu. Këtë fenomen e ndeshim në të gjithë Shqipërinë, kudo.
Por, kemi konstatuar edhe se njerëzit çdo ditë, po e vrasin frikën. Po e vrasin, sepse duke marrë parasysh klimën e vitit 1990, ku shumë prej jush kanë qenë prezentë atje ku kërkohej ndryshimi, shohin se sot, disa prej atyre që janë në qeveri, sjellin të njëjtën klimë si Ramiz Alia; klimë që atëherë luftuam ta rrëzonim. Kjo është e turpshme dhe e palejueshme.
Fryma e Re Demokratike vjen me besimin për të komunikuar me qytetarët. Ju po e shihni që komunikimi është ndryshe, pa ulërima, as sipërfaqësorë, por me qytetari, maturi e mendje-hapur të dëgjojmë çdo fakt e nevojë, e mbi këtë bazë, të japim një vizion të qartë, ku qytetarët të gjejnë shpresën për të ardhmen.
Ne jemi në Pogradec dhe Pogradeci e ka një model se si gjërat mund të kishin ecur me mirë. Gjithmonë kemi fajësuar sistemin, dikur të izoluar. Tek i njëjti liqen, me të njëjtin ekosistem, rreth e qark liqenit, në Ohër, kemi pasur një model tjetër. Por, është e papranueshme që edhe pas 22 vjetësh, akoma të mos kemi rikuperuar pjesën tonë për liqenin, e të kemi edhe ne modelin tonë.
Unë kam qenë ministër bujqësie dhe e përsëris, njëlloj si atëherë, se Pogradeci duhet të kishte zhvillim modern, tërheqës e turistik, kurse ju shikoni ende fusha të mbjella me misër amullor. Kjo tregon një nivel të ulët vizioni politik të qeverisë aktuale, që iu bie gjërave shkurt, por brenda këtyre rrugëve, kostoja është e jashtëzakonshme, kosto që nuk mbulohet me para nga xhepi apo familja, por nga taksat tona, që do paguhen nga brezat e mëvonë.
Dështoi interkonjeksioni me Kosovën, por lajmet si këto dalin me rezerva në publik, sepse një përqindje shumë e lartë e medias kontrollohet personalisht nga stafi i kryeministrit. Ndaj duket sikur shohim të njëjtin person si ai që patëm në krye të komitetit qendror të PPSH-së. Sot ai po tenton që gjithçka ta çojë në kanalet e interesave të tij. Ka humbur kredibilitetin, por prapë ka për të vjedhur zgjedhjet. Kështu thuhet. Kështu dëgjoj mes jush. Pra, që ai po përgatit infrastrukturën për të deformuar zgjedhjet. Kur arriti të manipulojë edhe votën e presidentit, që edhe u sqarua nga gjykata e Apelit, imagjinoni ç’mund të bëjë ai me votën e qytetarit shqiptar.
Ne mund të rrimë këtu me orë të tëra për të folur të kaluarën, për maxhorancën e për opozitën. Por, ajo që ka rëndësi është e ardhmja. Ne do të paraqesim një platformë të re për Shqipërinë, që të kemi mundësi të zbatojmë ato pika të programit që do t’i hartojmë në konsultim edhe me ju në të 20 departamentet e ngritura në Frymën e Re Demokratike.
Ju ftoj të gjithëve të bëheni pjesë e këtij komunikimi dhe kësaj filozofie. Gjërat janë shumë afër. Pas 7 muajsh do të futemi shtëpi më shtëpi e do takojmë çdo qytetar. Do të themi që do jemi zëri i vërtetë i qytetarëve, e jo vetëm deklarata të forta. Më shumë se ato, do japim argumente.
FRD do të japë mundësi që të arrijmë rezultate shumë të mira, unë e kam thënë prapë, spektakolare për 2-13-ën, e do të kemi më shumë deputetë si Z. Oketa.
Këtu është bërë e modës që gjërat konstatohen e lihen në harresë. Me ardhjen në pushtet të FRD-së, gjërat do të shihen me shumë kujdes, sepse rezulton që shumë procedura janë bërë duke abuzuar me ligjin. Ndaj ne do të japim shembullin që atë që është realizuar keq, do ta vlerësojmë sipas ligjit.
Shumë qeveritarë janë ndërruar, kanë ardhur, ikur e vepruar bazuar në vendime kolegjiale, VKM; por aty ka edhe përgjegjësi personale. Ndaj, duke qenë anëtar i Këshillit të Ministrave, ka edhe përgjegjësi personale.
FRD do e ballafaqojë këtë situatë me ligjin. Asgjë nuk do të ngelet pa parë dritën e diellit se si janë marrë vendimet e si janë zbatuar ato në privatizime e vepra që konsumojnë miliona euro. Kjo është e para pikë që do adresojmë, e ky nuk është moment deklarativ. Mbi bazë sondazhesh e komunikimi me publikun, FRD do të jetë e pranishme në parlament me një numër të konsiderueshëm deputetësh.
Juve keni ardhur këtu sepse parandieni se pas Qershorit 2013, do merrni atë që meritoni. Në administratë ka njerëz pa meritë, njerëz me diploma falso, e ne do të rikthejmë dinjitetin e shtetit, standardin, besimin qytetar në shtet.




