Ndryshohen kuotat e pranimit në shkollën e lartë dhe tarifat. Kategorite qe përfitojnë?

Qeveria miraton ndryshimet në vendimin për kuotat e pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë, si dhe tarifat e shkollimit, për vitin akademik 2012-2013. Në bazë të ndryshimeve, në çdo program studimi, në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në vitin akademik 2012 – 2013,  tre studentët e vitit të parë, me rezultatet më të larta në plotësimin e kritereve të pranimit (pikët e fituara në sistemin meritë – preferencë), në programin e studimit përkatës, përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit. Përjashtim bëjnë Universiteti i Arteve dhe Akademia e Arteve Shkodër, në të cilat 3 (tre) studentët e vitit të parë, me rezultatet më të larta në plotësimin e kritereve të pranimit (pikët e fituara në sistemin meritë – preferencë) në nivel fakulteti, nuk paguajnë tarifën vjetore të shkollimit.”. Gjithashtu përcaktohet se shpërndarja e fituesve në programe të ndryshme studimi, të ofruara nga institucionet publike të arsimit të lartë, bëhet në mënyrë të informatizuar, duke u mbështetur në rezultatet e shkollës së mesme, të Maturës Shtetërore (merita), si dhe të përzgjedhjes së programeve të studimit (preferenca), të bërë nga vetë kandidati/ja. Raundi i parë (aplikimi me formularin A2) zhvillohet në dy faza: regjistrimi on line dhe dorëzimi i dokumentacionit shtesë pranë institucioneve të arsimit të lartë publik ku janë shpallur fitues. Më poshtë po japim të plotë vendimin e Qeverisë.

PËR DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.420, DATË 27.6.2012, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KUOTAT E PRANIMIT NË INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË, CIKLI i PARË i STUDIMEVE ME KOHË TË PLOTË DHE NË PROGRAMET E INTEGRUARA TË STUDIMEVE TË CIKLIT TË DYTË, SI EDHE TARIFAT E SHKOLLIMIT, PËR VITIN AKADEMIK 2012 – 2013”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 33, 35, 36 e 75, të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.8098, datë 9.4.1996, “Për statusin e të verbrit”, të ligjit nr.8626, datë 4.7.2000, “Për statusin e invalidit, paraplegjik dhe tetraplegjik”, të ndryshuar, të ligjit nr.7889, datë 14.2.1994, “Për statusin e invalidëve të punës”, të ligjit nr.7748, datë 29.7.1993, “Për statusin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist”, të ndryshuar, të ligjit nr.10289, datë 17.6.2010, “Për mënyrën e trajtimit ekonomik e financiar dhe për dhënie ndihme të menjëhershme familjeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që humbin jetën në krye apo për shkak të detyrës”, si dhe të ligjit nr.8153, datë 31.10.1996, “Për statusin e jetimit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. Në vendimin nr.420, datë 27.6.2012, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:

1. Pika 11 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“11. Në çdo program studimi, në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në vitin akademik 2012 – 2013, 3 (tre) studentët e vitit të parë, me rezultatet më të larta në plotësimin e kritereve të pranimit (pikët e fituara në sistemin meritë – preferencë), në programin e studimit përkatës, përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit. Përjashtim bëjnë Universiteti i Arteve dhe Akademia e Arteve Shkodër, në të cilat 3 (tre) studentët e vitit të parë, me rezultatet më të larta në plotësimin e kritereve të pranimit (pikët e fituara në sistemin meritë – preferencë) në nivel fakulteti, nuk paguajnë tarifën vjetore të shkollimit.”.

2. Pika 19 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“19. Pranimi i studentëve në institucionet publike të arsimit të lartë bëhet nëpërmjet parimit Meritë – Preferencë dhe kryhet në dy raunde (me dy formularët A2 dhe A3).

19.1 Shpërndarja e fituesve në programe të ndryshme studimi, të ofruara nga institucionet publike të arsimit të lartë, bëhet në mënyrë të informatizuar, duke u mbështetur në rezultatet e shkollës së mesme, të Maturës Shtetërore (merita), si dhe të përzgjedhjes së programeve të studimit (preferenca), të bërë nga vetë kandidati/ja. Raundi i parë (aplikimi me formularin A2) zhvillohet në dy faza: regjistrimi on line dhe dorëzimi i dokumentacionit shtesë pranë institucioneve të arsimit të lartë publik ku janë shpallur fitues.

19.2 Kuotat, që mbeten të parealizuara për çdo program studimi pas aplikimit me formularin A2, rishpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bazë të propozimeve të institucioneve publike të arsimit të lartë.

19.2.1 Në raundin e dytë kanë të drejtë të marrin pjesë të gjithë maturantët/kandidatët që kanë konkurruar në raundin e parë më të njëjtën renditje preferencash të atij raundi, me përjashtim të:

a) fituesve të preferencës së parë të cilët janë regjistruar në këtë program studimi;
b) maturantëve/kandidatëve të cilët nuk kanë kërkuar vazhdimin e konkurrimit për preferenca më të larta gjatë regjistrimit on line dhe që rezultojnë të regjistruar në programin e studimit të preferuar.

19.2.2 Formulari A3 përfshin programet e studimit të ofruara nga institucionet publike të arsimit të lartë me kuotat respektive të shpërndara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Kanë të drejtë të plotësojnë formularin A3 të gjithë kandidatët, të cilët:

a) kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e Maturës Shtetërore, sesioni i parë, por nuk kanë plotësuar formularin A2;
b) kanë marrë pjesë dhe kanë rezultuar fitues në provimet e Maturës Shtetërore, në sesionin e vjeshtës 2012;
c) kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe u janë ekuivalentuar rezultatet e shkollës së mesme dhe provimet e Maturës Shtetërore;
ç) kanë plotësuar formularin A1Z në sesionin e dytë (të vjeshtës) dhe rezultojnë kalues në provimet me zgjedhje.

19.2.3 Kuotat, që mbeten të parealizuara edhe pas regjistrimit të fituesve të shpallur nga aplikimi në raundin e fundit, nuk rishpallen.”.

II. Ngarkohen Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Agjencia Kombëtare e Provimeve dhe institucionet e arsimit të lartë publik për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message
Enter below security code

Komentoni »

Galeria e Fotove

Log in | Dizenjuar nga GSC
View in: Mobile | Standard