Besimtarët muslimanë festojnë Kurban Bajramin
Besimtarët myslimanë me rastin e festës së Kurban Bajramit janë mbledhur në orët e para të mëngjesit në bulevardin, “Dëshmorët e Kombit”, ku kanë bërë faljen tradicionale.
Të pranishëm në këtë lutje ishin drejtues të xhamive të vendit, Kryetari i Komunitetit Mysliman, Selim Muça, ku së bashku me besimtarët kanë kryer rritin e faljes dhe kanë uruar për një festë të mbarë.
Në fjalën e tyre, drejtuesit e komunitetit musliman thanë se festa e Kurban Bajramit është festa e faljes, sakrificës dhe e durimit. Urimet janë që besimtarët të kenë më shumë begati, dashuri dhe harmoni në familje, pasi Kurban Bajrami është edhe festa e mirëkuptimit, faljes dhe bashkimit.
Kurban Bajrami ka si qëllim të saj frymëzimin e dashurisë, të triumfit të së mirës ndaj së keqes, vetëpastrimin e shpirtit dhe mbetet një simbol i sakrificës. Sipas përfaqësuesve të këtij besimi fetar, bërja e kurbaneve është një prej treguesve të afrimit tek e vërteta.





