‘Të bërit biznes’, Polonia vendin e parë në botë për përmirësimin. Shqipëria ka lehtësuar procedurat
Një raport i ri i IFC dhe Bankës Botërore tregon se që nga viti 2005, rajoni i Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore udhëheqin globin në përmirësimin e klimës së biznesit për firmat vendore. Rajoni kapërceu Azinë Lindore dhe Paqësorin për tu bërë rajoni i dytë më miqësor për biznesin në botë, pas ekonomive me të ardhura të larta të OECD-së.
I nxjerrë sot, ‘Të Bërit Biznes 2013: Rregullore më të Mençura për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme’ e sheh Poloninë në vendin e parë në botë si përmirësuesi i vitit të kaluar. Ajo përmirësoi lehtësimin e të bërit biznes nëpërmjet katër reformave institucionale apo rregullatore, duke e bërë më të lehtë regjistrimin e pronës, pagimin e taksave, zbatimin e kontratave dhe zgjidhjen e falimentimit. Evropa Lindore dhe Azia Qendrore kanë zbatuar pothuajse 400 reforma institucionale apo rregullatore që nga viti 2005, më shumë se çdo rajon tjetër në botë.
“Ne jemi shumë të inkurajuar nga ritmi i shpejtë i reformave në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore”, tha Augusto Lopez-Claros, Drejtor, Treguesit dhe Analiza Globale, Grupi i Bankës Botërore. “Shumë nga këto reforma janë zbatuar në kontekstin e negociatave të integrimit në BE. Integrimi ekonomik dhe dëshira për tu afruar partnerëve më të përparuar ka qenë një stimul i fuqishëm për të nxitur axhendat e reformave ambicioze”.
Raporti nxjerr në pah Gjeorgjinë që i bashkohet 10 ekonomive të para në renditjen për lehtësimin e përgjithshëm të të bërit biznes. Gjeorgjia zbatoi reforma në gjashtë fusha, më shumë se çdo ekonomi tjetër në rajon. Ajo ka bërë përmirësime në marrjen e kredive, pagimin e taksave, tregtinë ndërkufitare, zbatimin e kontratave, zgjidhja e falimentimit dhe marrja e energjisë elektrike.
Në nivel global, Singapori ruan vendin e tij të parë në renditjen globale për lehtësinë e të bërit biznes për vitin e shtatë me rradhë. Së bashku me të në listën e 10 ekonomive me rregulloret më miqësore për biznesin janë Hong Kong, Kina, Zelanda e Re, Shtetet e Bashkuara, Danimarka, Norvegjia, Mbretëria e Bashkuar, Republika e Koresë, Gjeorgjia dhe Australia.
Një studim rasti në raportin e këtij viti paraqet Letoninë, duke theksuar axhendën e vendit në reformën rregullatore dhe arritjet në fushat e matura nga Të Bërit Biznes. Shqipëria e ka bërë më të lehtë fillimin e një biznesi duke bërë noterizimin e dokumenteve të regjistrimit fakultativ. Ajo e bëri më të lehtë pagimin e taksave për kompanitë duke hequr taksën e makinave dhe duke nxitur deklarimin elektronik të taksave.
Fushat e reformave të rregulloreve të biznesit: Fillimi i një biznesi, Pagimi i taksave
Renditja në Të Bërit Biznes 2013: 85
Rreth serisë së raporteve të Të Bërit Biznes
Të Bërit Biznes analizon rregulloret që zbatohen për bizneset e një ekonomie gjatë ciklit të tyre jetësor, duke përfshirë fillimin dhe operimin, tregtinë ndërkufitare, pagimin e taksave dhe mbrojtjen e investitorëve. Renditja e kombinuar për lehtësimin e të bërit biznes bazohet mbi 10 tregues dhe mbulojnë 185 ekonomi. Të Bërit Biznes nuk mat të gjithë aspektet e mjedisit të biznesit që kanë rëndësi për firmat dhe investitorët. Për shembull, ai nuk mat cilësinë e menaxhimit fiscal, aspekte të tjerë të stabilitetit makroekonomik, nivelin e aftësive në forcën punëtore, apo elasticitetin e sistemeve financiare. Gjetjet e tij kanë nxitur debate të politikave në të gjithë botën dhe kanë mundësuar krijimin e një kërkimi shkencor në rritje mbi mënyrën se si rregullimi në nivel firmash ka lidhje me rezultatet ekonomike në vende të ndryshme. Raporti i këtij viti shënon edicionin e 10-të të serisë së raporteve globale të Të Bërit Biznes.
Rreth Grupit të Bankës Botërore
Grupi i Bankës Botërore është një nga burimet më të mëdha botërore të financimit dhe dijeve për vendet në zhvillim. Ai përfshin pesë institucione të lidhura ngushtë: Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Shoqatën Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), të cilat së bashku formojnë Bankën Botërore; Korporatën Ndërkombëtare Financiare (IFC); Agjencinë Shumëpalëshe të Garantimit të Investimeve (MIGA); dhe Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID). Secili institucion luan një rol të qartë në misionin për të luftuar varfërinë dhe për të përmirësuar standardet e jetesës për njërëzit në botën në zhvillim. Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni www.worldbank.org, www.miga.org, dhe www.ifc.org.





