Kapitenët me shirita kundër racizmit
Kapitenët e skuadrave pjesëmarrëse në Ligën e Kampionëve dhe Europa League në përballjet e ardhshme, do të mbajnë shirita kundër racizmit si pjesë e fushatës kundër diskriminimit, ka njoftuar Federata Evropiane e Futbollit (UEFA).
UEFA njoftoi se përkrah fushatën nga FARE, grup i gjerë evropian që synon eliminimin e racizmit në futboll, në kërkesën që kapitenët të mbajnë shirita me porosinë “Të bashkuar kundër racizmit”.
Shpeshherë e kritikuar se nuk është duke bërë aq sa duhet për të luftuar racizmin, UEFA ka njoftuar se para ndeshjeve në stadiume do të shfaqet një video-mesazh prej 30 sekondash dhe skuadrat do të hyjnë në fushë të shoqëruar nga fëmijët që do të mbajnë të veshura fanella me mbishkrimin e njëjtë kundër racizmit.
“UEFA është e përcaktuar në luftën e saj kundër diskriminimit në futboll dhe ne u bëjmë thirrje tifozëve të futbollit të na bashkohen në përpjekjet tona për respektimin e futbollistëve, zyrtarëve, kundërshtarëve dhe grupeve rivale të tifozëve nga cilido shtet, prejardhje religjioze, orientim seksual dhe origjinë etnike”, deklaroi presidenti i UEFA-s, Michel Platini, në njoftimin e publikuar.





