Meta takon Idrizin, nisin kontaktet për koalicionet e 2013
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta dhe ai i PDIU-së Shpëtim Idrizi zhvilluan mbrëmjen e sotme një takim informal në një nga lokalet në zonën e ish bllokut në Tiranë. Takimi zhvillohet një ditë pasi Meta u rikonfirmua zyrtarisht për një tjetër mandat drejtimi në krye të LSI-së, ndërsa mësohet se në qendër të tij ka qenë situate politike në vend, si dhe mundësitë që dy partitë politike të dalin në një koalicion të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Fakti që të dy partitë kanë një marrëveshje bashkëqeverisëse me Partinë Demokratike deri në 2013, lë hapësira që ato të mos jenë pjesë e koalicionit të udhëhequr nga PD, por të formojnë një tjetër koalicion, ku mund të përfshihen edhe disa parti të tjera të vogla. Ndërkohë mësohet se pikë tjetër e bisedës mes Metës dhe Idrizit ka qenë edhe rezoluta came, për të cilën PDIU insiston në miratimin në Kuvend.





