Ish të përndjekurit ndërpresin grevën e urisë: Do vazhdojmë luftën për kauzën tonë
Ish të përndjekurit grevistë të urisë prej 31 ditësh, njoftuan sot ndërprerjen e grevës, por theksuan se lufta për kauzën e tyre do të vazhdojë. Duket se grevistët morën vendimin për t’i dhënë fund sakrificës së tyre, pasi Kryeministri Sali Berisha për të disatën herë e konsideroi grevën e urisë si politike dhe se nuk kishte ndërmend të negocionte me to. Duke vënë theksin në terrorin psikologjik që sipas tyre po ushtrojnë autoritetet, grevistët theksuan se “Berisha më kollaj e ka të takojë një ministër serb, sesa ish të përndjekurit”. “Amanetet e bashkëvuajtësve tanë nuk treten. Nuk mund ta shtynim më tepër, jemi të vjetër, kemi 31 ditë nën terror psikologjik. Dikur në burgun e Burrelit një ujë me sheqer na e linin kur bënim grevë, këta donin të na vdisnin në mënyrë të ngadaltë. Këtu nuk është problemi vetëm i yni, por i të gjithë popullit. Institucionet këtu nuk funksionojnë fare”, u shprehën grevistët, në prononcime për mediat.
Në grevën e urisë fillimisht hynë 20 ish të përndjekur politikë, ndërsa e përfunduan vetëm 6, për shkak se pjesa tjetër u detyrua të linte mjediset e grevës për shkak të gjendjes shëndetësore. Gjatë ditës së grevës pati tentativa për dy vetëflijime, pasi dy nga grevistët e urisë ndërmorën aktin e vetëdjegies.Kjo situatë precipitoi me marrjen e masave nga policia, e cila nuk lejonte më kontaktet me grevistët e urisë, përvec vizitave mjekësore. Por ish-të përndjekurit deklaruan se policia nuk iu lejon brenda tendës së grevës sheqerin, çajin dhe ilaçet, problem ky i denoncuar edhe nga Avokati i Popullit. Por, policia akuzoi Avokatin e Popullit se furnizon grevistët me ushqime, ndërsa kanë mohuar se ju kanë hequr grevistëve ilaçet dhe lëngjet.
Pak përpara ndërprerjes së grevës së urisë, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se ajo është politike, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të 2013 do të jenë shqiptarët që me votën e tyre do të përcaktojnë qeverisjen e vendit. Ndërkohë në një reagim Zëdhënësi i Komisionit Europian, Peter Stano u shpreh se KE po e ndjek nga afër grevën e ish-të përndjekurve dhe inkurajon dialog konstruktiv me autoritetet. “Jemi të shqetësuar, ndjejmë keqardhje për ata që janë në grevë urie. Situata e tyre duhet të jetë prioritet imediat. Ne inkurajojmë dialog konstruktiv të besueshëm me autoritetet dhe shoqërinë civile, në kornizën e institucioneve demokratike dhe përkatëse”, tha Stano.




