Borissov-Berisha: Shpresoni në votën e Bullgarisë për statusin e vendit kandidat

Bullgaria mbështet Shqipërinë jo vetëm në marrjen e statusit të vendit kandidat, por edhe anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian. Kjo u konfirmua gjatë vizitës së zhvilluar në Tiranë nga Kryeministri bullgar Boyko Borissov, i cili takoi Kryeministrin Berisha.

Kryeministri Berisha dhe homologu i tij Borissov vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera, miqësore, tradicionale që ekzistojnë mes dy vendeve dhe rikonfirmuan angazhimin  e përbashkët për t’i zgjeruar dhe thelluar edhe më shumë ato në të ardhmen. Kryeministri Berisha u shpreh se vizita e kryeministrit bullgar në vendin tonë ishte një moment shumë i rëndësishëm dhe një kontribut i veçantë në këtë drejtim. Gjithashtu, dy homologët ritheksuan vendosmërinë e qeverive përkatëse për ngritur në nivel më të lartë bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të përbashkët, si dhe për mbështetur fuqishëm zhvillimin në fushën ekonomike, ku një vend të veçantë zë inkurajimi i bizneseve dhe investitorëve të të dy vendeve, për të eksploruar mundësitë dhe potencialet e shumta që ofron ky sektor.

Në vijim,  në prani të dy kryeministrave, u nënshkruan tre marrëveshje bashkëpunimi në fusha të ndryshme midis qeverisë shqiptare dhe asaj bullgare dhe konkretisht:

1. Marrëveshja e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës se Shqipërisë dhe Qeverise se Republikës se Bullgarisë

2. Protokolli ndërmjet Këshillit te Ministrave te Republikës se Shqipërisë dhe Qeverise se Republikës se Bullgarisë ne fushat e arsimit, shkencës dhe kulturës për periudhën 2013-2015

3. Protokolli ndërmjet Ministrisë se Brendshme te Republikës se Shqipërisë dhe Ministrisë se Brendshme ne Republikës se Bullgarisë mbi zbatimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës se Shqipërisë dhe Komunitetit Evropian per ripranimin e personave qe qëndrojnë pa autorizim.

Pas këtyre nënshkrimeve, të dy kryeministrat dolën në një konferencë të përbashkët për  shtyp. Në përfundim, Kryeministri Berisha shtroi një drekë për nder të Kryeministrit Borissov, në mjediset e Pallatit të Brigadave, e cila kaloi në një atmosferë të ngrohtë e miqësore.

Më poshtë po japim të plotë konferencën për shtyp të dy kryeministrave.

Kryeministri Berisha: Sapo përfunduam bisedimet e hapura, miqësore dhe të frytshme me Kryeministrin e Republikës së Bullgarisë, zotin Boyko Borissov, mikun tim të shquar dhe delegacionin që e shoqëron, si dhe firmosja  tre marrëveshjeve të rëndësishme që zgjerojnë dhe konsolidojnë më tej infrastrukturën ligjore të këtij bashkëpunimi të shkëlqyer që ekziston mes dy vendeve dhe kombeve tona.

Për mua ishte rast i veçantë t’i shprehja mirënjohjen time më të thellë dhe falënderimin e përzemërt mikut tim Borisov, për mbështetjen e madhe qe qeveria e tij dhe vendi i tij i kanë dhënë Shqipërisë, në të gjitha përpjekjet e saj për anëtarësimin e plotë në NATO, integrimin në BE. Por Bullgaria këto dekada ka qenë një faktor madhor paqeje dhe stabiliteti me politikën e saj, për çka unë shpreha mirënjohjen dhe falënderimin tim të përzemërt.

Kjo vizitë ishte një moment shumë i rëndësishëm dhe një kontribut i veçantë në marrëdhëniet e shkëlqyera, miqësore, tradicionale që ekzistojnë mes dy vendeve tona.

Me kryeministrin Borissov dhe delegacionin që  e shoqëron shqyrtuam zhvillimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve në të gjitha fushat dhe u angazhuam të mbështesim fuqishëm zhvillimin në fushën ekonomike. Potencialet e mëdha që ekzistojnë në këtë drejtim janë shumë premtuese për investitorët e dy vendeve tona.

Ne besojmë se Ballkani ka potenciale të mëdha, por ajo që i mungon rajonit janë korridoret e gjera të bashkëpunimit. Bullgaria po ndërton disa korridore të një rëndësie jo vetëm për Bullgarinë, por për të gjithë rajonin. Por, po kështu, po ndërton edhe Shqipëria. Në këtë kontekst, ne diskutuam për lidhjet hekurudhore mes Sofjes dhe Tiranës, por dhe Korridorit 8-të. Ne do të bëjmë gjithçka për t’i shndërruar këto lidhje dhe këtë Korridor në realitet të rëndësishëm për kombet tona dhe rajonin.

Ne diskutuam për bashkëpunimin e ngushtë në fushën e kulturës, të arsimit, të mbrojtjes, të bujqësisë, të rendit dhe luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit.

Ne diskutuam lidhur me mbështetjen e Kryeministrit Borissov dhe vendit të tij mik, në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Përgëzova Kryeministrin Borissov për suksesin e madh të reformave që qeveria e tij ka ndërmarrë dhe që e kanë shndërruar ekonominë  e Bullgarisë një ndër ekonomitë më të qëndrueshme të Europës dhe botës sot.

Edhe njëherë dua të falënderoj mikun tim për këtë vizitë shumë të rëndësishme dhe miqësore dhe ta siguroj se ky është një kontribut i madh në marrëdhëniet e ardhshme, të shkëlqyera, miqësore mes dy vendeve dhe kombeve tona. Ju faleminderit!

Kryeministri Borissov: Ju falënderoj edhe unë gjithashtu. Me Kryeministrin Berisha jemi takuar në shumë vende të tjera të Europës dhe të botës, në forume të ndryshme dhe shumë herë kemi bërë ftesa për vizita të ndërsjella në Bullgari dhe në Shqipëri. Dhe ja, sot e realizuam një vizitë të tillë.

Së pari, dua të them për raportin e Komisionit Europian dhe vlerësimin që i dha Shqipërisë, është një vlerësim i mirë për meritat e Shqipërisë. Bullgaria dhe Shqipëria janë dy vende anëtare të NATO-s dhe gjithmonë jemi shprehur se në Ballkan të gjitha shtetet duhet të jenë anëtare të NATO-s dhe BE-së.

Politika e Bulgarisë ka qenë gjithmonë e baraspeshuar në planin e jashtëm politik dhe gjithmonë i jemi përmbajtur qëndrimit që të gjitha shtetet e Ballkanit, edhe Bullgaria, edhe Shqipëria, edhe shtet e tjera duhet të bëhen pjesë e BE-së. Në këtë drejtim kemi tradita të mira. Bullgaria mbështeti e para Maqedoninë. Bullgaria ishte një nga shtetet e para që e njohën Kosovën. Kështu pra, Bullgaria ka meritat e saj  për qetësinë dhe paqen në rajonin e Ballkanit. Bullgaria ishte një prej shteteve që mbështeti procesin e liberalizimit të vizave, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vende të tjera dhe unë, në këtë kontekst, dua të falënderoj Kryeministrin Berisha për përpjekjet që bëjnë të dy ministritë përkatëse në Bullgari dhe në Shqipëri, në këtë drejtim.

Më pëlqeu shumë ajo që shprehu Kryeministri shqiptar se të gjitha monumentet e kulturës në Kosovë janë ruajtur dhe vazhdojnë të ruhen dhe shpresoj shumë se gjatë viteve të ardhshme, së bashku me Maqedoninë dhe Serbinë, do të forcojmë bashkëpunimin në projekte të përbashkëta.

Siç e përmendi edhe Kryeministri Berisha, Korridori që po ndërton aktualisht Bullgaria nën emrin “Marica” është me rëndësi jo vetëm për vendin tonë, por për të gjithë shtetet e rajonit, sepse ky Korridor që lidh Sofjen me Stambollin mund të përdoret për të gjitha shtetet e tjera. Gjithashtu është Korridori tjetër që lidh kryeqytetin Sofje me bregdetin e Detit të Zi, si dhe Korridori që po ndërtohet mes Sofies dhe Selanikut. Përmendim këtu edhe autostradën që po ndërtohet nga Sofia në drejtim të Beogradit.

Aktualisht, bashkë me Komisionin Europian,  ne po punojmë për një projekt që lidhet me segmentet e Korridorit 8-të që do të kombinohet me dy Korridoret që po ndërtohen në Bullgari, “Maricën” dhe “Strumën”. Kështu që ne do të arrijmë të kemi një sistem të qëndrueshëm arteriesh e korridoresh në rajonin e Ballkanit si dhe të linjave hekurudhore, ku mund të lëvizin jo vetëm udhëtarë, por edhe mallra. Pra, Shqipëria do të ketë mbështetjen tonë, duke punuar paralelisht edhe mbi rekomandimet e që u ka dhënë KE në fushën e gjyqësorit, si dhe kërkesa të tjera. Është evidente se këtu në këtë vend po ndërtohet një infrastrukturë moderne. Gjithashtu ekziston pluralizmi i partive politike, pluralizëm, i cili garanton aderimin europian të vendit.

Pyetje: Zoti Borissov, cili do të jetë kontributi i Bullgarisë që Shqipëria të marrë në dhjetor statusin e vendit kandidat?

Kryeministri Borissov: Do të filloj me vlerësimin që ka Komisioni Europian. Dua t’ju siguroj se zëri i Bullgarisë do të dëgjohet në Bruksel. Ashtu siç e kemi ndihmuar Kroacinë, do të ndihmojmë edhe vendin tuaj. Ne mund t’i japim një kontribut të madh Shqipërisë në procesin e bisedimeve që do të vendosen midis shtetit tuaj dhe Bashkimit Europian, bisedimet e aderimit, pasi ne mund t’ju ndihmojmë me përvojën tonë, edhe pozitive, edhe negative. Mund t’ju siguroj se në momentin kur do të vendoset votimi, mund të shpresoni për votën e Bullgarisë, Ju siguroj.

Pyetje: Zoti Berisha, sa optimist jeni që brenda 20 dhjetorit ne t’i kemi përmbushur tri detyrimet e caktuara lidhur me marrjen e statusit të vendit kandidat në BE?

Kryeministri Berisha: Lidhur me pyetjen, të tre ligjet që kërkohen me shumë të drejtë nga Komisioni Europian që të miratohen nga parlamenti shqiptar, janë tashmë në parlament. Ne kemi ofruar dhe ofrojmë për përmbajtjen e  tyre konsensusin më të madh të mundshëm, brenda kuadrit kushtetues. Unë shpresoj dhe vlerësoj se nuk ekziston pengesa për t’i votuar ato. Natyrisht, qeveria nuk ka 3/5-at e votave për votimin e tyre, pasi dy prej tyre janë ligje organike. Se cili do të jetë qëndrimi i opozitës, a do të përdorë ajo pakicën për të bllokuar votimin e tyre, apo do t’i votojë, kjo varet nga kryetari i opozitës. Me mikun tim Borissov, javën e kaluar, ne ishim në Kongresin e Partive Popullore Europiane. Unë dua të informoj shqiptarët se gjatë atij Kongresi, unë kam biseduar për problemin e integrimin me pothuajse çdo kryetar qeverie që ndodhej i pranishëm aty. Natyrisht, kërkesa ime ka qenë shumë korrekte dhe po këtë kërkesë i shtrova edhe mikut tim këtu; mbështetjen e tyre, në rast se votohen ligjet nga parlamenti ynë. Por nuk mund t’u kërkojmë të tjerëve atë që nuk bëjmë vetë. Ky është dhe do të mbetet qëndrimi im i ndershëm, i hapur dhe i prerë. Qytetarët na kanë votuar që të votojmë në parlament dhe jo të bllokojmë. Ky është një proces që kërkon detyrimisht gjithë përfshirje. Ky është rregulli i integrimit.

Pyetje: A keni diskutuar për mundësinë e eksportit të energjisë elektrike nga Bullgaria për në Shqipëri dhe, nëse po, si do të realizohet kjo?

Kryeministri Borissov: Ju ndoshta e dini se ne, deri në këtë moment, eksportojmë për në Shqipëri, përmes Kosovës dhe gjithashtu kemi ndërmend të ndihmojmë Shqipërinë dhe të ofrojmë mbështetjen tonë në ndërtimin e hidrocentraleve. Unë kam një kërkesë për palën shqiptare; në qoftë se ka mundësi, Shqipëria të eksportojë bitum, një çështje kjo për të cilën u diskutua edhe gjatë bisedimeve midis dy delegacioneve. Ka rrugë në Bullgari që janë ndërtuar para shumë vitesh dhe janë aq të qëndrueshme dhe aq të mira, në sajë të bitumit të mirë shqiptar. Jemi të gatshëm të marrim tërë sasinë që disponon vendi juaj.

Kryeministri Berisha: Lidhur me këtë pyetje, sigurisht që bashkëpunimi në fushën e energjisë ka një rëndësi shumë të madhe dhe është parësor. Ne po bëjmë gjithçka për të zhvilluar lidhjet e interkonjeksionit me Maqedoninë dhe më pas me vendin tuaj. Po kështu edhe me Kosovën. Në Shqipëri janë në ndërtim e sipër dhjetëra e dhjetëra hidrocentrale. Janë shumë e shumë të tjerë që presin investitorë dhe jam i bindur se kjo vizitë e Kryeministrit Borissov do të jetë një inkurajim i madh për investitorët bullgarë, për të marrë pjesë në këtë proces.

Është e vërtetë që bitumi i Shqipërisë është i cilësisë më të lartë, por, gjithashtu, ka një të dhënë tjetër të re shumë pozitive; rërat bituminoze të Shqipërisë janë të cilësisë më të lartë që mund të ekzistojnë, sipas studimeve që kanë bërë institutet shkencore të Milanos. Ato janë shumë më cilësore, sesa rërat kanadeze dhe të çdo vendi tjetër. Ato mjaftojnë për të shtruar të gjitha rrugët e Europës. Unë sot pasdite, në forumin ekonomik dypalësh do të ftoj sipërmarrësit bullgarë që të vijnë e të investojnë në rërat bituminoze, si një material i shkëlqyer dhe me kosto të ulët të rrugëve.

Kryeministri Borissov: Së pari, me këtë rërë bituminoze dëshirojmë të bëjmë një rrugë shumë më të shkurtër mes dy kryeqyteteve.

Kryeministri Berisha: Me shumë kënaqësi

Pyetje: Ka tashmë një muaj që ish të përndjekurit politik ndodhen në grevë urie. A ka sot qeveria një zgjidhje për ta?

Kryeministri Berisha: Një vend i lirë, një vend pluralist, respekton protestën paqësore të të gjitha formave. Kjo është një grevë politike, që nuk ka të bëjë aspak me interesat e të përndjekurve politikë, por me interesat për pushtet të një partie të caktuar. Zgjedhjet do të vijnë dhe shqiptarët do të vendosin për partinë që do të preferojnë.

Për sa i përket standardit të kësaj qeverie dhe të PD-së, nga viti 1992 e deri më sot, sa herë që ajo ka qenë në pushtet, për martirët e gjallë të fjalës së lirë, ai është standardi më i lartë në të gjithë Europën ish komuniste. Ky standard përcakton një kompensim prej 18.6 dollarë për çdo ditë të vuajtjes së dënimit për këtë kategori.  Përveç kësaj, ky standard përcakton pensione individuale, duke konsideruar çdo vit dënimi sa dy vite punë shumë të rëndë në shtet.  Përveç këtyre, janë përcaktuar pensione familjare për të gjithë familjarët e ekzekutuar ose të vdekur në burgjet e diktaturës, pra, pensione për ata që janë mbi 60 vjeç, ose nën moshën 25 vjeç. Janë disbursuar deri më sot mbi  këtë tarifë, 102 milionë dollarë lekë privatizimi dhe lekë aktuale. Janë dhënë 21 mijë e 400 pensione, janë dhënë 2200 apartamente. Ata që janë në grevë për qëllime politike, nga këto forma kanë përfituar së bashku 900 mijë dollarë. Këto janë të vërtetat e qëndrimit të forcës politike që unë përfaqësoj dhe qeverisë që drejtoj, ndaj kësaj çështjeje. Përndryshe, ne respektojmë çdo formë proteste paqësore.

Pyetje: Zoti kryeministër, a keni folur gjatë takimit tuaj, për ata shtetas shqiptarë që janë me origjinë bullgare, a do të kenë mundësi që të vetëdeklarohen si minoritarë bullgar dhe të kenë të drejta e liri si të tillë?

Kryeministri Berisha: Unë mund t’ju garantoj se i përmbahem parimit se; në këtë vend, çdo qytetar i tij, të deklarojë lirshëm përkatësinë etnike që i përket dhe që e ndjen vetë. Unë besoj se ky është standardi që ne duhet të respektojmë. Nuk ekziston dhe nuk do të ekzistojë asnjë lloj kufizimi për qytetarët e këtij vendi, që të deklarojnë përkatësinë etnike që ndjejnë dhe dëshirojnë. Ne po luftojmë të gjithë që të ecim drejt një përkatësie sa më europiane.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message
Enter below security code

Komentoni »

Galeria e Fotove

Log in | Dizenjuar nga GSC
View in: Mobile | Standard