Berisha: Mbështetja ndaj biznesit mënyra më e mirë për përballimin e krizave
Kryeministri Sali Berisha ftoi sot investitorët bullgarë të vijnë në Shqipëri, ndërsa paraqiti potencialet që ofron Shqipëria për investitorët, klimën e favorshme për biznes e investime, si dhe në domosdoshmërinë e ndërtimit të infrastrukturave lidhëse midis vendeve të rajonit, për të bërë të mundur shfrytëzimin e potencialeve të mëdha që rajoni i Ballkanit ka. Berisha përshëndeti pasditen e sotme Forumin Ekonomik Shqipëri-Bullgari. Kryeministri theksoi se Qeveria shqiptare e konsideron mbështetjen ndaj biznesit si mënyrën më të mirë për përballimin e krizave ekonomike. Më poshtë po japim të plotë fjalën e Kryeministrit Berisha në Forumin Ekonomik.
Së pari, dua t’ju falenderoj shumë përzemërsisht zoti Borissov për këtë vizitë zyrtare, miqësore e të shkëlqyer, që realizuat në Tiranë dhe për këtë Forum shumë serioz e të rëndësishëm që bëtë të mundur, me afaristë e bizesmenë që sollët nga Bullgaria, këtu, në Tiranë. Jam i bindur se ky Forum do të japë rezultate konkrete, në përputhje me vullnetin dhe përcaktimin e qartë të të dy qeverive tona, për të inkurajuar, nxitur e zhvilluar më tej marrëdhëniet e gjithanshme midis vendeve e kombeve tona.
Të dashur biznesmenë shqiptarë e bullgarë, në këtë Forum,
Marrëdhëniet midis dy vendeve e kombeve tona janë të shkëlqyera në rrafshin politik. Ato kanë një trashëgimi që datojnë në kohëra të largëta, si marrëdhënie miqësore e shumë të mira. Por këto marrëdhënie, sot, më shumë se kurrë, kanë nevojë për kontributin, projektet dhe angazhimin tuaj më të madh.
Kohërat e sotme faktojnë se shtylla më kryesore e miqësisë dhe bashkëpunimit është bashkëpunimi ekonomik i ndërsjellë. Unë besoj se bashkëpunimi midis Shqipërisë e Bullgarisë ka sot, një bazë reale shumë të madhe, ka një vullnet të qartë politik për ta mbështetur fuqishëm këtë bashkëpunim. Unë jam sot, këtu, për t’u zotuar para investitorëve bullgarë se qeveria dhe institucionet e këtij vendi do të bëjnë gjithçka që projektet e tyre në Shqipëri të jenë një histori e vërtetë suksesi. Sikundër inkurajon investitorët shqiptarë të konsiderojnë në mënyrën më serioze investimet në Bullgari, pasi shanset e suksesit të tyre janë të mëdha dhe miku im Borissov më garantoi se ato do të kenë mbështetje të plotë të institucioneve të këtij vendi mik.
Të dashur biznesmene e biznesmenë bullgarë,
Shqipëria është një vend me ekonomie të vogël, por realisht vibrante e dinamike. E parë në hartë, ajo ka një sipërfaqe të vogël, por kur ndalesh me hollësi ka potenciale shumë të mëdha, për biznese ndër më të mëdhatë e rajonit e të botës. Qeveria ka bërë e bën përpjekje të mëdha, për një klimë miqësore ndaj biznesit. Ne i rezistuam krizës dhe gjatë këtyre viteve, Shqipëria nuk ka rënë në recesion. Sipas Komisionit Europian, ajo ka pasur një rritje ekonomike katër herë më të madhe se rritja mesatare e rajonit. Shqipëria ia doli t’i rezistojë krizës vetëm në sajë të reformave të rëndësishme që ne ndërmorëm në vite, që kishin si qëllim kryesor klimën miqësore ndaj biznesit. Këto reforma u adresuan së pari, në zvogëlimin e barrierave burokratike ndaj biznesit. Sot, në Shqipëri mund ta regjistroni biznesin për 30 minuta dhe për një euro. Së shpejti do të kalohet në regjistrimin online të tij. Sot, në Shqipëri, pas janë hequr 2/3 e lejeve e licencave, ato që mbeten mund të merren në Qendrën Kombëtare të Lejeve dhe Licencave. Një Qendër, e cila lejon gjurmimin dixhital të dokumenteve të dorëzuara, në çdo hallkë burokratike, në mënyrë që të bëjë plotësisht transparent procesin e marrjes së licencave dhe lejeve. Në këtë përpjekje, në vitin 2009, Shqipëria u bë vendi i parë në botë me sistem të prokurimeve 100 përqind elektronik. Shqipëria renditet në 10 vendet e para me administratën publike më të vogël në botë. Ne kemi gjysmën e administratës që ka Maqedonia fqinjë. Shqipëria ka një raport shumë të mirë midis pagave dhe produktivitetit. Ndërkohë, ne kemi një nga regjimet fiskale më ulëta në Europë.
Unë ju garantoj se në të gjithë veprimtarinë tonë, ne mendojmë se si të mund të mbështesim biznesin dhe suksesin e tij, si rruga e vetme për t’i mbijetuar pasojave të rënda të kësaj krize që ka pllakosur vendet tona fqinj, por edhe vende të tjera të Europës. Krizë, e cila duket se do të jetë afatgjatë.
Ndërkohë, këto reforma kanë pasur edhe rezultatet e tyre impresionuese. Në dy vitet e fundit, eksportet shqiptare janë dyfishuar; investimet e huaja direkte janë rritur me 316 përqind; papunësia, ndonëse ekziston si një problem, nuk ka pasur rritje gjatë këtyre viteve.
Shqipëria ofron për çdo investitor, potenciale të mëdha. Potencialet në fushën e turizmit janë shumë të mëdha. Ju keni një eksperiencë të çmuar në këtë fushë, por dua t’ju jap vetëm disa shifra. Në vitet 2004-2011, numri i turistëve dhe vizitorëve në Shqipëri u rrit nga 300 mijë në 4 milionë e 10 mijë, çka do të thotë se biznesi i turizmit është fitimprurës, me perspektivë e kërkesë të madhe.
Shqipëria ka potencial energjetik të veçantë. Shqipëri, vendi më malor në Europë, jo se ka majat më të larta, por ka majat më të shumta dhe bëjnë që lartësia e saj të jetë 708 metra, në kontinent, është shumë e pasur në burime ujore. Ajo ka për të ndërtuar 443 hidrocentrale të kapaciteteve të ndryshme. Pas kalimit në vitin 2007, të një ligji, i cili ka pasur një impakt shumë pozitiv në botën e biznesit, qeveria ka firmosur deri më sot, mbi 120 kontrata koncesionare për rreth 330 hidrocentrale, me një investim total prej 3.2 miliardë euro. Një pjesë e tyre janë ndërtuar, të tjerë janë në ndërtim, por shumë prej tyre, ju presin juve që në bashkëpunim e bashkëinvestim të marrin jetë e të ndërtohen. Dua t’ju informoj se kuadri ligjor rregullator i tregut të energjisë është ndër më të favorshmit dhe liberalët. Sikundër kostoja e ndërtimit për megavat është absolutisht ndër më të leverdishmit që mund të ekzistojë. Ndaj, unë ju ftoj ta konsideroni seriozisht pjesëmarrjen aktive në këtë proces, i cili do ta shndërrojë Shqipërinë në një superfuqi të vogël të energjisë së rinovueshme në rajon. E ndodhur përballë tregut të “uritur” italian të energjisë, prodhimi i energjisë në Shqipëri është njëkohësisht një biznes i garantuar për treg.
Shqipëria është një vend shumë i pasur me minerale. Malet e saj mbartin rezerva të mëdha kromi, bakri, nikeli, hekuri, hekur-nikel dhe së fundi, flori e platin. Shqipëria prej 90 vitesh është një vend naftënxjerrës dhe perspektivat e naftës duket se janë shumë të mira, në vitet që vijnë.
Shqipëria ka një krah pune të ri, dinamik, të mirëshkolluar dhe kjo e bën Shqipërinë shumë tërheqëse për investitorët e bizneset e huaja. Ne kemi një nga praktikat më fleksibël përsa i përket krahut të punës e forcës së tij.
Shqipëria është anëtar i NATO-s. Ajo bën përpjekje të mëdha dhe ecën drejt integrimit në Bashkimin Europian. Shfrytëzoj rastin të falenderoj edhe një herë qeverinë bullgare, për kontributin e saj madhor në paqen e stabilitetin në Ballkan. Me Kryeministrin Borissov ndajmë pikëpamje të njëjta. Ky gadishull ka potenciale të jashtëzakonshme. Këtë gadishull, politika dhe trashëgimia e kaluar, në një mënyrë a në një tjetër, ndonëse gjeografikisht në zemër të Europës, ekonomikisht e shkëputën prej saj. Por është në detyrën tonë të ndërtojmë korridoret e mëdha të komunikimit, korridoret e mëdha të tregut. Shqipëria po investon me vendosmëri të madh në një infrastrukturë rrugore moderne. Ajo po ndërton segmentin e parë e më të vështirë të Korridorit të 8-të, ka ndërtuar Korridorin Durrës-Morinë drejt Prishtinës. Me Kryeministrin Borissov ramë dakord të konsiderojmë seriozisht bashkëpunimin për Korridorin e 8-të, i cili nënkupton jo vetëm autostradën, por hekurudhën dhe të gjitha lidhjet tona të tjera.
Këto ishin disa nga çështjet që ne diskutuam sëbashku dhe këto janë disa nga potencialet që Shqipëria paraqet për investitorët bullgarë. Sikundër ju garantoj juve, të dashur investitorë shqiptarë se Bullgaria paraqet gjithashtu, potenciale shumë të mëdha dhe konsideratat tuaja për të investuar në këtë vend mik do të japin pa diskutim frytet e tyre e do të shndërrohen në histori të vërteta suksesi. Faleminderit.”




