Asamblea e PS, Gjoni: Pse e kundërshtova Ramën

Deputeti Ilir Gjoni ka preferuar rrjetin social Facebook për të sqaruar qëndrimin e tij, por edhe përplasjen që ka pasur me Kryetarin e PS-së, Edi Rama, gjatë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të kësaj partie. Më poshtë po japim të plotë reagimin e deputetit Ilir Gjoni.

Duke parë atë çka kishte pasqyruar media rreth zhvillimit të Asamblesë Kombëtare të PSsë, e pashë të udhës që të sqaroj atë çka unë kam diskutuar në Asamblenë Kombëtare. Pasi dëgjuam prezantimin e asaj që Kryetari i Partisë e quajti vizion strategjik, unë deklarova se, nisur nga fakti që Asambleja nuk kishte dijeni më parë për përmbajtjen e mbledhjes, qëndronte para një surprize e cila doli të ishte e këndshme dhe paraqitja që bëri Kryetari i Partisë ishte një risi. Deklarova se në gjykimin tim ky material duhej shqyrtuar, studiuar e analizuar, në radhë të parë nga Kryesia e Partisë dhe nga Asambleja dhe më pas të miratohej, nisur nga fakti që është një dokument i rëndësishëm për përgatitjen për zgjedhjet e ardhshme. Konstatova se duhej bërë një dallim i qartë mes asaj që kuptojmë me Vizion-Strategji-Taktikë. Shpjegova se në gjykimin tim Vizioni paraqet atë çka kërkon të jetë organizata, pasqyron ëndrrën e liderit apo drejtuesit; Strategjia, atë çka do bëhet për të realizuar Vizionin. 

Strategjia, është një apo më shumë plane për të realizuar Vizionin dhe Taktikat, që janë mënyra se si do të realizohen strategjinë dhe kur do realizohet një gjë e tillë. Ato pasqyrojnë veprime specifike, radhën e veprimeve/ aksioneve, afatin kohor për realizimin e Strategjisë. Në këtë kuptim thashë se do të duhet që në një moment Kryetari i Partisë dhe kryesia t’i ndanin veçmas të tria këto drejtime, pasi materiali i paraqitur prej Kryetarit ishte një përzierje e të triave. Deklarova se një strategji pa ushtri është nul. Se elektorati duhet të jetë në qendër të programit. Socialisti që ka luftuar e sakrifikuar gjatë tërë këtyre viteve të vështira dhe jo Lideri, ashtu siç paraqitej në prezantimin e Kryetarit, ku sipas tij në qendër të fushatës (për shkak të sistemit?!) vihet Lideri, pasi ai “ha gjithë baltën dhe vlerësimet”. Thashë se ne si forcë politike ndodhemi para sfidave të mëdha. Sfida të lidhura me fatet e vendit, jo thjesht me PS-në. Integrimi, përmirësimi i gjendjes ekonomike, sociale të vendit, kapërcimi i vështirësive të shkaktuara nga kriza, keqqeverisja, varfëria, papunësia, arsimi, siguria. PS-ja duhet t’u dalë zot këtyre sfidave. Këto sfida kërkojnë qasje tjetër. Një vizion të thellë të proceseve që ndodhin brenda e jashtë PS-së. Preokupimi kryesor është forcimi i Partisë Socialiste. Preokupim të veçantë kanë proceset brenda PS-së, pasi hapësira e ndikimit është më e drejtpërdrejtë, pasi ne jemi objekt e subjekt i këtyre proceseve. Shtrova nevojën e përpunimit të një qëndrimi realist ndaj problemeve, që duhet të jetë fryt i diskutimeve dhe shkëmbimit të gjerë të mendimeve, duke shmangur imponimin e zgjedhjeve të një personi, luhatjet në mendime, influencat e jashtë forumeve dhe mbylljen në rrethe të ngushta nga një herë dhe jo statutore. Kërkohet një tërheqje sa më e gjerë mendimi të forumeve që ta ndjejnë më mirë rolin e tyre dhe sidomos të opinionit të bazës. Përpunimi i një qëndrimi objektiv e largpamës. Perspektiva e ardhjes në pushtet kërkon një vizion të ri të gjërave të cilin duhet ta kapin njerëzit, pra të jetë i kuptueshëm e i prekshëm për elektoratin. Shtrova nevojën e një shkundjeje të vetë strukturave të PS-së, duke vënë theksin te hapësirat demokratike të saj, angazhimi i sa më shumë njerëzve dhe vlerësimi i militantizmit. Diskutova për çështjen e Aleancave, duke thënë se problemi i aleatëve është dhe çështje e evoluimit të vetë atyre, por vlerësimi i tyre duhet të jetë produkt diskutimi në PS mbi bazë të vlerave reale dhe jo vendimeve individuale. Nuk jam për deklarimet kategorike e apriori, por më shumë i analizës së objektivave tona politike dhe përputhshmërisë së faktorëve të tjerë që vërtetohet me rrjedhën e ngjarjeve. Problemi i elektoratit. Sa u përgjigjet sfidave të vendit, por sidomos interesave të elektoratit, ai boll është i zhgënjyer e i përdorur.

Elektorati duhet të ndjejë vetveten që të na vijë pas. Njerëzit, elektorati, simpatizantët nuk ndjekin egon e ambiciet individuale, ata u shkojnë pas ideve të ankoruara në një axhendë të qartë politike e ekonomike, objektivi kryesor i së cilës është përmirësimi i standardeve të jetesës së atyre njerëzve, që ky program synon t’i çlirojë nga kthetrat e varfërisë dhe mungesës së zhvillimit. Marrëdhëniet me faktorin e jashtëm. Parashikueshmëria. Nga mënyra se si sillemi sot ne reflektojmë atë çka do të jemi nesër në qeverisje. E për këtë faktori ndërkombëtar është shumë i ndjeshëm dhe na ndjek me vëmendje të madhe. Këto ishin çështjet që unë diskutova dje në Asamblenë Kombëtare. Sa u përket replikave me Kryetarin e Partisë, pata përshtypjen se Kryetari bëri një lapsus frojdian, pasi siç e shihni unë në diskutimin tim nuk përmenda kurrkund deputetët, por ai, i ndodhur para stresit të kuptueshëm paraelektoral dhe një ndjeshmërie që ekziston ndër strukturat e partisë në të gjitha nivelet për të përcaktuar në kohë vendin e gjithkujt në këtë betejë elektorale, u shpreh (sipas gjykimit tim) gabimisht, duke thënë se deputetët janë listë kooperative (pra pa ndonjë vlerë), por janë të tillë (deputetë) pasi Unë (Kryetari) i kam vënë në listë. Reagimi im ishte i menjëhershëm, duke deklaruar se së pari, unë diskutova në Asamble si anëtar i saj dhe jo si deputet; së dyti, nëse kishte ndonjë objeksion me diskutimin tim nuk kishte përse të përfshinte gjithë grupin e deputetëve, pra nuk duhej të viktimizonte dhe deputetët e tjerë; së treti, nëse ka çështje për të diskutuar me deputetët mund t’i ngrejë ato çështje në grupin parlamentar dhe së fundi, krahasimi nuk ishte i gjetur, se sipas kësaj, i binte që ai të ishte kryetari i kooperativës.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message
Enter below security code

Komentoni »

Galeria e Fotove

Log in | Dizenjuar nga GSC
View in: Mobile | Standard