Transferimet e lojtarëve, Barcelona sulmon City

Presidenti i Barcelonës Sandro Rosell sulmon Manchester City duke e akuzuar për përpjekje për destabilizimin e klubit. Ai krahasoi kampionin e Premierligës me Arsenalin, që në të kaluarën ka transferuar futbollistë nga akademia La Masia, duke u ofruar atyre shuma të mëdha parash. Por, kreu i klubit nga Nou Camp insiston se futbollistët kryesorë nuk do të largohen nga Barcelona. Për të përforcuar skuadrën, menaxheri Roberto Mancini besohet se është i interesuar për transferimin e mesfushorit të Barcelonës, Sergio Busquets,  ndërsa në të kaluarën si objektiv i kampionit të Premierligës është përmendur edhe Cesc Fabregas. Rosell kritikoi City, ku drejtor i përgjithshëm është ish zv.Presidenti i Barcelonës, Ferran Soriano. “Manchester City dëshiron të marrë futbollistët tanë dhe dëshiron të na destabilizojë. Kjo ndodhi edhe me Arsenalin, që u vu pas futbollistëve tanë të akademisë duke u ofruar shumë para. Tani po ndodh me Cityn. Ne jemi armiku që duhet mposhtur. Janë shumë njerëz që nuk ia duan të mirën Barcelonës dhe nuk duan që ne të fitojmë”, deklaroi Rosell për të përditshmen katalane El Mundo Deportivo.

Rosell shprehu besimin e tij se mesfushori spanjoll Busquets nuk do të joshet nga transferimi në Eastlands. “Ne duhet të jemi të qetë. Busquets është një tjetër shembull si Messi, Valdes, Xavi, Puyol dhe të tjerët. Ne kemi futbollistë të shkëlqyeshëm dhe kur është nevoja ata tregojnë se janë anëtarë të vërtetë të Barcelonës”, shtoi Rosell.

Ndërkohë, ai ka mohuar gjithashtu edhe ekzistencën e ofertave për yllin argjentinas, Lionel Messi. “Nëse cilido klub kërkon Messin, atëherë barriera është e lartë. Asnjë ofertë për blerjen e Messit nuk ka mbërritur në adresën tonë. Edhe vetë ai e ka bllokuar një gjë të tillë personalisht. Kurrë nuk kemi marr ndonjë ofertë nga një sheik i cili ka shprehur interesim për transferimin e Messit, futbollist që dëshiron të mbetet në Barcelonë”, përfundoi Rosell.

Manchester City ka publikuar një komunikatë duke mohuar interesimin ndaj Busquets dhe Fabregas. “Nuk ka bazë ndaj atyre njoftimeve dhe klubi nuk ka paraqitur dhe nuk planifikon të paraqesë oferta për këta lojtarë”, thuhet në komunikatën e Cityt.

 

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message
Enter below security code

Komentoni »

Galeria e Fotove

Log in | Dizenjuar nga GSC
View in: Mobile | Standard