Zgjedhjet, Berisha: E ndiej në ajër, votuesit të kënaqur me PD. Fushata ndër më të bukurat
Vitin e ardhshëm, Shqipëria do të ketë zgjedhjet dhe unë e ndjej në ajër se votuesit janë shumë të kënaqur me arritjet dhe ato që PD-ja ka bërë. Me këto fjalë iu drejtua kryeministri Sali Berisha Kongresit Statutor të Partisë Popullore Evropiane. Gjatë fjalës së tij, Berisha ka ftuar Presidentin e PPE për të vizituar Shqipërinë dhe për të hapur fushatën elektorale, e cila, sipas tij, “do të jetë një nga më të bukurat, një fushatë e qetë, një fushatë që do t’i bindë shqiptarët për program e ri të EPP-së, i mishëruara tërësisht në programin e Partisë Demokratike”.
Berisha tha se integrimi evropian është prioriteti më i madh për vendin, ndërkohë që u ndal në zhvillimet ekonomike. “Asnjë vend në Europë nuk ka pasur situatën e veçantë të vendit tim, i cili 20 vjet më parë renditej vendi i tretë më i varfër në botë. 20 vjet më parë, të ardhurat për frymë në Shqipëri ishin 204 dollarë në vit, papunësia pothuajse 80 përqind. Partia Demokratike, e cila fitoi zgjedhjet dhe pati fatin dhe privilegjin e madh të kishte mbështetje të jashtëzakonshme nga EPP dhe partitë europiane të qendrës së djathtë, me platformën e saj e solli Shqipërinë në një situatë krejtësisht të ndryshme. Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria ka pasur një quantum leap të vërtetë. Sot, Shqipëria i përket vendeve me të ardhura të mesme të larta, që do të thotë me të ardhura 9 mijë dollarë për frymë”, tha Berisha.
Duke u ndalur tek kryesimi i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës këtë 6 mujor nga Shqipëria, Berisha tha se “ne kemi zgjedhur si moto të Presidencës sonë “Të bashkuar në diversitet”. Ne kemi zgjedhur këtë moto, sepse në këtë aspekt, Shqipëria është një model i shkëlqyer i vendeve të bashkuar në diversitet. Ne jemi një vend me tre besime fetare, me respekt dhe tolerancë të shkëlqyer fetare, që nga shekujt”.
Berisha ka patur takime me liderë evropianë, si Presidenti i Komisionit Evropian Manuel Barroso, Presidenti i EPP Ëilfred Marttens, Kryetari i grupit të EPP-së në Parlamentin Evropian Joseph Doul, me Presidentin e Asamblesë Parlamentare Jean Claude Mignon etj, mbi zhvillimet e sfidat e sotme në Evropë, në kontekstin e efekteve të krizës ekonomike e financiare, si dhe mbi zhvillimet në Shqipëri dhe në rajon.
Kryeministri Berisha u takua dhe diskutoi edhe me Kancelaren e Republikës Federale Gjermane, znj. Angela Merkel. Kryeministri Berisha, pasi vlerësoi si një arritje të madhe për vendin propozimin e bërë nga Komisionit Evropian për statusin e vendit kandidat, e siguroi znj. Merkel për vendosmërinë e qeverisë së tij për të plotësuar në kohë kërkesat e fundit të Komisionit Evropian për dhënien e statusit, në dhjetor të këtij viti. Kryeministri nënvizoi shkurtimisht situatën ekonomike, përballimin me sukses të krizës botërore dhe sfidat që përballon Shqipëria për shkak të saj.
Kryeministri përfitoi nga rasti për ta ftuar personalisht Kancelaren Merkel për festimet e 100 vjetorit të pavarësisë. Kancelarja gjermane e falënderoi Kryeministrin Berisha për ftesën dhe u shpreh se do shqyrtonte me interes propozimin për statusin dhe ftesën për të vizituar Shqipërinë.
Fjala e Kryeministrit Berisha në Kongresin e Partisë Popullore Europiane
Së pari, dua t’ju falenderoj për këtë organizim të shkëlqyer. Zoti President, dua t’ju prezantoj rastin e Shqipërisë, në përpjekjet e saj në rrugën e progresit drejt Bashkimit Europian, i cili është prioriteti më madhor i vendi tim. Asnjë vend në Europë nuk ka pasur situatën e veçantë të vendit tim, i cili 20 vjet më parë renditej vendi i tretë më i varfër në botë. 20 vjet më parë, të ardhurat për frymë në Shqipëri ishin 204 dollarë në vit, papunësia pothuajse 80 përqind. Partia Demokratike, e cila fitoi zgjedhjet dhe pati fatin dhe privilegjin e madh të kishte mbështetje të jashtëzakonshme nga EPP dhe partitë europiane të qendrës së djathtë, me platformën e saj e solli Shqipërinë në një situatë krejtësisht të ndryshme. Gjatë kësaj periudhe, Shqipëria ka pasur një quantum leap të vërtetë. Sot, Shqipëria i përket vendeve me të ardhura të mesme të larta, që do të thotë me të ardhura 9 mijë dollarë për frymë.
Shqipëria, ende, nuk është vend i zhvilluar, por ia ka dalë të ketë disa nga treguesit bazë të vendeve të zhvilluara. Ajo ka tregues një shifror të vdekshmërisë foshnjore dhe amësore, ka nivelin më të ulët të vdekshmërisë ndër vendet ish komuniste, ka treguesit më të lartë të ndjekjes së shkollës së mesme e të lartë. Shqipëria, e cila kishte nivelin më të ulët të banesave për 1000 mijë banorë, tani, lë mbrapa 5 vende të OECD-së, anëtare edhe të Bashkimit Europian. Shqipëria, vendi më i kolektivizuar, tani renditet në vendet që 84 përqind e GDP-së vjen nga sektori privat.
Zoti President,
ne i qëndrojmë parimeve që besojmë dhe sot, ne kemi 10-të administratat më të vogla në botë, kemi sistemin me barrën më të ulët fiskale, sepse ne besojmë tek taksat e ulëta. Ndaj vendosëm taksën e sheshtë 10 përqind, kemi hequr TVSH-në për arsimin, për makineritë e importuara dhe për lëndët e para, çelikun dhe çimenton, për ndërtimin e hidrocentraleve. Vendi im renditet një vend vërtet tërheqës për investimet e huaja direkte, që në tre vjet u rritën 316 përqind.
Por, sërish, vendi përballet me vështirësi. Megjithëse ne kemi mbajtur një rritje ekonomike 4 herë më të lartë se rajoni, sërish një rrugë jo të shtruar kemi përpara. Unë ndaj të njëjtin mendim me ju, që motoja “Më shumë Europë” është vitale për vendet tona. Më shumë Europë, unë e shoh në dy aspekte. Së pari, ne po përballemi me probleme të mëdha përsa i përket probleme të Euros dhe krizës së eurozonës. Ne nuk jemi vend i eurozonës, por sistemi ynë bankar vjen tërësisht nga vendet e Zonës së Euros. Ndaj unë do të vlerësoja shumë një interes më të madh për të tamponuar pasojat e krizës së Euros në vendet tona. Së dyti, ashti siç Presidenti ngriti dje, Ballkani Perëndimor ka nevojë për më shumë Europë, sepse është fakt se gjatë 2-3 viteve të fundit, për shkak të disa çështjeve specifike për t’u zgjidhur, procesi është në vështirësi reale. Por, nëse shohim mbrapa, në fillimet e Bashkimit Europian, ne jemi një rajon me plagë të shumta dhe e vetmja rrugë për të shëruar plagët tona është të bëjmë realitet ëndrrat tona europiane. Në këtë kundër, boshllëku do të zëvendësohej nga nacionalizmi, i cili është vërtet kundërproduktiv. Disa bllokime kyçe atje janë për t’u zgjidhur. Bashkimi Europian ka potencialin e saj dhe unë shpresoj se është në interesin më të mirë të rajonit, që BE ta mbajë në fokus rajonin tonë.
Zoti President, në të gjitha arritjet tona, ne kemi qenë të bekuar, sepse kemi pasur mbështetjen tuaj, të nënkryetarëve të EPP-së, të vendeve mike, Këshillit të Europës dhe EPP-së në Këshillin e Europës. Unë u jam shumë mirënjohës të gjithëve ju!
Shqipëria ka Presidencën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës këtë 6 mujor. Ne kemi zgjedhur si moto të Presidencës sonë “Të bashkuar në diversitet”. Ne kemi zgjedhur këtë moto, sepse në këtë aspekt, Shqipëria është një model i shkëlqyer i vendeve të bashkuar në diversitet. Ne jemi një vend me tre besime fetare, me respekt dhe tolerancë të shkëlqyer fetare, që nga shekujt. Ashtu sikundër, gjatë Luftës së Dytë Botërore apo që nga viti 1933 i shekullit të kaluar, asnjë hebre nuk u dorëzua në territorin tonë dhe numri i tyre u rrit gjatë luftës, me 10 herë. Duke shfrytëzuar këtë trashëgimi, ne mendojmë se do të jemi të dobishëm në promovimin e dialogut ndërfetar e ndëretnik. Unë përshëndes përfaqësuesit e vendeve të Pranverës Arabe, këtu. Guximi i tyre ka admirim të jashtëzakonshëm. Unë ndjej keqardhje për qëndrimin e tanishëm të botës së lirë, ndaj popullit e kombit sirian, i cili po përballet masakër nuk po ndihmohet ashtu siç u ndihmua populli libian dhe vendet e tjera, të shpëtonin nga diktatorët e tyre.
Por për këto vende mike, unë dua të theksoj një gjë. Nëse shikojnë historinë e vendit tim, vlerat nuk janë vënë kurrë në diskutim, për shkak të besimit fetar. E kundërta është e vërtetë, besimi fetar i ushqen vlerat, me një kusht themelor: shteti duhet të mbetet laik. Sekreti i tolerancës dhe respektit tonë të jashtëzakonshëm për njëri-tjetrin është fakti se me çfarëdo regjimi që Shqipëria është përballur, ne ishim një shtet laik. Shpresoj se kjo do të jetë e shumë vlefshme.
Zoti President, vitin e ardhshëm, Shqipëria do të ketë zgjedhjet dhe unë e ndjej në ajër se votuesit janë shumë të kënaqur me arritjet dhe ato që PD-ja ka bërë. Unë ju ftoj të vini sërish në vendin tim dhe të hapni fushatën elektorale, e cila do të jetë një nga më të bukurat, një fushatë e qetë, një fushatë që do t’i bindë shqiptarët për program e ri të EPP-së, i mishëruara tërësisht në programin e Partisë Demokratike





