Shtyhet mbledhja e ERE: Ja pse kërkuam heqjen e licencës së CEZ
Enti Rregullator i Energjisë ka shtyre vendimin per heqjen e licences se kompanise CEZ ne daten 22 tetor, kjo për arsye të saktësimit dhe rakordimit të të dhënave me institucionet ndërkombëtare që do të çojnë në finalizimin e relacionit nga grupi i punës nisur me fillimin e procedurave për këtë. Ndërkaq, për herë të parë përfaqësuesit e ERE shpjegojnë arsyet pse kërkojnë filimin e procedurave për heqjen e licencës për kompaninë CEZ Shpërndarje.
“ERE si hap të parë, mori vendosjen e gjobave për kompaninë CEZ. Problematikë kryesore është mosimportimi i energjisë nga CEZ për mbulimin e humbjeve në sistemin e shpërndarjes, ç’ka e ka dhe detyrim ligjor, që nuk po e kryen. Kjo është arsyeja kryesore, sepse janë edhe shkelje të tjera, si moslikujdimi i kompanive në sektorin energjetik të KESH dhe OST-së, mungesa e investimeve”, tha Entela Çipa, anëtare e Bordit të ERE-s. Këto mungesa dhe mangësi, sipas saj, janë themelore dhe ERE po i rakordon dhe monitoron në terren.
Një tjetër përplasje mes kompanise ceke dhe ERE ka ndodhur, pasi ERE nuk ka miratuar kërkesën e CEZ-it për rishikimin e një garancie për marrjen e kredisë me vlerë 100 milionë nga CEZ. “ERE ka njohur interesin e kompanisë për të disbursuar vlerën 100 milionë euro nga BERZH-i. Por CEZ kërkoi në mes të lëvrimit të kësaj kredie, një garanci shtesë për të vijuar lëvrimin e kredisë, lënien peng të aseteve të shpërndarjes dhe këtë ka kundërshtuar ERE”, tha Çipa.





