Meta: Politika të përqëndrohet tek reformat, t’i japim Shqipërisë një status tjetër
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, apeloi për të gjitha forcat politike për përmbushjen e reformave të mbetura, në mënyrë që të gjitha vendet anëtare t’i thonë “po” Shqipërisë në dhjetor, kohë kur Këshilli i Evropës do të firmosë ose jo rekomandimin për marrjen e statusit kandidat të vendit tonë. “Ne jemi të bindur se duke qenë të bashkuar do të bëjmë më shumë Shqipërisë dhe për sfidat, sikurse është kjo e integrimit evropian, që i bashkoi të gjithë qytetarët shqiptarë pa dallim përkatësish partiake”, tha Meta na Berati, në një takim me strukturat e LSI-së në Berat.
“Jemi në një moment të rëndësishëm dhe mjaft pozitiv, pas rekomandimit pozitiv që Komisioni Europian ka bërë për Shqipërinë për t’i dhënë statusin si vend kandidat për në Bashkimin Europian, një sfidë për të cilën LSI është e angazhuar që në themelimin e saj, një sfidë për të cilën ekziston Lëvizja Socialiste për Integrim, një sfidë e cila do të meritojë gjithmonë angazhimin dhe përkushtimin tonë më të madh sepse është një sfidë me të cilën lidhet jo thjesht emri i kësaj force politike, por është një sfidë me të cilën lidhet e ardhmja e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ndaj nga qyteti i Beratit unë dua të apeloj për të gjitha forcat politike, sidomos për ato parlamentare, për t’iu përgjigjur edhe ne pozitivisht përmes vullnetit tonë politik në Parlament, këtij inkurajimi pozitiv që ka bërë Komisioni Europian në mënyrë që t’i votojmë ato tre çështje kaq të rëndësishme që i janë kërkuar Shqipërisë, në mënyrë që të gjitha vendet anëtare t’i thonë “po” Shqipërisë në dhjetor në mënyrë që të hapim një faqe të re në marrëdhëniet me Bashkimin Europian, por edhe me Europën, jo vetëm si institucion por edhe si koncept në mënyrë që t’i japim Shqipërisë një status tjetër, po t’i japim edhe qytetarëve shqiptarë një status tjetër më të avancuar dhe më të barabartë me atë të qytetarëve të Europës, ashtu sikurse dy vjet më parë u dhamë shqiptarëve mundësinë për të udhëtuar pa viza në të gjithë zonën Shengen në kontinentin tonë. Ne jemi të bindur se duke qenë të bashkuar do të bëjmë më shumë Shqipërisë dhe për sfidat sikurse është kjo e integrimit evropian që i bashkoi të gjithë qytetarët shqiptarë pa dallim përkatësish partiake”, tha Meta.
Kreu i Lsi tha se “LSI-ja do të vazhdojë të kontribuojë për një zhvillim sa më konstruktiv të jetës parlamentare, për miratimin e gjithë reformave që kërkon integrimi europian, por edhe zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik i vendit”.
Duke folur për gjendjen ekonomike ai u shpreh se duhet parë me realizëm gjendja ekonomike e vendit pasi i gjithë globi është në një gjendje të vështirë. Sipas tij, duhen reforma ekonomike dhe financiare në dobi të biznesit dhe zhvillimit.
Meta tha se kriza ka impakt edhe në Shqipëri, pasi, sipas tij, ritmet e rritjes ekonomike natyrisht që janë më të ulëta sesa duhet të ishin në kushte të tjera. “Megjithatë kjo situatë kërkon më shumë përgjegjshmëri, kërkon që dhe politika më shumë se sa te çështjet e vogla dhe pretekset për sherre të përqendrohet te reformat ekonomike, te reformat financiare, te përmirësimi i klimës së biznesit, te rritja e garancive për investitorët e huaj, në mënyrë që të rritet punësimi dhe të përmirësohet mirëqenia e familjeve të Beratit dhe të gjithë Shqipërisë. Këto janë angazhimet tona dhe do të vazhdojnë në të ardhmen ashtu sikurse ka edhe mangësi, sikurse ka edhe çështje të cilat ne do t’i ngremë më me forcë”, tha Meta.
Ndërkaq, Meta u shpreh i bindur se “LSI ecën drejt një suksesi të sigurt dhe të padiskutueshëm në vitin 2013 dhe suksesi është një garanci jo vetëm për anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së por për të gjithë qytetarët shqiptare se Shqipëria do të ketë një të ardhme edhe më të mirë dhe një qeverisje më të suksesshme”.
Gjatë takimit janë anëtarësuar në LSI 400 anëtarë.





