Kanceri i gjirit, 500 raste të reja në vit
Rastet me kancer të gjirit tek femrat po rriten me ritme të shpejta prej më shumë se dy dekadash, ndërkohë që mbetet ende shqetësues fakti që shumica e tyre diagnostikohen në faza të avancuara. Kanceri i gjirit është një nga kërcënuesit më të mëdhenj të shëndetit dhe cilësisë së jetës së gruas në Shqipëri, ndërkohë që zë rreth 1/4 e gjithë kancereve tek gratë. Çdo vit, në vendin tonë, rreth 500 gra diagnostikohen me ketë sëmundje te rrezikshme, duke përjetuar një dramë fizike dhe psikologjike, si për vete ashtu edhe për të afërmit e tyre.
“Kanceri i gjirit mbetet një sëmundje e rrezikshme por fatmirësisht mund të trajtohet dhe të evitohen pasojat në rast se diagnostikohet herët. Ndonëse femrat shqiptare janë duke u informuar rreth mundësive që ofron sistemi shëndetësor për diagnostikim të hershëm (sidomos lidhur me mamografinë) shumica dërrmuese e kancereve të gjirit në Shqipëri kapen ende në stade të avancuara. Ende mbi 75% e kancereve të gjirit kapen në fazen e katërt (të fundit) kur mundësitë për trajtim janë më të vogla dhe prognoza është më e keqe”, tha ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo në një konference për Kancerin e Gjirit të mbajtur nga Instituti i Shëndetit Publik.
Ndërkaq, Tavo tha se ka ende shumë për të bërë në ndërtimin e një sistemi kombëtar të depistimit të kancerit të gjirit dhe përveç investimeve në infrastrukturë, teknologji, kualifikim të personelit, etj. Por, sipas tij, është absolutisht i nevojshëm edhe ndërgjegjësimi i komunitetit për njohjen e problemit, si edhe kërkimin e këshillave dhe ekzaminimeve të nevojshme pranë shërbimeve shëndetësore.
Ministria e Shëndetësisë, duke konsideruar këtë sëmundje një prioritet, ka hartuar plane konkrete për vënien e saj nën kontroll. Vitin e kaluar është miratuar plani kombëtar i veprimit për kontrollin e kancereve dhe ka filluar vënia e tij në zbatim. Tashme është duke u investuar në mënyre të konsiderueshme në infrastrukturë dhe pajisje mjekësore si për trajtimin e kancereve ashtu edhe në diagnozën e tyre.
“Lidhur me kapjen e hershme te kancerit te gjirit vlen për t’u nënvizuar se kemi avancuar mjaft me pajisjen e shumë spitaleve rajonale me aparate mamografie”, tha Tavo. Gjithashtu janë kualifikuar jashtë vendit një numër specialistësh për depistimin, diagnozën dhe trajtimin. Ndërkohë, janë përgatitur udhëzuesit për qendrat shëndetësore lidhur me kapjen e hershme dhe këshillimin e grave mbi kancerin e gjirit.
Nga ana e Institutit të Shëndetit Publik pranë Qendrës Kombëtare të Edukimit në Vazhdim është akredituar një kurs për ekzaminimin klinik te gjirit dhe ka filluar aplikimi i kurseve në disa rrethe të vendit. Brenda një viti besojmë se do të kemi çdo qendër shëndetësore në Shqipëri te pajisur me minimalisht një mjek të trajnuar në ketë drejtim. Qendrat shëndetësore po pajisen edhe me materialet informative përkatëse që do ndihmojnë mjekët, infermieret, por edhe gratë. Modeli i ri që po promovojmë sot besojmë që do të rrisë në mënyrë të konsiderueshme lidhjen mes shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor dhe qendrave ku kryhet mamografia.
Shqipëria ka një traditë të mirë në shërbimet e organizuara të kujdesit për gruan. Ne synojmë t’i forcojmë ato dhe t’i reformojmë duke i pasuruar me shërbime të reja në përgjigje të sfidave të reja për shëndetin e gruas. Shërbimet e ekzaminimit klinik të gjirit janë një hap në ketë drejtim. Ato do të mbështeten edhe me politika te koordinuara me institutin e sigurimeve shëndetësore, në mënyrë që në indikatorët e performancës për mjekët e parësorit të përfshihen edhe ata për kapjen e hershme te kancerit te gjirit.
Për drejtoret e shëndetit publik mbetet si detyrë që të mbështesin më shumë shërbimet e reja të kapjes së hershme të kancerit të gjirit në kujdesin parësor me supervizim, sisteme informacioni, organizim, koordinim dhe trajnim.Gjithashtu, nënvizoj që, pavarësisht se nuk do të ndalemi së punuari për më shumë shërbime të parandalimit, Ministria e Shëndetësisë do të vijojë të mbështesë gratë e diagnostikuara me kancer të gjirit me shërbime të trajtimit si edhe me informacion të përshtatshëm për të përmirësuar më shumë cilësinë e jetës se tyre. Një kontribut ne ketë drejtim është edhe paketa informative që sapo është publikuar dhe që po bëhet e njohur sot.
Muaji tetor është një muaj ndërkombëtar dedikuar kancerit të gjirit. Në këtë muaj, specialistët bëjnë apel për më shumë ndërgjegjësim për kapjen e hershme të kancerit të gjirit.




