Ndryshime në Policinë e Shtetit, Burgaj firmos vendimet
Një tjetër valë ndryshimesh ka përfshirë drejtuesit në Policinë e Shtetit. Mësohet se rreth 80 % të drejtuesve të uniformave blu do të përfshihen nga ndryshimet, përfshirë këtu edhe policinë e Tiranës. Ndryshimet në strukturat policore u paralajmëruan disa javë më parë, por nga Policia e Shtetit u mohua. Fillimisht, Drejtori i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj firmosi ndryshimet në Drejtoritë e Policisë së Qarqeve, në rang drejtorësh dhe më pas ato u pasuan nga rreth 48 lëvizje të tjera në struktura.
Kështu Altin Qato, i cili ka drejtuar sektorin e antikrimit ekonomik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë është emërruar Drejtor i Policisë së Qarkut Berat. Shefi i Njësisë së Policisë Rrugore për autostradat Krenar Ahmeti ka lënë këtë detyrë për tu emëruar postin e zv.Shefit të Rendit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës. Gjithashtu Selman Tema emërohet Drejtor i policisë kufitare në Vlorë, ndërsa Erzen Breçani nga shef komisariati është emëruar zv.Drejtor i Policisë së Qarkut Tiranë. Ndërkohë ndryshimet kanë përfshirë edhe Drejtorinë e Policisë së Lezhës, e cila do të drejtohet nga Arben Hajdarmata.
Gazmend Hamitaj është komanduar në detyrën e Shefit të Komisariti nr 1 dhe Dritan Dorda në detyrën e Shefit të Komisariatit nr 2 në Tiranë. Gjelosh Prendi është emëruar në detyrën e zv/Drejtorit për Rendin dhe Sigurinë në Elbasan. Ndërkohë, Admir Abria është emëruar në detyrën e Drejtorit të Kufirit në Gjiroksastër, Ylber Zyberi është emëruar Drejtor i Kufirit në Korcë dhe Ferndiand Xheba si Drejtor i Kufirit Dibër .
Burimet shprehen se sërisht do të ketë ndryshime, ku disa nga drejtorët e policisë në qarqe do të lëvizin, edhe pse kanë disa muaj që janë emëruar në këto detyra. Pritet që ndryshimet të përfshijnë qarkun e Tiranës, Durrësit, Dibrës dhe Shkodrës, ku lëvizjet që do të kryhen, sipas burimeve do të jenë paralele.





