Mendimi im rreth taksës së sheshtë dhe taksës progresive..

Nga Ben Blushi

Polarizimi në të pasur dhe të varfër, polarizimi kulturor ka arsye të vjetra dhe të reja për shkak të keqqeverisjes në këta 20 vjet. Ne jemi të prirë të ndryshojmë mënyrën e qeverisjes duke rishpërndarë përmes taksave, buxhetit, akteve ligjore me karakter rregullator, të rishpërndajmë pasurinë. Kjo nuk do të thotë se do t’ua marrim paratë  të pasurve dhe do t’ua japim të varfërve, kjo nuk nënkupton këtë gjë, absolutisht. Ky është abuzim të cilin e kemi sqaruar. Taksa e sheshtë është provuar si një nga shkaktarët e këtij polarizimi. Unë e kam të pamundur të pranoj që një njeri që merr 5 milionë lekë në vit të kontribuojë njëlloj si një njeri që fiton 5 milionë euro në vit. Kjo është çështja sot në Shqipëri. Kjo është e papranueshme. Nëse ne po shkojmë në këto zgjedhje, nuk po shkojmë për t’u marrë paratë të pasurve dhe për t’ua dhënë të varfërve, por për të nxjerrë më shumë të varfër nga regjimi i taksave, sepse dikujt që sot i mbajnë 10% të pagës vjetore, faktikisht ne i kemi marrë rrogën e 12-të. Pra një rrogë mujore në vit këta njerëz e paguajnë si taksë, për atë që fiton shumë pak. Kjo është e padrejtë. E djathta ka arsye ta pranojë këtë. Ne po shkojmë për të lehtësuar barrën fiskale ndaj një kontingjenti të madh shqiptarësh që punojnë në privat apo shtet, sepse një rrogë mujore në vit e varfëron dhe krijon polarizim. Ne duhet ta kthejmë siç ka qenë deri në 2005-n, 2 apo 3%, ndërsa sot ka shkuar 10%. Kjo për buxhetin familjar është shumë, sepse me këtë të ardhur mund të përballosh shpenzimet e një studenti për 2-3 muaj. Pra me këtë kursim ndaj kësaj shtrese ne mund të rrisim cilësinë e jetesës. Kjo është teoria jonë. Nëse flasim për taksë progresive, kjo është taksa mbi fitimet për kompanitë e mëdha. Dhe ky është një trend i përgjithshëm europian. Kandidati për President i të majtëve në Francë ka propozuar taksë që shkon deri në 75%. Kjo për Shqipërinë është e palogjikshme sepse është një shoqëri në zhvillim e sipër dhe unë e konsideroj ekstrem t’i marrësh dikujt 75% të fitimit. Por kjo tregon se ky është një trend europian që po provohet çdo ditë e më i suksesshëm, se pse Europa është në krizë sot, është dhe për këtë shkak. Unë nuk hyj tek ata që për shkak të propagandës të them se nëse Europa do të qeverisej nga e majta në 10 vitet e fundit, ne nuk do të kishim krizë. Mund të kishim krizë në çdo rast. Por polarizimi i shoqërive, kreditimi i palimit, karakteristikë kjo për të djathtën, hidh para, investo çdo ditë e më shumë jashtë çdo kontrolli të shtetit dhe shoqërisë, kjo çoi në krizën që po vuajmë. Duam apo nuk duam ta besojmë, rikthimi apo rivlerësimi i së majtës në Europë po ndodh edhe për shkak të krizës. Shikoni, Franca është tipike, e majta po kthehet dhe pse propozon taksim deri në 75%, por kjo nuk i çudit francezët, sepse kandidati i majtë në Francë vazhdon të kryesojë sondazhet edhe për këtë fakt. Kjo ndodh sepse njerëzit janë të prirë për më shumë barazi, sepse kriza 4-vjeçare ka dëmtuar më shumë të varfrit, ndërsa shoqëria është polarizuar. Ka ardhur koha që ky debat edhe në Shqipëri të jetë jetik. Ky është debati drejt të cilit duhet t’i orientojmë zgjedhjet e ardhshme. Nëse ky debat ka sens, nëse ky debat bëhet në mënyrë konkrete, jam i bindur se shqiptarët do të kenë arsye më shumë që të votojnë. Ka më shumë arsye për të votuar kur dy gjëra janë të ndryshme, sepse kur dy gjëra ngjajnë, pse duhet të shkosh në zgjedhje?! Nëse unë dhe Henri jemi identikë, nuk zgjedhin asnjërin prej nesh, se nuk ka nevojë të zgjedhësh, sepse nëse nuk ndryshojmë siç duhet, të ndryshojë e majta nga e djathta, të jeni të bindur se shqiptarët do të kenë më shumë arsye në 2013-n të zgjedhin njërën nga të dyja, nuk e di se kë, por jam i bindur se do të kenë më shumë arsye të zgjedhin të majtën, jo pse unë jam pjesë e PS, por sepse Shqipëria meriton një drejtim më njerëzor. E majta e afron këtë gjë, më shumë drejtësi, më pak polarizim.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message
Enter below security code

Komentoni »

Galeria e Fotove

Log in | Dizenjuar nga GSC
View in: Mobile | Standard