Ish të përndjekurit shpresë tek Nishani dhe Totozani. Fillesa e një përplasje mes Presidentit dhe mazhorancës
Ish të përndjekurit politikë që prej 22 ditësh janë futur në grevë urie për të detyruar qeverinë për ti dhënë dëmshpërblimin për vitet e burgut shpresojnë në ndërhyrjen e Presidentit Bujar Nishani dhe Avokatit të Popullit Igli Totozani për zgjidhjen e problemit të tyre. Ndërkohë për 3 grevistë ka një rëndim të gjendjes shëndetësore dhe ato nuk pranojnë marrjen e ndihmës së nevojshme mjekësore.
Koordinatori i grevës Skënder Tufa i bëri sërish apel qeverisë të negociojë me ish të përndjekurit për plotësimin e kërkesave të tyre. Një përfaqësi e tyre u prit një ditë më parë në një takim nga Presidenti Bujar Nishani, pas ndërhyrjes së përfaqësuesve të Ambasadës së SHBA dhe Delegacionit të BE-së në Tiranë. Megjithëse publikisht Nishani e kishte konsideruar grevën e urisë si me prapavijë politike, duket se presioni ndërkombëtar detyroi Kreun e Shtetit të ulet në bisedime me ish të përndjekurit, duke u bërë i pari zyrtar që pranon nisjen e negociatave. Nishani mbajti të njëjtën linjë qëndrimi sikundër edhe Qeveria në lidhje me grevën e urisë së ish të përndjekurve, por vetëm pak orë më pas si rezultat i ndërhyrjes ndërkombëtare u detyrua të mirëpresë në Institucionin e Presidentit përfaqësinë e grevistëve të urisë. Grevistët e urisë u transportuan nga ambient ku qëndrojnë deri tek Institucioni i Presidencës me një automjet me targa diplomatike, të shoqëruar nga përfaqësues të Ambasadës së SHBA dhe Delegacionit të BE-së në Tiranë, c’ka tregon qartësisht mbështetjen që kërkesat e ish të përndjekurve kanë gjetur tek faktori ndërkombëtar.
Pavarësisht qëndrimit të mbajtur në këtë takim, fakti që Kreu i Shtetit pranoi edhe formalisht të takohej me përfaqësinë e grevistëve, tregon se ai edhe në raste të tjera, me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, mund të mbajë qëndrime të ndryshme nga ato të mazhorancës qeverisëse.
Kjo situatë mund ta cojë Kreun e Shtetit në një raport të ri në marrëdhëniet institucionale me Kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij, edhe pse në marrjen e mandatit Presidencial u shpreh se nuk ka ndërmend të tensionojë raportet me kreun e qeverisë.




