Berisha: Mandati që vjen, do të zhvillojmë fermat shqiptare. Statusin e meritojmë

Mandati që vjen do të jetë ai i vaditjes me pika në mbarë Shqipërinë, do të jetë mandati i rritjes dhe zhvillimit të fermave shqiptare. Kështu iu drejtua Kryeministri Sali Berisha të pranishmëve në panairin e agrobiznesit “Festa e të Vjelave”, në Peshkopi, i mbështetur nga Drejtoria Rajonale e Bujqësisë dhe Fondacioni Shqiptar për Zhvillimin e Kapaciteteve Lokale (ALCDF), që mbështetet nga Ambasada Holandeze. Berisha u takua me fermerë, përfaqësues të shoqatave të ndryshme dhe bizneseve të angazhuara në agrobiznes dhe u interesua për ecurinë e prodhimit të tyre, gjatë këtij viti. “Bujqësia zë një peshë të rëndësishme në aktivitetin ekonomik të Dibrës dhe ky panair është një prezantim i shkëlqyer që i bëhet prodhimeve bujqësore të qarkut të Dibrës, por njëherësh i shërben edhe rritjes së marketingut të prodhimeve tipike të këtij rajoni, i njohur veçanërisht për pemëtarinë”, tha Berisha. Kryeministri i garantoi ata se mbështetja për fermerët do të jetë në rritje. Në këtë kuadër, Kreu i Qeverisë theksoi se në rast se kemi investuar 370 milionë lekë,  nga të cilat kanë përfituar mbi 2 mijë fermerë, do të investojmë trefishin, gjatë viteve që vijnë. Në vijim, Berisha i cilësoi prodhimet e fermerëve dibranë si të klasit botëror dhe prodhimet më të shijshme që mund të shijojë njeriu jo vetëm në Shqipëri, por në Europë e në botë.

Duke u ndalur në propozimin e Komisionit Europian, i cili rekomandoi statusin e kandidatit për Shqipërinë, Berisha tha se kjo është rruga, me të cilën, njëlloj siç u hoqën vizat për ne, do të hiqen vizat për prodhimet tuaja. “Prodhimet e mrekullueshme të fermerëve të Dibrës do të “ecin” pa dogana në të gjitha kryeqytetet e Europës. Kjo rrugë nuk ishte një rrugë e lehtë, nuk ishte bulevard i shtruar. Në këtë rrugë, ju, qytetarët e Dibrës e të mbarë Shqipërisë, derdhët lumenj djerse për t’u shkëputur nga varfëria dhe mjerimi që trashëguam”, tha Berisha.

Sipas tij, kjo rrugë u bë e mundur, sepse ne vendosëm standarde europiane, rendin dhe sigurinë në Shqipëri. “Kjo u bë e mundur, sepse në një hark kohor të shkurtër, ne ndërtuam mbi dhjetëmijë kilometra rrugë, në të katër anët e vendit dhe u jap fjalën se rruga e Arbrit, rruga e dytë e kombit, do të ndërtohet në kohën më të shkurtër. Statusi u bë i mundur, sepse ne ia dolëm në një hark kohor të shkurtër t’i japim vendit një sistem arsimor që kurrë nuk e ka pasur më parë. Nga një sistem që degradohej nga viti në vit, sot 71 përqind e të gjitha shkollave të vendit janë të ndërtuara rishtazi ose të rindërtuara. Sot, në të gjitha shkollat e vendit ka internet. Sot, shqiptarët dhe Shqipëria kanë nisur një betejë për cilësinë dhe kanë ambicie të madhe për t’u shndërruar në Shqipërinë e dijes, Shqipërinë e dritës”, vijoi më tej Berisha.

Sipas tij, statusi u bë i mundur, sepse shqiptarët faktuan para mbarë Europës seriozitetin e qëndrimit të tyre. “Vetëm për vizat kemi plotësuar 120 kërkesa. Për të marrë statusin, ne kemi plotësuar me qindra kërkesa e i kemi zbatuar ato. Ju garantoj se do të bëjmë gjithçka që atë ta kemi realitet sa më shpejt.   Qeveria është e vendosur të bëjë çdo gjë për integrimin europian të Shqipërisë e shqiptarëve. Natyrisht, kur të tjerët lënë karriget bosh në parlament dhe nuk i përgjigjen detyrimit kushtetues, detyrimit të zgjedhësve të tyre për të votuar ligje që kërkohen për integrimin në Bashkimin Europian, Europa çuditet. Çfarë interesash kanë këta zotërinj, që nuk votojnë për interesin e qytetarëve të tyre!”, tha Berisha.

 

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message
Enter below security code

Komentoni »

Galeria e Fotove

Log in | Dizenjuar nga GSC
View in: Mobile | Standard