Sequi i dorëzon Ramës progres-raportin: Vijoni bashkëpunimin për reformat. Kreu i PS: Dhjetori stacion i rëndësishëm
Muaji dhjetor do të jetë stacioni më i rëndësishëm për Shqipërinë, pasi atëherë do të merret vendimi nga Bashkimi Europian për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Kështu deklaroi gjatë një conference të përbashkët për shtyp me Kryetarin e Delegacionit të Komisionit Europian për Shqipërinë, Ettore Sequi, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama. Sequi i dorëzoi Ramës progres-raportin e publikuar dje nga Komisioni Europian ku i sugjerohej BE dhënia e statusittë kushtëzuar për Shqipërinë.
“Ne presim prova të qarta për vullnetin politik të Qeverisë, nga njëra anë për të përmbyllur paketën e nëntorit të shkuar për reformën parlamentare dhe nga ana tjetër për t’i hapur rrugë asaj që në raport konsiderohet një fazë e ligjshmërisë që për ne kjo do të thotë zbatim i vendimit të gjykatave lidhur me qarkun e Fierit”, u shpreh Rama, duke shtuar se qarku i Fierit nuk është një kusht i opozitës, por një kërkesë legjitime e saj për një çështje me një simbolikë shumë të fortë.
Rama gjithashtu theksoi se opozita është tërësisht e angazhuar për të vijuar të japë kontributin e saj për përmbushjen e kritereve të kërkuara. “Ne jemi të angazhuar të veprojmë duke parë horizontin dhe perspektivën e Shqipërisë dhe jo llogaritë e politikës të ditës në raport me integrimin. Duke qënë se vlerësimi kryesor i jepet kontributit që lidhet me bashkëveprimin në parlament ne jemi të motivuar ta japin kontributin, por ajo që duhet të shikojmë është që të shohim vetëm realitetin”, theksoi kreu socialist.
Përsa i takon zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, Rama tha se cilësia e zgjedhjeve të 2013-ës do të jetë një pikë kyçe për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Ky është një moment i rëndësishëm për t’i thënë të gjithë atyre që kërkojnë zgjedhje të lira se procesi i integrimit është mbështetje për zgjedhje të lira dhe bashkërendimi me Komisionin Europian është një gur themeli shumë i rëndësishëm”, theksoi ai. Ndërkohë, kreu i PS ka shprehur një vlerësim të vecantë për Ambasadorin Sequi dhe Komisionin Europian për raport-progresin që e cilësoi si inkurajues për Shqipërinë. “Jam krenar sot për çka ne, PS, kemi arritur të bëjmë në këtë proces, përmirësimin e ligjeve me 3/5, zgjedhjen e Avokatit të Popullit, reformën zgjedhore dhe përfaqësimin në forumet e përbashkëta BE-Shqipëri. Jam krenar se të gjitha këto përbëjnë aspektin që lidhet me progresin dhe progresi i konstatuar prek atë fushë që ka të bëjë me kontributin e opozitës”, tha Rama.
Nga ana e tij, Ambasadori i KE-së në Tiranë Ettore Sequi vuri theksin në vazhdimin e bashkëpunimit mes palëve politike në interes të integrimit, ndërsa shtoi se çelja e negociatave do varet edhe nga cilësia e zgjedhjeve. “Ne kemi diskutuar përmbajtjen dhe rekomandimet dhe mënyrën për të ecur përpara. Shpreha vlerësimin e plotë për rolin e opozitës për ato që ne i kemi parë dhe i dëshmojmë sot. i shpreha Ramës falënderimet e Fule dhe Sannino për punën e bërë, rolin dhe meritat e plota që i përkasin opozitës në këto reforma që kemi parë deri më sot. Diskutuam për mekanizmin e çeljes së negociatave për anëtarësim pasi të jetë pranuar edhe rekomandimi për dhënien e statusit. Negociatat do të kenë të bëjnë edhe me natyrën e zgjedhjeve në vend”, tha Sequi.




