Lefteri Lleshi, kryetare e KQZ. Berisha: Ristani, krah meje në politikë

Kuvendi ne seance plenare
Lefteri Lleshi është zgjedhur kryetarja e re e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Kandidatura e Lleshit u votua sot në seancë plenare me 73 vota pro të mazhorancës, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Ndërkohë opozita nuk mori pjesë në votim.
Kuvendi miratoi gjithashtu dhe anëtarët e KQZ, sipas propozimit të partive politike. Në seancë u votua për Hysen Osmanaj, me 119 vota pro, dhe Vera Shtjefni, me 119 pro, 10 kundër, 3 abstenime; të dy të propozuar nga Partisa Demokratike. Ndërkohë, u votuan dhe propozimet e Partisë Socialiste, Albana Shtylla me 127 pro, 3 kunder, 2 abstenim, dhe Denar Biba me 129 pro dhe 2 kunder. Kuvendi miratoi gjithashtu dhe Ilirjan Muho me 98 pro, 20 kundër, 14 abstenim dhe Jano Jani me 127 pro, 4 kunder dhe 1 abstenim, kandidatura perkatesisht te LSI dhe PBDNJ.
Kush është kryetarja e re e KQZ-së?
Lefteri Lleshi ka përfunduar studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë. Ajo mban aktualisht postin e anëtarës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë. si dhe Drejtore në Shërbimin Juridik në Kuvend.
Gjatë viteve 1992-2000, Lleshi ka punuar si juriste në Drejtorinë Qendrore të Shërbimit Informativ Kombëtar dhe në vitet 2000-2006, përgjegjëse e Sektorit Juridik, në Agjencinë Kombëtare të Privatizimit. Lleshi zotëron dy gjyhë të huaja anglisht dhe italisht. Ajo ka marrë pjesë në një sërë kursesh dhe trajnimesh profesionale.
Berisha: Ristani, krah meje në betejat politike
Para votimit të kreut dhe anëtarëve të KQZ, kryeministri Sali Berisha, duke marrë fjalën, ka falënderuar ish-kryetarin e KQZ, Arben Ristani, për kontributin në drejtimin e këtij institucioni, por edhe që me civilitet përballoi tensionet, sipas tij, politike të pamerituara. Ndërkaq, Berisha akuzoi PS si shkaktare që nuk dha konsensus për moskandidimin e Ristanit, duke u shprehur se qe sot, do të qëndrojë krah tij në politikë.
“E falënderoj Arben Ristanin që me vendosmëri dhe civilitet përballoi vështirësitë e jashtëzakonshme të krijuara nga tensionet politike të pamerituara të adresuara ndaj tij. E garantoj që është nder dhe kënaqësi të vazhdoj bashkëpunimin me të. Ka pasur mirëkuptimin tim të plotë kur vendosi të mos kandidojë për KQZ, për faktin se ishte i pari kryetar në histori që zgjidhej me konsensusin e të gjitha forcave politike. Për arsye të caktuara, PSs i hoqi konsensusin dhe z Ristani deklaroi se nuk do ishte kandidat në KQZ. Po ja bëj këtë falanderim se po shkëputet nga një detyrë shtetërore dhe po largohet për shkakun e vetëm se ju prishët konsensusin për emërimin e tij. Faleminderit të katër zotërinjve që nuk i votojmë më në historinë e KQZ”, tha Berisha.
Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, Berisha tha; “Mos u bëni merak se në krah timin, në të gjitha betejat e ardhshme dhe vendime të rëndësishme do të jetë”.




