Kuvend, Berisha akuza PS: Mos coni shishe me benzinë tek ish të përndjekurit. Mocion për Fierin

Kryeministri Sali Berisha ne Kuvend
Greva e ish të përndjekurve politikë, situate në Qarkun e Fierit dhe marrja e statusit të vendit kandidat nga Shqipëria, ishin cështjet për të cilat Kryeministri Sali Berisha iu drejtua opozitës për të bashkëpunuar. Ndonëse akuzoi ligjvënësit socialist për grevën e ish të dënuarve politikë, Kryeministri i bëri apel atyre të nxjerrin grevistët nga ngujimi, sikundër i propozoi një mocion mosbesimi ndaj drejtuesve të Qarkut Fier për zgjidhjen e ngërcit të krijuar.
Greva e ish të përndjekurve
Kryeministri Sali Berisha ftoi sot nga podiumi i Kuvendit familjarët e ish të përndjekurve politikë që kanë 20 ditë në grevë urie t`i nxjerrin nga ngujimi, ndërsa garantoi zbatimin e ligjit për dëmshpërblimin financiar të tyre. Berisha nuk ka nguruar të akuzojë opozitë për manipulimin e ish të përndjekurve dhe grevën e tyre, sikundër edhe për futjen e shisheve me benzinë në grevë. Kryeministri kërkoi nga opozitë që të apelojë për nxjerrjen e tyre nga greva, ose të bëjë humanizëm duke u dhënë një pjesë të rrogës që marrin deputetet. “Ju që me deputetët tuaj dërgoni shishe benzine, merrni pjesë në vetëekzekutimin e tyre, po ju paralajmëroj, mos nisni shishe benzine. Jam këtu për tu bërë thirrje familjarëve të tyre të tërheqin njerëzit nga greva. Jam i vendosur t`i respektoj absolutisht. Kërkesat e tyre janë afishuar, kërkojnë me shumë të drejtë rrëzimin e armikut të tyre Sali Berisha dhe kanë mirëkuptimin e plotë për kërkesën, kërkojnë kthimin e ligjit të lustracionit, që një nga hijet që ju qëndron mbrapa nuk guxoi ta firmoste dhe e votuat kundër, kërkojnë disbursimin e shumës. Por ligji do të veprojë njëlloj për të gjithë dhe jashtë rradhe pse u mbështet Partia Socialiste nuk do të kaloni kurrë. Prisni po të doni të vijë në pushtet Partia Socialiste dhe keni për të marrë ato që morët. Ky është qëndrimi ynë, ndaj dhe ju që i futët në grevë i nxirrni nga greva ose jepuani çerekun e rrogës suaj dhe bëhuni humanitarë, unë se thyej ligjin dot”, u shpreh Berisha gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend duke komentuar në këtë mënyrë grevën e ish të përndjekurve politikë.
Statusi i vendit kandidat
Kreu i Qeverisë e cilësoi si një ngjarje historike vendimin e Komisionit Europian për t`i dhënë statusin e kandidatit Shqipërisë. “Vendimi i djeshëm ishte kurorëzimi i një suksesi në sigurinë e jetës së shqiptarëve e cila kërcënohej në mënyrë të tmerrshme nga 200 e ca banda që u shpartalluan. Ky vendim vjen si kurorëzim i suksesit të reformave dhe të shqiptarëve në zbatimin e tyre, me të cilat u ndërtua në këtë vend çdo ditë Europa që mungonte. Shpesh ka një konfondin të njerëzve mbi konceptin e Europës. Europa nuk është vetëm gjeografi, lashtësi apo trashëgimi, këto nuk mjaftojnë në Europën e sotme, por një tërësi vlerash që u ndërtuan pas luftës me një vizion gjenial të atyre që e themeluan dhe e shndërruan Europën në mrekullinë më të madhe ”, tha Berisha. Ai u shpreh se vendimi pozitiv i KE-së u bë i mundur falë investimeve dhe reformave të ndërmarra nga qeveria.
“Ky status u dha sepse ekonomia shqiptare në krizën më të rëndë të kohës bëri një qëndresë të madhe. Ajo jo vetëm nuk ra në recension, por në 4 vite bëri të mundur shtimin e investimeve të huaja”, theksoi Kryeministri.
Qarku i Fierit
Në fjalën e tij para deputetëve, Kryeministri u ndal edhe në situatën në Qarkun e Fierit, të cilin opozita e ka vënë si një kusht kryesor për votimin e ligjeve që kërkojnë 3/5 e votave për miratim në Kuvend, por që kanë mbetur pezull. Berisha i propozoi opozitës që të ndërmarrë mocion mosbesimi ndaj atyre që sot drejtojnë Qarkun e Fieirt dhe të pranojë rezultatin e mocionit. “Ju ftoj të votoni tre ligjet e mbetura pezull. U them shqiptarëve që këto ligje janë të treja në Kuvend dhe nuk janë votuar me qëllime bllokimi. Nëse ju do të bëheni seriozë me veten tuaj ka një parim themelor. Nëse nuk duam ti fusim shkopinj rrotës, që nesër të shkojë në mocion, nuk duhet të keni frikë nga mocioni të dalin të votëbesuar të gjithë ata që do drejtojnë qarkun”, tha Berisha





