Ish të përndjekurit, Majko-Topalli debate në Kuvend. Bregu: Dje ditë e lumtur. Reagon ish kryeministri
Kuvendi është përfshirë nga debatet në lidhje me grevën që po zhvillojnë ish të përndjekurit politikë, që prej 20 ditësh janë ngujuar në një mjedis në afërsi të rrugës ‘Irfan Topimi’. Ka qenë një reagim i ish-Kryeministrit socialist Pandeli Majko, që i ka kërkuar mazhorancës të ulet në bisedime me ish të përndjekurit që ka ndezur debatin mes tij dhe Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli. Kjo e fundit ka akuzuar PS-në që gjatë qeverisjes së saj nuk ka bërë asnjë gjë për shtresën e ish të përndjekurve, por nuk ka dhënë asnjë sinjal shprese që mazhoranca mund të ulet në bisedime për ti dhënë zgjidhje kërkesave të ish të dënuarve politikë nga regjimi diktatorial. Duke theksuar se greva e ish të përndjekurve nuk është politike, Majko kërkoi nga Qeveria të ulet në bisedime, ndërsa kujtoi se kjo shtresë e shoqërisë ka mbajtur mbi supe partinë që sot po qeveris vendin. Por deklarata e Majkos ka sjellë reagimin e Kryetares së Kuvendit, e cila kërkoi respektimin e Rregullores së Kuvendit, por u shoqërua edhe me një sërë akuzash ndaj opozitës. “Pse nuk i dhatë Ju asnjë mundësi, as lekë as bursë apo gje tjetër asaj shtrese? Të turpërohesh ti dhe shokët e tu, partia jote nënë i burgosi, i vrau, i internoi. Në fillim kërko falje pastaj fol. Kërko të falur për krimet”, u shpreh Topalli duke iu drejtuar Majkos dhe deputetëve të PS-së. Në përgjigje, ligjvënësi socialist kërkoi që Qeveria të mos cojë ministrin e Shëndetësisë të vizitojë ish të përndjekurit në spital, sa herë ato digjen, por të ulet dhe të negociojë. “Falja nuk është vetëm me të thënë. Kur kam qënë unë Kryeministër, nuk kam bërë shumë gjëra, por besoj që cdo qytetar i majtë dhe i djathtë e di në cfarë kushtesh kam qeverisur unë, atëherë vendi kishte luftën në kufi. Sot ju them uluni negocioni, mos coni ministrin e Shëndetësisë, kur i vënë flakën vetes”, tha Majko. Në vijim ai u shpreh se dje nuk ishte një ditë e lumtur, por e zymtë, pasi një tjetër ish i burgosur politik ndërmorri aktin e vetëflijimit. “Nuk mendoj se dje ishte një ditë e lumtur, por e zymtë. Para shkëlqimit të flakës së fishekzjarreve në qiell pamë shkëlqimin e flakës mbi trupin e të përndjekurit”, tha Majko.
Ndërkohë për ministren e Integrimit, Majlinda Bregu dita e djeshme ishte një e lumtur për të gjihë shqiptarët pasi Komisioni Europian propozoi që Shqipërisë ti jepej statusi i vendit kandidat. “Faleminderit opozitës. Ju sot jeni të barabartë në këtë sallë me deputetët e mazhorancës, por duhet impenjim deri në dhjetor. Votoni ligjin e Gjykatës së Lartë, Ligjin e Nënpunësit Civil dhe Reformën Parlamantare”, iu drejtua Bregu deputetëve të opozitës. Në vijim ajo ftoi kolegët e saj socialist që të kenë qetësi dhe të votojnë ligjet që kërkojnë 3/5 e votave. “Ju ftoj të vazhdoni të demonstroni vullnet për përmbushjen e 3 detyrimeve, që në 13 dhjetor të na jepet statusi. Të votojmë ligjet deri në nëntor”, tha Bregu.
Në një kohë që Kuvendi debatonte, ish të përndjekurit politikë të mbështetur edhe nga aktivistë të Aleancës KuqeZi zhvilluan protestën e rradhës përballë selisë së Parlamentit shqiptar. Ish të përndjekurit kërkuan largimin e qeverisë për shkak se ajo nuk përfaqëson më shqiptarët. Gjithashtu ato vunë theksin në mospolitizimin e grevës së urisë, duke e cilësuar atë thjesht me karakter ekonomik.





