Greva e ish të përndjekurve, LSI: Dialog, e pavend të trajtohet politikisht. PDIU: Indiferenca shtetërore e pajustifikueshme

Të gjendet gjuha e komunikimit, të gjendet gjuha e dialogut dhe e diskutimit me transparencë të të gjithë problematikës që kanë artikuluar apo që i ka shtyrë grevistët të zgjedhin rrugën ekstreme të protestës përmes grevës së urisë. Kështu është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, duke shprehur keqardhjen për situatën e krijuar në lidhje me grevën e urisë së shpallur prej disa të përndjekurve politikë.

“Është e rëndësishme në këtë moment, dhe mbi çdo gjë tjetër, jeta e të gjithë pjesëtarëve të grevës së urisë, në mënyrë të veçantë do të thotë që i uroj shërim  të shpejtë z. Gjergj Ndreca. Natyrisht që një gjë e tillë, një grevë urie apo çfarëdolloj proteste e këtij lloji, e organizuar prej cilitdo subjekt apo nga kushdoqoftë, ka nevojë për vëmendje, ka nevojë për dialog, për komunikim dhe për transparencë. Ndaj për të mos e lejuar që situata të rëndohet më tej është e udhës të gjendet gjuha e komunikimit, të gjendet gjuha e dialogut dhe e diskutimit me transparencë të të gjithë problematikës që kanë artikuluar apo që i ka shtyrë grevistët të zgjedhin rrugën ekstreme të protestës përmes grevës së urisë”, tha Rama.

Rama, në emër të LSI, ka kërkuar nga autoritetet përfaqësuese të qeverisë të gjejnë gjuhën e komunikimit dhe të dialogut për të shkuar tek një zgjidhje që të dominohet mbi të gjitha nga humanizimi. “Pavarësisht komenteve apo analizave të bëra është i pavend qëndrimi politik ndaj grevës së urisë, është e pavend të trajtohet politikisht ashtu sikundër nuk ka hapësirë dhe nuk është as njerëzore dhe as në të mirë të zgjidhjes së problemeve përpjekja për të instrumentalizuar apo për manipuluar politikisht grevën e urisë”, tha Rama. “Mbi të gjitha kemi të bëjmë me një çështje njerëzore dhe humanizmi duhet të dominojë logjikën dhe arsyetimin që të çojë në zgjidhjen e problemit. Për Lëvizjen Socialiste për Integrim qëndrimet refraktare, qëndrimet që i shmangen dialogut dhe transparencës janë të papranueshme prandaj dhe një herë apeloj që ka mundësi, ka shans dhe duhet bërë çdo përpjekje për të shkuar tek zgjidhja e çështjes përmes dialogut dhe transparencës”.

“Ndërkaq edhe një herë apeloj që duhet bërë çdo gjë, duhet investuar maksimalisht për të mbrojtur jetën e të gjithë grevistëve të urisë, duhet bërë maksimumi dhe duhet përdorur çdo mjet për të shpëtuar z. Ndreca por edhe për të shpëtuar të gjithë të tjerët të cilët e kanë lidhur jetën e tyre me sakrifica të cilat i kanë bërë në vite. Ndaj është e mira që të dominuar nga humanizmi të mos krijojmë terren për sakrifica të tjera. Dialogu dhe transparencë do të çojnë që palët të gjejnë zgjidhje në përputhje apo në plotëri me frymën që përmban ligji, në përputhje me zgjidhjen e çështjes apo problemeve të tyre ashtu siç janë kriteret ligjore”.

PDIU: Indiferenca shtetërore e pajustifikueshme

Ndërkaq, edhe Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet ka shprehur mbështetjen e saj për kërkesat legjitime të ish-të përndjekurve dhe kërkon që këto kërkesa mos të bëhen  pjesë e debateve politike të ditës, por të merren në konsideratë nga të gjithë si një detyrim moral që ne kemi ndaj plagëve të së kaluarës. “Indiferenca e autoriteteve shtetërore është e pajustifikueshme në kushtet e përshkallëzimit të protestës së ish-të përndjekurve, të gjendjes shëndetësore në të cilën gjenden grevistës dhe të aktit dramatik  të njërit prej tyre.  PDIU beson se ne kemi përgjegjësi të madhe që t’i japim një zgjidhje përfundimtare dhe të plotë problemit të ish-të përndjekurve dhe prandaj u bën thirrje të gjitha partive politike shqiptare të të gjitha krahëve që të heqin dorë nga pozicionet politike dhe retorika partiake, por të angazhohen në mënyrë të sinqertë për një zgjidhje të ndershme dhe të drejtë”, theksoi PDIU në një deklaratë për shtyp.

Më tej, PDIU thekson se “pavarësisht prej diskutimeve që e kanë shoqëruar këtë grevë dhe faktit që faktorë të ndryshëm politik shqiptarë janë përpjekur që të përfitojnë prej saj duke e instrumentalizuar atë për interesa meskinë, ne besojmë se kërkesat e tyre janë të drejta dhe se shteti dhe mbarë shoqëria shqiptare duhet të mbaj një qëndrim më të drejtë ndaj viktimave të komunizmit.  Shteti dhe shoqëria jonë ka një borxh të madh ndaj këtij segmenti të shoqërisë dhe do të kishte qenë shumë më dinjitoze që ne të kishim përmbushur të drejtat e tyre pa  patur nevojë ata që të ndërmerrnin kësilloj aktesh ekstreme.  Ashtu sikurse dënimin ndaj regjimit të kaluar duhet ta kishim bërë vetë pa pritur që Këshilli i Evropës të miratonte një Rezolutë nëpërmjet së cilës kërkoi dënimin e krimeve të komunizmit në shtetet e Evropës Lindore. Kanë kaluar shumë vite që Parlamenti Shqiptar e ka miratuar këtë rezolutë dhe ndërkohë shumë pak është bërë për ta vënë në jetë”.

PDIU ndërkaq mbështet propozimin për të mbajtur një seancë të jashtëzakonshme parlamentare për të diskutuar rreth cështjes së grevës së urisë së ish të përndjekurve dhe masave konkrete që mund të ndërmerren për të adresuar nevojat dhe kërkesës e njërës prej shtresave më të përvuajtura dhe persekutuara të shoqërisë sonë.  “Ne gjithashtu propozojmë që shoqëria jonë të mbaj një qëndrim të prerë dhe pa kompromis ndaj komunizmit dhe që shteti ynë të nis të zbatojë rezolutën e mësipërme dhe të japë mbështetje të mjaftueshme financiare për të vënë në funksion Institutin e Studimeve për Krimet e Komunizmit të krijuar dy vite më parë.  Po ashtu në këtë kuadër të merren nisma konkrete edhe për hapjen e dosjeve të komunizmit dhe për një ligj të ri lustracioni dinjitoz të mbështetur në standardet më të larta Evropiane dhe në përputhje me parimet dhe vlerat universale që mishërohen në kushtetutën tonë”, thuhet në deklaratën për shtyp të PDIU.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message
Enter below security code

Komentoni »

Galeria e Fotove

Log in | Dizenjuar nga GSC
View in: Mobile | Standard