Ministria e Mbrojtjes: PS gënjen, ja sa i shitëm municionet dhe artikujt ushtarak
Ministria e Mbrojtjes për të disatën ditë rradhazi ka reaguar në lidhje me akuzat që i janë bërë nga Partia Socialiste përsa i takon shitjes së municioneve dhe blerjen e pajisjece përgjuese nga ana e SHIU-t. Lorisa Ylli, Zëdhënëse e Ministrisë së Mbrojtjes, deklaroi se pavarësisht se e kapur në gafa të rënda dhe shkelje flagrante të ligjeve të shtetit shqiptar, Partia Socialiste vijon serialin e shpifjeve dhe sulmeve kundër Ministrisë së Mbrojtjes. Ajo paralajmëroi ndëshkimin ligjor për të gjithë ato që kanë shkelur ligjet përsa i takon nxjerrjes dhe publikimit të dokumenteve, që sipas Ministrisë së Mbrojtjes përbëjnë secret shtetëror. “Edi Rama deklaroi dje se nuk kanë prova për përgjimet e supozuara të SHIU, por se kanë të gjithë informacionin e nevojshëm dhe burime të besueshme. Kjo tregon se ajo që po bën Partia Socialiste është një fushatë e organizuar në mënyrë të qëllimshme për të nxirë imazhin e një institucioni që përfaqëson me nder dinjitetin kombëtar. Kjo është pra arsyeja se përse Partia Socialiste nuk e do komisionin hetimor parlamentar. Interesi i tyre është të shpifin e gënjejnë me shpresën se diçka do të mbetet!”, u shpreh Ylli në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes. Më poshtë po japim të plotë sqarimin e bërë nga Ministria e Mbrojtjes në lidhje me çmimet e shitjes së disa artikujve ushtarak.
Përsa i përket TNT:
Para vitit 2009, një ton TNT është shitur me çmime që variojnë nga 250 dollarë në 300 dollarë. Kjo për shkak të konjukturave të tregut të kohës. Që nga vitit 2009, kemi bërë përpjekjet maksimale për të rritur në mënyrë progresive këto çmime. Si rezultat i këtyre përpjekjeve, çmimi i TNT për ton nga viti 2009 deri në 2012, është 400 dollarë. Pra ka një rritje nga 100 deri 150 dollarë për ton. Sasitë e shitura kanë qenë të vogla në krahasim me stokun e madh që duhet të shesim. MDI, ndërmarrjes shtetërore të shtetit mik të Malit të Zi, i është shitur TNT me 400 dollarë për ton. Kjo për shkak të konjukturës së tregut.
Përsa i përket favorizimit të supozuar të kompanisë UNIMESKO, sqarojmë se ajo e ka blerë jo me 400 dollarë për ton, por me 509 dollarë për ton. Sasia e TNT-së që ka blerë UNIMESKO në vitin 2011, është 750 ton. Arkëtimi financiar i Ministrisë së Mbrojtjes është 381.900 dollarë. Zoti Braçe, mund ta bëjë vetë llogarinë dhe t’ia tregojë opinionit publik se ku qëndron favorizimi i UNIMESKO në këtë rast.
Përsa i përket shitjes së mortajave, ku dhe bëhet mashtrimi më i madh:
Së pari, MDI nuk ka marrë mortaja, 82mm dhe 120mm, siç pretendon zoti Braçe. Kështu që, favorizimi i supozuar nuk ekziston. MDI ka marrë mortaja 60mm, 100 copë, në vitin 2010. Çmimi bazë i përcaktuar i këtyre mortaja ka qenë 145 dollarë për copë. MEIKO ka arritur t’ia shesë me 180 dollarë për copë. Pra shteti shqiptar ka arkëtuar 35 dollarë për copë, mbi çmimin bazë të shitjes.
AR Global, e cituar nga zoti Braçe, ka blerë 24 mortaja 60mm një vit më vonë, kur çmimi i tyre bazë i përcaktuar nga komisioni ishte 180 dollarë, pra më i lartë se një vit më parë. Shitja për AR Global është bërë me 200 dollarë për copë, pra 20 dollarë mbi çmimin bazë të shitjes.
Ku qëndron favorizimi për MDI, kur është e qartë që kjo kompani i ka marrë me 35 dollarë mbi çmimin bazë të shitjes, ndërsa tjetra 20 dollarë mbi çmimin bazë të shitjes? Por edhe sikur të konsiderojmë logjikën manipulative të zotit Braçe, diferenca e vlerës për favorizimin e supozuar, është 2000 dollarë. Ku janë qindra milion dollarët e deklaruar nga zoti Braçe? Ky është një mashtrim i madh për të cilin ai duhet të përgjigjet publikisht!
Përsa i përket exogjenit:
Ministri i Mbrojtjes ka sqaruar se ky material ishte i destinuar për shkatërrim. Mirëpo, procesi i djegies së tij ishte shumë i vështirë dhe me kosto të lartë, deri tek rreziku për jetën e personelit. Për këtë arsye, Ministria e Mbrojtjes ka qenë e gatshme për ta hequr këtë material shumë të rrezikshëm, edhe me vlerë financiare zero. Përkundër kësaj ky material është shitur me një çmim simbolik duke shmangur kostot e mëdha të procesit të shkatërrimit të tij.




