Berisha: Opozita të votojë ligjet për statusin. Ramën e penguan trojet për të ndërtuar shkolla
Kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje sërish kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, të lejojë deputetët socialistë që të votojnë ligjet me 3/5 në Parlament dhe të mos bllokojë integrimin. “I bëj thirrje kreut të PS, Edi Rama të votojë ligjet me 3/5 në Parlament. Opozita duhet të votojë ligjet për statusin, të mos e përdorë votën e saj për bllokim. Rama nuk duhet të nxjerrë deputetët nga komisionet dhe të pengojë integrimin e vendit”, tha Berisha.
Kryeministri Berisha ka përuruar një tjetër shkollë, atë të mesme “Isuf Dalipi” në Komunën Mollas të Korçës, nga ku reagoi edhe lidhur me deklaratat e Rama për inaugurimet e shkollave. Berisha tha se të sulmosh arritjet nuk është meritë, ndërsa akuzoi kreun socialist se gjatë kohës që ishte në krye të Bashkisë së Tiranës ndërtoi vetëm 7 shkolla nga 17 që duhej të ndërtoheshin, në bazë të fondeve të dhëna. “Të sulmosh arritjet nuk është meritë. Ramës i dhamë 1.2 mld lekë për shkollat e Tiranës. Gjatë mandatit të Ramës në krye të bashkisë, qeveria i akordoi 1.2 mld lekë për 17 shkolla në Tiranë, ndërsa ai ndërtoi 7 nga 17 shkolla se nuk e lanë trojet”, tha Berisha.
“I them ish-kryetarit të bashkisë së Tiranës, se do të vazhdojmë të ndërtojmë shkolla. Shqipëria ka ndryshuar me shkolla dhe rrugë, ne çdo vit po ndërtojmë ëndrrën evropiane. Qeveria do të bëjë gjithçka që Shqipëria të arrijë nivelin e vendeve të zhvilluara. Sot qeveria ka vendosur në qendër të prioriteteve të saj, reformën në arsim. Shqiptarët janë një ndër kombet më të lashta, por kemi patur histori të vështirë. Ne do të ndërtojmë Evropën në vendin tone, por gjithçka kalon nga arsimi.Sot po kompletojmë shkollat me infrastrukture evropiane, tani vjen gara e cilësisë”, shtoi Berisha.
Berisha ne Panairin e Molleve
Berisha ka marrë pjesë gjithashtu dhe në “Panairin e mollëve”, një panair tradicional që organizohet ne kete fshat. Edhe gjate kesaj vizite, Berisha nuk ka shmangur deklaratat politike, duke i bërë thirrje kreut të PS Edi Rama të mos bllokoje ëndrrën europiane të shqiptarëve.
Ndersa i ka kujtuar Rames se ka tre vjet që po shkelmon me këmbë integrimin, e ka akuzuar se edhe në këtë moment vendimtar po kushtezon statusin me qarkun e Fierit. “Jemi në prag të një evenimenti të madh për Shqipërinë, jemi pranë ëndrrës evropiane. Ka tre vjet që kreu i PS, Edi Rama pengon procesin e integrimit, marrjen e statusit të BE. Kreu i PS për statusin e BE kërkon si shkëmbim qarkun e Fierit. I them Ramës të mos bllokojë, pasi zgjedhjet po afrojnë. Është mirë t`u japë alternative shqiptarëve dhe të mos bllokojë proceset integruese”, tha Berisha.
Nderkaq, Berisha ka garantuar fermerët se Qeveria në mandatin e ardhshëm do të bëjë gjithçka që prodhimet e tyre të shtohen. “Mandati i ri i qeverisë, do të jetë mandati i Shqipërisë rurale. Do të bëjmë gjithçka që të shfrytëzohet çdo pëllëmbë tokë për begatinë tuaj. Do të bëjmë gjithçka që Shqipëria të jetë në grupin e vendeve me të ardhura të larta”.





