Vetro Energy prezanton investimet: 220 mln euro në 5 vite
Konsorciumi amerikan “Vetro Energy”, që u shpall fitues për privatizimin e Albpetrol me ofertën prej 850 milionë euro, prezantoi sot planin e zhvillimit në 5 vitet e ardhshme në fushën e naftës shqiptare, sipas të cilit, parashikohen të investohen 220 milion euro. Nderkaq, drejtuesit e “Vetro Energy” premtuan edhe rritje të fuqisë punëtore. Gjatë një konference për shtyp, u bë e ditur se konsorciumi përbëhej nga kompania “Silkroad Equity”, me 49% të aksioneve, dhe “Ypo Holding”, me 51% të aksioneve.
“Do të punojmë shumë për të rritur potencialin e Albpetrol. ’Vetro Energy’ është e orientuar drejt zhvillimit, pa lënë mënjanë çështjet mjedisore. Ne jemi të orientuar drejt rritjes dhe zhvillimit. Ne do të përmirësojmë shkallën e operimit dhe do të trajtojmë çdo çështje mjedisore që mund të ekzistojë”, tha Mathew Roszak, drejtues i ‘Vetro energy’, me qendër në Singapor dhe Teksas, SHBA. Sipas tij, iniciativa e konsorciumit për të marrë pjesë në tenderin për blerjen e Albpetrol u nxit nga disa pika, sikurse anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe aspirimi për në Bashkimin Europian.
Ndërkaq, duke marrë fjalën perfaqesues i ‘Silkroad Equity’, Peter Huddelston, tha se “Shqipëria ka rezervat më të mëdha të naftës dhe gazit në Europë dhe ne jemi për rritjen e prodhimit të naftës në vend. konsorciumi synon të rrisë asetet e Shqipërisë në fushat e naftës dhe gazit, duke futur teknologji të reja. Huddelston tha se “do të eksplorojmë fusha të reja që ato të zhvillohen”.
Ndërkaq, sa i takon kompanisë “Ypo Holdings”, partneri kryesor në konsorcium me 51 % të aksioneve, Roszak prezantoi si president të saj pronarin e ARMO, Rezart Taçi, i cili prezantoi dhe ivestimet. “’Vetro Energy’, në programin e investimit në ‘Albpetrol’, ka planifikuar të investojë 220 milionë euro në 5 vjet, duke bërë të mundur që kërkesa e brendshme për karburante të plotësohet nga tregu vendas. Do të riaktivizojmë puset jo aktive dhe do të hapim puse të reja. Kompanitë do të mbyllin ciklin, duke prodhuar, rafinuar dhe shitur nënproduktet e naftës”, tha Taci. ”Grupi im do të ketë nxjerrjen dhe rafinimin e naftës dhe konsumatori shqiptar do të marrë prodhim shqiptar. Rafinimi në vend do të rrisë të ardhurat kombëtare dhe ekonomia do të përfitojë nga taksat. Ky prodhim do të sjellë reduktim të bilancit tregtar dhe do të rritet siguria dhe pavarësia e vendit”, tha Taçi.




