Debati i parë Obama-Romney, sot në Kolorado
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, dhe rivali i tij, Mitt Romney, do të përballen sonte në debatin e tyre të parë, në kuadër të fushatës zgjedhore. Pas fushatës individuale për disa muaj, dy zyrtarët do të takohen në Denver të Kolorados për një debat prej 90 minutash.
“Këto debate janë një mundësi për secilin prej nesh për të përshkruar rrugë përpara për Amerikën që ne do të zgjidhnim. Dhe amerikanët do të bëjnë zgjedhjen se çfarë lloj Amerike duan. Ne nuk mund të përballojmë më 4 vjet të tjera si 4 vitet e fundit”, tha Romney. Ndërkohë, presidenti Obama po kalon një ditë tjetër me këshilltarët e tij të fushatës në një vendpushim në Nevada, ku ai mbërriti të dielën për përgatitjet për debat.
Debati i sotëm në Universitetin e Denverit do t`i kushtohet çështjeve të brendshme si ekonomisë dhe kujdesit shëndetësor. Çështjet e politikës së jashtme do të mbulohen në debatet e dytë dhe të tretë, të planifikuar për në 16 tetor dhe 22 tetor.
Sipas sondazheve, Obama ndodhet në epërsi ndaj Romney, por analistët thonë se ish-guvernatori i Masaçusetsit mund të fillojë mbylljen e hendekut, nëse bën performancë të mirë sonte. Debati pritet të ndiqet nga rreth 50 milionë njerëz dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në televizionin kombëtar. Debati ndërmjet nënpresidentit Josef Biden dhe kandidatit të Romney për nënpresident, Paul Rajan, do të zhvillohet më 11 tetor.
Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara mbahen më 6 nëntor.



