QKL certifikohet me nivelin e cilësisë ISO 9001
Kryeministri Sali Berisha ishte i pranishëm sot në në ceremoninë e certifikimit të nivelit të cilësisë (ISO 9001) të Qendrës Kombëtare të Licencimit. Certifikimi është bërë nga kompania prestigjioze Lloyd’s Register Quality Assurance (LRQA), e njohur në fushën e menaxhimit të riskut, sigurisë, garantimit të cilësisë dhe klasifikimit.
Kjo kompani është krijuar në vitin 1760, me mbi 250 vjet eksperiencë pune. Ky grup përbëhet nga 101 kompani që operojnë në fusha të ndryshme dhe ka 278 zyra që ofrojnë shërbime në 245 qytete dhe 186 vende të botës.
Në fjalën e mbajtur, Kryeministri Berisha shprehu mbështetjen e Qeverisë për inkurajimin e biznesit si rruga e vetme për të ruajtur ritmet e rritjes ekonomike në vend. Berisha tha se Shqipëria do të mund të ruajë rritjen ekonomike vetëm duke përmirësuar klimën ndaj biznesit dhe tërheqjen e investitorëve të huaj. “Natyrisht pasojat e krizës janë pasqyruar dhe kanë ndikuar në ekonominë tonë, por për Shqipërinë është jetike ruajtja e ritmeve të rritjes ekonomike. Ne besojmë se rruga e vetme është mbështetjta dhe inkurajimi i biznesit. Ne besojmë se do mund të ruajmë rritjen ekonomike dhe do të qëndrojmë në krye të rajonit dhe më gjerë për tërheqjen e investimeve të huaja, dhe do të ndjekim projektet ambicioze vetëm duke përmirësuar klimën për biznesin, investimet dhe investiture”, u shpreh Kreu i Qeverisë. Ai theksoi se certifikimi është fillimi i një procesi ndërsa ka shprehur besim për që do të vijohet më tej me programe të reja cilësie. “Ky moment i sotëm për t`i akodruar certifikatë kësaj qendre është një arritje e madhe e cila do të ketë impakt pozitiv dhe frymëzues, së pari për punonjësit që shohin vlerësimin e merituar të punës por edhe një impakt në biznesin shqiptar dhe ndërkombëtar të cilët kanë në këtë qendër një partner dhe ndihmës të certifikuar”, tha Berisha.
Avantazhi i këtij fakti është se Shqipëria hyn në hartën e një prej kompanive më prestigjioze dhe ikonike në botë që vepron në fushën e standarteve dhe sigurimit të cilësisë, fakt ky i cili mund të luajë një rol të madh në garantimin dhe tërheqjen e investitorëve të ndryshëm që duan të investojnë në Shqipëri.
Certifikimi i nivelit të cilësisë (ISO 9001), erdhi si rezultat i përfundimit të procesit të auditimit mbi sistemin e menaxhimit dhe proceseve të punës në Qendrën Kombëtare të Licencimit, nga ana e kompanisë Lloyd’s Register Quality Assurance (LRQA).
Certifikata vërteton se sistemi i menaxhimit dhe proceset e punës të Qendrës Kombëtare të Licencimit, janë në përputhje me standartin kryesor ndërkombëtar të cilësisë. Ky certifikim konfirmon edhe njëherë nivelin dhe cilësinë e lartë të shërbimeve, korrektësinë dhe profesionalizmin e ofruar për subjektet që kërkojnë të licencohen dhe që kryejnë aktivitetin e tyre në Republikën e Shqipërisë.
Certifikimi i QKL-së është një tregues edhe i përparimit të vendit tonë në përqafimin e standardeve më të avancuara ndërkombëtare në fushën e cilësisë. Nga ana tjetër, ky certifikim është gjithashtu arritje për të gjithë komunitetin e biznesit, pasi dëshmon se QKL është në përpjekje të vazhdueshme për të përmirësuar cilësinë, transparencën dhe profesionalizmin e shërbimeve të saj për biznesin.
Ajo është një garanci më shumë për investitorët e huaj që tashmë kanë jo vetëm fjalën tonë mbi mundësitë dhe kushtet që ata do të gjejnë në Shqipëri, por edhe garancinë e një prej institucioneve më seriozë në botë.
Qendra Kombëtare e Licencimit, që prej fillimit të funksionimit në qershor 2009, ofron shërbimin me një ndalesë dhe procedura të shkurtuara, transparente dhe të shpejta, redukton barrierat administrative ndaj nismës së lirë, ul kostot për bizneset në procesin e licencimit dhe zvogëlon hapësirat për informalitet, duke përmirësuar ndjeshëm klimën ndaj biznesit në Shqipëri.




