KQZ, Ligjet nisin procesin për zgjedhjen e kryetarit. Nesër séance dëgjimore
Komisioni parlamentar i Ligjeve vendosi sot të nisë procedurat për zgjedhjen e Kryetarit të ri të KQZ-së, ndërsa është pranuar kërkesa e opozitës për seancat dëgjimore me kandidatët. Seancat dëgjimore do të nisin nesër në orën 9:00, ndërsa anëtarët e Komisionit do të kenë të drejtë të bëjnë vetëm një pyetje për cdo kandidat, për shkak të kohës së kufizuar.
Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, deputeti socialist Fatmir Xhafaj parashtroi kërkesën që kandidatët duhet ti nënshtrohen seancave dëgjimore, cka u pranua edhe nga deputetët e mazhorancës. Por kreu i komisionit Ilir Rusmajli kërkoi që kandidatëve për postin e Kryetarit të KQZ-së ti drejtohet vetëm një pyetje nga secili deputet, kjo për shkak të faktorit kohë. Ndërsa, deputeti i PD-së Fatos Hoxha tha se kjo kërkesë e opozitës është parashtruar fillimisht nga mazhoranca, por ka qenë vetë opozita që se pranoi. “Këtë që sot e kërkon Xhafaj, ne e kemi kërkuar për anëtarët, por opozita e rrëzoi. Ndaj duhet ta përgëzojmë që u kthye në qëndrimin tonë”, tha Hoxha.
Komisioni i Ligjeve i ka dhënë ‘ok’ 6 anëtarëve të KQZ-së, të cilët janë propozuar nga PD, PS që do të kenë nga dy anëtarë dhe LSI dhe PBDNJ që do të kenë nga një anëtar secili. Kuvendi ka përzgjedhur 18 kandidatë nga lista e personave që kanë shprehur dëshirën për të drejtuar KQZ, sikundër janë përcaktuar edhe kriteret që duhet të plotësohen nga fituesi.






