AK protestë para INSTAT: Censusi 2011 dështoi, qytetarët nuk iu përgjigjën Berishës
Aleanca KuqeZi protestoi sot përpara INSTAT në lidhje me mospublikimin e rezultatit të regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare të kryer gjatë 2011, i njohur ndryshe si Censusi. “Pritëm dje që Instati i Berishës të publikonte shifrat zyrtare të regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare duke qenë se dje u mbushën plot 365 ditë, pra një vit dhe sipas afatit ligjor INSTAT duhej të publikonte të dhënat e censusit. Kjo nuk ndodhi dhe kjo është prova më e qartë që “Censusi” i diktuar nga Athina zyrtare dështoi dhe që Sali Berisha është i marrë peng nga Athina zyrtare, e cila ka bllokuar shifrat e regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare sepse është e pa kënaqur nga 0.2% i minoritetit të saj në Shqipëri”, deklaroi Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun në Aleancën KuqeZi Rezar Balla.
Ai u shpreh se Censusi dështoi falë mbështetjes masive që populli i dha Aleancës KuqeZi në betejën e saj për të kundërshtuar një regjistrim të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare sipas direktivave të Athinës, e cila e kushtëzoi Kryeministrin e Shqipërisë dhe jo të shqiptarëve me rrugën drejtë Bashkimit Europian.
“Sali Berisha po fsheh shifrat zyrtare të Censusit. E kemi dëgjuar atë të flasë për shifrat e sektorit të ndërtimit, të bujqësisë, të papunësisë por kurrë ai nuk ka prezantuar asnjë detaj mbi shifrat e regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. Ky proces dështoi sepse 71% e popullsisë besoi Aleancën KuqeZi në betejën e saj të certifikuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, dështoi sepse Sali Berisha nuk ja doli që të rriste artificialisht minoritetin grek në Shqipëri”, tha Balla.




