Kthimi i pronave, AKKP me skemë të re procedimi. Rruga që duhet të ndjekin të shpronësuarit

Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të aplikojë një skemë të re për procedimin dhe me administrimin e kërkesave për të gjitha subjektet e shpronësuara. Sipas kësaj skeme, subjektet e shpronësuara mund të depozitojnë kërkesën, ankesën për njohje, kthim apo kompensim të pronës, si dhe dokumentacionin shoqërues të saj, në mënyrë të drejtpërdrejtë, në zyrat e AKKP-së. Cdo subjekt i shpronësuar vetëm pas plotësimit të të gjithë dokumentacionit të nevojshëm dhe dorëzimit të kërkesës, në mënyrë të drejtpërdrejtë, në sekretarinë e zyrave të AKKP-së, në qark apo në qendër, do të pajisen me vërtetimin përkatës, për numrin e protokollit të dosjes së regjistruar.
Sipas skemës së re, kërkesat e subjekteve të shpronësuara, të cilat administrohen nëpërmjet shërbimit postar dhe kanë mangësi në dokumentacionin tekniko-ligjor, shoqërues të saj, gjë e cila bën të pamundur vlerësimin e tyre, do t’i kthehen kërkuesit në adresën e dhënë, duke i sqaruar dhe kërkuar plotësimin e dokumentacionit. Kërkesa, së cilës i mungon adresa e saktë postare, vlerësohet jo e mirëqenë dhe riaktivizohet vetëm me interesimin e kërkuesit pranë zyrave të AKKP-së, në qendër apo qark.
Gjithashtu, këto zyra administrojnë dhe pranojnë kërkesat e subjekteve të shpronësuara, kundrejt tarifave të caktuara. Këto tarifa, sipas ekspertëve, përcaktohen me urdhër të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave. Subjekteve të shpronësuara u kthehen të gjitha pronat e paluajtshme në pronësi apo përdorim të Ministrisë së Mbrojtjes, por që janë jashtë strukturës së Forcave të Armatosura, të miratuara nga Presidenti i Republikës dhe tokat bujqësore të përfshira në veprimtaritë eksperimentale-shkencore të instituteve kërkimore-shkencore dhe në çdo veprimtari tjetër të institucioneve të ndryshme shtetërore, por që janë jashtë destinacionit të veprimtarisë së tyre.
Në rastet kur në pronën e marrë me qira është ndryshuar destinacioni i objekteve të ndërtuara, për të cilën është rënë dakord për t’i përdorur për veprimtari të stimuluara, toka quhet e pazënë dhe i kthehet subjektit të shpronësuar. Kur investimi është kryer mbi një tokë pronë publike, subjekti kontraktues i paguan shtetit brenda 6 muajve vlerën e truallit me çmimin e tregut. Të ardhurat e realizuara nga shitja përfshihen në fondin e kompensimit të pronave.

Zyrat e kësaj agjencie në varësi të objektit të kërkesës, plotësojnë dokumentacionin e nevojshëm për trajtimin e pronave të paluajtshme, që do të njihen, kthehen apo kompensohen, duke kërkuar dokumentet e nevojshme nga institucione të treta, për vërtetimin e gjendjes, juridike apo fizike, të pronës, si dhe konfirmimin e dokumentacionit tekniko-ligjor. Gjithashtu, ky dokumentacion, sipas rastit do të kërkohet nga njëra ose disa prej këtyre institucioneve: Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZRPP), për gjendjen juridike të pronës; njësitë e qeverisjes vendore, për pronat, që i shërbejnë një interesi publik dhe për të cilat bëhet propozimi për tjetërsim; Bashkia (Drejtoria e Përgjithshme e Urbanistikës), Komuna, Këshilli i Qarkut (Drejtoria e Urbanistikës apo Njësitë e Legalizimit, për konfirmimin e gjendjes së trojeve dhe të ndërtesave; Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës apo organet në varësi të saj, për pronat e përmbytura nga hidrocentralet dhe, nëse për këto prona ka pasur përfitim sipas legjislacionit për shpronësimet për interes publik; ministri/at dhe institucionet e tjera shtetërore; Agjencia e Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale; Enti Kombëtar i Banesave; Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Të gjitha kërkesat për njohje dhe kthim, të paraqitura pranë zyrave të AKKP-së, në qendër, shqyrtohen sipas rendit kronologjik të paraqitjes së tyre. Mënyra e trajtimit, shqyrtimit dhe e dhënies së vendimit për kërkesat apo ankesat e subjekteve të shpronësuara, bëhet në përputhje me nenet 15, 16, 17 e 18 të Ligjit nr.9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, me vendimin nr.566, datë 28.8.2006 “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”, si dhe me aktet e brendshme, të nxjerra nga drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së.
Subjektet e shpronësuara, sipas përcaktimit të nenit 3 të Ligjit nr.9235, datë 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, paraqesin pranë zyrave rajonale të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në qark kërkesën e argumentuar për njohjen, kthimin apo kompensimin e pronës, si dhe dokumentacionin e nevojshëm, me të cilin provojnë pretendimet e tyre. Kërkesa e argumentuar për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronës duhet të jetë sipas formularit tip, që miratohet nga drejtori i Përgjithshëm. Dokumentacioni shoqërues, që vërteton pronësinë e subjektit të shpronësuar, përbëhet nga: dokumentacioni ligjor, i cili përmban, sipas rastit: vërtetimin e pronësisë, të lëshuar nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, për efekt të kthimit dhe kompensimit të pronave; dokumentin kadastral (pranë Zyrave të Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, në Këshillin e Qarkut); vendimin gjyqësor të formës së prerë, së bashku me hartën e pasurisë, të vulosura me vulën e Gjykatës.

Subjekteve të shpronësuara u njihet e drejta e pronësisë dhe do t’u kthehen pa kufizim pronat e paluajtshme, me përjashtim të tokës bujqësore, e cila kthehet ose kompensohet deri në 100 ha, në rast se subjekti i shpronësuar (trashëgimtarët e tij) nuk ka përfituar nga zbatimi i Ligjit nr.7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”. Kur subjekti i shpronësuar (trashëgimtarët e tij) ka përfituar tokë nga zbatimi i Ligjit nr.7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, atëherë sipërfaqja që kthehet apo kompensohet, sipas këtij ligji, llogaritet si diferencë ndërmjet pjesës, që do t’i takonte në kushtet e mospërfitimit nga zbatimi i Ligjit nr.7501, datë 19.7.1991 “Për tokën”, me sipërfaqen, që secili prej tyre ka përfituar nga zbatimi i këtij ligji. Nga ana tjetër, do t’i njihet e drejta e pronësisë, duke iu kthyer subjekteve të shpronësuara, sipas kritereve të këtij ligji, edhe pasuritë e paluajtshme, toka me vendndodhje brenda territoreve turistike, sipas Ligjit nr.7665, datë 21.1.1993 “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin”, të ndryshuar.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message
Enter below security code

Komentoni »

Galeria e Fotove

Log in | Dizenjuar nga GSC
View in: Mobile | Standard