Zgjedhjet e 2013, AK koalicion me 12 parti: Kërkohet largimi i Berishës nga politika. S’publikohen emrat e subjekteve
Aleanca KuqeZi nisi sot procesin e krijimit të një koalicioni të mundshëm të përbërë me 12 parti , të cilat kanë shprehur vullnetin e plotë të bashkimit me AK. Në një takim të organizuar pa praninë e mediave, AK nuk ka bërë të ditur se cilat subjekte i bashkohen koalicionit të drejtuar prej saj. Përmes një njoftimi për mediat të Aleancës KuqeZi thuhet se “krerët e 12 partive pjesëmarrëse na takimin e parë me drejtuesit e AK kanë shprehur optimizmin për nisjen e këtij bashkëpunimi si nevojë e domosdoshme për sjelljen e ndryshimit në zgjedhjet e ardhshme parlamentare te vitit 2013”.
Kryetari i Aleancës KuqeZi, Kreshnik Spahiu, i shoqëruar nga Sekretari i Përgjithshëm Myslim Pashaj biseduan për disa orë me krerët e 12 partive të vogla të cilat kanë rënë dakord në këndvështrimin e unifikimit dhe bashkimit me Aleancen KuqeZi si e vetmja mundësi për të larguar nga pushteti i grabitur partinë-shtet.
Sipas njoftimit, partitë e pranishme në takimin me kryetarin e AK Kreshnik Spahiu kanë të kristalizuar në programin dhe ideologjinë e tyre kauzën kombëtare. “Për Aleancën KuqeZi janë pikërisht lëvizjet patriotike që do të fitojnë në zgjedhjet e vitit 2013. Gjatë diskutimeve të krerëve të 12 partive të bashkuara me AK, largimi i Berishës nga politika është kushti kryesor i bashkëpunimit”, thuhet në njoftim.
Në tryezë u diskutua edhe mënyra e festimit të 100 vjetorit të pavarësisë, ku 12 partitë shprehën mbështetje për projektin e kuqezinjve për një bashkim në kufirin Shqipëri-Shqipëri. Krerët e partive njoftuan një pjesëmarrje masive më 28 nëntor në Morinë ku dhe do të prezantohen themelet e koalicionit kuqezi.




