Rama-Meta, nis projektimi për koalicionin e ri pas zgjedhjeve të 2013

Edi Rama dhe Ilir Meta drejtues të dy partive të majta, një në opozitë dhe tjetra në qeverisje, takohen në Bruksel, në kuadër të punimeve të Kongresit të Partisë Socialiste Europiane. Pasditen e sotme pritet që dy politikanët shqiptarë, megjithë luajtjet në raportet e tyre, të zhvillojnë një takim në hotelin ‘Le Meridien’, takim i cili mund të konsiderohet mëse i zakonshëm, por koha në të cilën zhvillohet mund të përcaktojë edhe qeverisjen e vendit pas zgjedhjeve të përgjithshme të 2013.

Meta dhe Rama, dikur mbështetës të njëri-tjetrit, dhe më pas kundërshtarë politikë, kanë treguar se në moment të caktuara mund të lënë mënjanë qejfmbetjet, akuzat, kundërakuzat dhe të shfaqen si ‘aleatë’. Nga darka në Gjirin e Lalzit dhe deri në takimin e pritshëm të Brukselit, liderët e dy partive të majta janë takuar 3 herë mes tyre, megjithëse nuk kanë mundur të bien në një konsensus. Ata nuk arritën të bllokojnë zgjedhjen e një Presidenti vetëm nga PD, sikundër u gjendën të papërgatitur në momentin e ndryshimit të kreut të SHISH.

LSI, partia e drejtuar nga Ilir Meta do të vendosë për aleancat për zgjedhjet e ardhshme në Konventën Kombëtare të kësaj partie, e cila do të zhvillohet muajin e ardhshëm, ndërsa tanimë e vetmja siguri është që LSI do të jetë edhe për disa muaj në krah të PD-së. Në anën tjetër, nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, nuk ka nguruar të shigjetojë aleaten më të madhe në qeverisje, duke u shprehur qartë se PD i fiton zgjedhjet edhe pa LSI-në. Por deklaratat e Topallit duket se nuk janë marrë shumë seriozisht nga LSI, pasi nënkryetari i kësaj partie, Petrit Vasili, u shpreh se lideri i PD është Sali Berisha dhe marrëveshja mes dy partive është nënshkruar nga Berisha dhe Meta.

Në anën tjetër, ky i fundit duket se ka nisur manovrat politike, në njërën anë duke ri-vendosur raportet me Edi Ramën, i cili duhet të sqarojë dhe bindë bazën socialiste për prannimin e një koalicioni të ri me LSI-në. Në anën tjetër, Meta duket se ka vendosur nën presion partinë e drejtuar nga Sali Berisha, e cila gjatë mandatit të dytë qeverisës më shumë u kujdes për të ruajtur partneritetin në qeverisje me LSI, sesa ti përgjigjej elektoratit të saj.

Por cështjet emergjente që mund të ndikojnë drejtpërdrejtë në zhbërjen e një aleance dhe krijimin e një tjetre nuk janë të pakta. Në tryezën e politikës është emri i Prokurorit të Përgjithshëm, i cili do të dekretohet nga Presidenti Bujar Nishani, por duhet të votohet në Kuvend. Në këtë pikë, PS –LSI mund të bashkojnë qëndrimet politike dhe votat në Kuvend, kundër emërimit të prokurori të ri, që mund të ketë mbështejen vvetëm të Partisë Demokratike. Një tjetër cështje që sërisht mund të ofrojë LSI me PS dhe ta largojë nga PD është ajo e zgjedhjes së Kryetarit të ri të KQZ-së, por edhe qëndrimi që do të mbajë përfaqësuesi i LSI në KQZ, për cështje të caktuara zgjedhore.

Tashmë, kreu i LSI-së, Ilir Meta, me 4 mandatet që zotëron në Kuvend, ndonëse pa ndonjë vlerë në rast të një konsensusi PD-PS, po zhvillon lojën e rradhës në politikën shqiptare, edhe pse duket jo pak i kënaqur nga funksionimi i marrëveshjes së nënshkruar mes tij dhe Kryeministrit Berisha për qeverisjen e vendit.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message
Enter below security code

Komentoni »

Galeria e Fotove

Log in | Dizenjuar nga GSC
View in: Mobile | Standard