Projekti TAP, Shqipëri-Greqi-Itali nënshkruajnë në New York marrëveshjen për gazsjellësin

Shqipëria, Italia dhe Greqia nënshkruan në New Jork marrëveshjen për ndërtimin e gazsjellësit TAP, i cili nëse miratohet nga një konsorcium investitorësh, do të lidhë tre vendet, duke sjellë gazin nga fushat Azerbajxhanit për në Perëndim.

Marrëveshja për gazsjellësin Trans Adriatik u nënshkrua nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Edmond Panariti dhe homologët e tij, ministri i Jashtëm italian, Giulio Terzi dhe ai grek, Dimitris Avramopulos.  Në ceremoninë e nënshkrimit që u zhvillua në misionin e Italisë pranë Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, Ministrat e Jashtëm e quajtën projektin mjaft të rëndësishëm për ekonomitë e vendeve të tyre.

Për kreun e diplomacisë shqiptare, Edmond Panariti, kalimi i gazjellësit në Shqipëri mund të krijojë shumë vende pune. “Fakti që ky tubacion do të kalojë në territorin shqiptar nënkupton që do të zhvillohet një infrastrukturë mbështetëse e këtij tubacioni, gjë që do të thotë se firma të huaja do të angazhohen me investime për të zhvilluar infrastrukturën edhe shpërndarjen e gazit. E gjitha kjo nënkupton edhe hapjen e vendeve të reja të punës. Llogaritet se zhvillimi i këtij projekti do të krijojë 2 mijë vende të reja pune për Shqipërinë”, tha Panariti. Ai theksoi se se Gazsjellësi Trans Adriatik ka një numër avantazhesh në krahasim me projektin Nabucco Ëest. Në vijim, ministri i Jashtëm shqiptar u shpreh se projekti TAP ka avantazhe përsa i përket fizibilitetit ekonomik, atij financiar dhe karakteristikave teknike më të favorshme krahasuar me projektin paralel Nabuko Ëest. “Shpresoj që në fund të dhjetorit apo në fillim të vitit tjetër, konsorciumi do të përzgjedhë projektin TAP si projekt fitues”, tha Panariti. Sipas tij, zv.Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për diplomacinë energjitike, Amos Hochstein, luajti një rol me rëndësi në arritjen e memorandumit të mirëkuptimit mes tre shteteve.

Ministri i Jashtëm italian Giulio Terzi tha se projekti ka rëndësi në pikëpamje të sigurisë energjitike. “Për vendin tim, kjo është pjesë e një tablloje më të gjerë të sigurimit energjitik. Gjithashtu, nga pikëpamja e zhvillimit infrastrukturor është me rëndësi sepse do të lejojë kalimin e gazit përmes Adriatikut drejt bregdetit italian, duke krijuar përfitime për Shqipërinë, Greqinë dhe vendet ku do të kalojë gazsjellësi”, u shpreh Terzi.

Ministri i Jashtëm grek, Dimitris Avramopulos e shikon projektin me shumë leverdi për lehtësimin e vështirësive ekonomike në vendin e tij. “Ky projekt ka shumë rëndësi në këto kohë të vështira ekonomike për të krijuar vende pune dhe nxitur zhvillimin. Veç kësaj, ai çon përpara dhe lehtëson bashkëpunimin mes tre vendeve. Do të kemi edhe bisedime dhe diskutime të tjera në mënyrë që të arrijmë në nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare”, u shpreh ai.

Dokumenti i nënshkruar mes tre ministrave është një memorandum mirëkuptimi, i cili shënon hapin e parë në nivel politik, që do të pasohej nga analizat teknike për krijimin e kornizës së infrastrukturës së re.  Gazsjellësi Trans Adriatik është njëri ndër disa projektet konkurruese për sjelljen e gazit nga fusha Shah Deniz e Azerbajxhanit drejt Evropës, gjë që synon të ulë varësinë nga furnizuesit e tanishëm, duke përfshirë Rusinë. Me nënshkrimin e memorandumit tre vendet i japin mbështetje të plotë politike projektit dhe kjo shton mundësitë që ai të dalë fitues.

pixelstats trackingpixel
Dergoja nje shoku
Friend Email
Enter your message

Leave a Reply

Log in | Designed by GSC