Shqipëria, shumë pranë marrjes së statusit të vendit kandidat
Shqipëria mund të jetë vendi tjetër në Ballkanin Perëndimor që mund të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Agjensia italiane e lajmeve ‘Ansa’ ka publikuar pjesë nga një raport që pritet të publikohet në 10 tetor, në kuadër të politikave zgjeruese të bashkimit Europian.
Sipas raportit, dialogu mes qeverisë dhe opozitës shqiptare bëri të mundur kapërcimin e krizës dhe coi në miratimin e reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare. Në raportin e publikuar thuhet se Tirana zyrtare ka bërë një përparim të konsiderueshëm në lidhje me prioritet kyçe të përcaktuara nga Komisioni Evropian për të marrë statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.
Pas tre viteve të dështuara për t’u bërë zyrtarisht vend kandidat për anëtarësim në BE, Shqipëria duket se do të kalojë provimin e Brukselit më 10 tetor, ku Komisioni Europian do të japë një mendim pozitiv. Nëse ndodh kjo, atëherë vendimi do të shkojë në tryezën e Këshillit të BE në dhjetor, ku shtetet anëtare marrin vendimin.
Shqipëria mund të bëhet kështu vendi i pestë i Ballkanit Perëndimor, kandidat për të hyrë në BE, pas Kroacisë që do të anëtarësohet në 2013-ën, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Këtyre vendeve u shtohen edhe vende të tjera kandidate, si Turqia dhe Islanda, ndërsa Bosnje Hercegovina dhe Kosova janë ende në pritje.





