Bayern i uritur
Holandezi i Bayern Munich, Arjen Robben, shprehet se starti i furishëm i skuadrës këtë sezon ka shtuar urinë e tyre për të fituar titullin në Bundesligë.
Gjiganti bavarez fitoi 2-0 në transfertë ndaj Schalke 04 të shtunën duke vazhduar bilancin pozitiv pas katër javëve të para në Bundesligë. Në mbarim të dy sezoneve dëshpëruese gjatë së cilave Borussia Dortmund fitoi tituj të njëpasnjëshëm, Robben ka theksuar se Bayerni është i gatshëm të rikthehet në krye.
“Ne jemi në formë të shkëlqyeshme, organizimi është në rregull dhe po krijojmë shumë raste për shënim”, deklaroi holandezi, teksa shton se “ekipi dëshiron të arrijë diçka të rëndësishme. Nuk kemi fituar titullin për dy vite dhe nuk është ndjenjë e mirë”.
Ai konfirmoi se Bundesliga është objektivi kryesor i Bayernit. “Titulli ka qenë gjithnjë objektivi ynë kryesor. Kjo nuk do të ndryshojë. Por, vetëm pse aktualisht jemi pesë pikë para Dortmundit nuk do të thotë se automatikisht e kemi fituar”, përfundoi ai.





