Luan Rama: Të shkundim partinë nga konformizmi. Ka drejtorë që s’dinë selinë e LSI
Kandidati për postin e Kryetarit të LSI-së, Luan Rama, kërkoi sot shkundjen e kësaj partie nga konformizmi dhe kthimin e LSI në modelin e debatit dhe kritikës. Rama zhvilloi një takim me strukturat e LRI-së, ku ka apeluar që LSI të mos jetë parti e tabuve apo forcë ku hezitohet të kritikohen drejtuesit. Duke iu drejtuar të pranishmëve, Rama tha se LRI-ja na dha shembullin e një gare qytetare, të një gare të hapur, të një gare pa paragjykime dhe LSI-ja duhet të bëjë të njëjtën gjë. “Jam në këtë garë sepse gara ime, prania ime në këtë garë, nuk është sfidë personale, nuk është sfidë për askënd, por është sfidë për vetë të ardhmen e Lëvizjes Socialiste për Integrim, të kësaj force që është promotore e zhvillimeve që dominohen nga interesat e vendit por që ka brenda vetes padyshim pjesën më të bukur, pjesën më vitale, pjesën më dinamike, pjesën më të hapur siç është Lëvizja Rinore për Integrim. Prandaj sot, në këtë takim të parin, unë ju ftoj, juve dhe të gjithë të rinjtë e LSI-së, pra të gjithë LRI-në, të bëhen pjesë e kësaj gare, të bëhen pjesë e këtij debati, të bëhen pjesë e këtij diskutimi në mënyrë aktive, në mënyrë të veçantë duke evidentuar mangësitë, duke kritikuar, duke bërë vërejtje”, tha rivali i Ilir Metës për postin e kreut të LSI-së.
Më tej, Rama duke bërë thirrje për shkundjen e LSI-së nga konformizmi, theksoi se konformizmi nuk mund të bashkëjetojë me LSI-në dhe LRI-ja duhet ta bëjë këtë gjë siç e bëri brenda radhëve të veta edhe brenda radhëve të LSI-së. “Konformizmi për të mos prishur qejf me kryetarin, me drejtorin, me X-n apo Y-n, duhet të marrë fund në radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim. LSI-ja ka lindur si model i antikonformizmit, LSI-ja ka lindur si reaksion ndaj dukurive negative apo ndaj tkurrjes dhe dhunimit të hapësirave të demokracisë në një realitet të caktuar demokratik, në kohën kur lindi LSI-ja. Pra, LSI-ja lindi si antitabu, lindi duke shkelur mbi tabu. Le ta kthejmë në moto tonën luftën kundër konformizmit, luftën kundër atij që mbyll sytë dhe hesht kur sheh një fenomen apo dukuri negative sepse duke mbyllur sytë dhe duke heshtur sot ai fenomen negativ bëhet më i dëmshëm, kthehet në një epidemi dhe pastaj do ta kemi më të vështirë ta kurojmë”, vijoi më tej Rama.
Duke u ndalur në zgjedhjet parlamentare të 2013, Rama tha se “jemi përpara zgjedhjeve dhe zgjedhjet e 2013-s që të jenë të suksesshme për LSI-në, që LSI-ja të fitojë në këto zgjedhje duhet medoemos të ridimensionojë peshën e vet, rolin e vet , aktivitetin e vet, angazhimin e vet, përgjegjshmërinë e vet”. “Të gjithë e kemi dëgjuar moton shumë qytetare, të artikuluar nga ambasadori amerikan, “Vepro tani”. Fusha jonë e veprimit është kjo prandaj ejani të veprojmë tani. Të veprojmë tani për të ndihmuar me vrullin, me energjinë, me vizionin, me kurajën, me mungesën e paragjykimit që keni ju edhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ejani të veprojmë tani. Të gjejmë cila është më e mira e mundshme që duhet ta zgjedhim, që duhet ta mbështesim, që duhet ta rrisim, sepse vetëm kështu Lëvizja Socialiste për Integrim do të bëjë të mundur të fitojë në zgjedhjet e ardhshme politike”, tha ai.
Në këtë kuadër, ai apeloi që askush të mos ketë frikë apo të hezitojë për të kritikuar kryetarin, Sekretarin e Përgjithshëm, ministrin apo drejtorin kur ajo çfarë ne presim të bëjnë ata, është shumë më tepër nga ajo që bëjnë në të vërtetë. “Ju në mënyrë të veçantë, në tërësinë e të rinjve, LRI-ja ka komoditetin, ka luksin të jetë e çliruar nga kjo trysni dhe nga ky presion interesash që nuk kanë të bëjnë me atë që është thelbi i asaj që na bën të jemi bashkë dhe që janë interesat e integrimit evropian të vendit. Integrimi nuk është një proces virtual. Integrimi nuk është një fjalë e hedhur në eter dhe e përdorur në slogane politike. Integrimi është proces, pjesëmarrje e njerëzve, e të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe në këtë proces, roli dhe misioni i LSI-së, pra edhe i LRI-së është që të jetë në pararojë, që të jetë në avantguardën e këtij procesi, siç kemi bërë dhe siç kemi ndikuar edhe në qeverisjen e vendit për t’i përshpejtuar ritmet e integrimit, këtë gjë duhet ta bëjmë tani, në këtë moment me një synim shumë më kurajoz dhe shumë më pretencioz gjithashtu”, tha Rama.
Kritik, kandidati për kryetar të LSI u shpreh edhe për zyrtarët që përfaqësojnë këtë forcë politike në qeverisjen e vendit. “Ka drejtorë, përfaqësues të LSI-së në pushtet, që nuk e kanë parë derën e LSI-së që nga koha kur janë emëruar drejtorë. Ka dhe të atillë, që për fat të keq, nuk përmbushin as detyrimet ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kanë zgjedhur me vullnetin e tyre të jenë anëtarë të partisë, por ka dhe anëtarë kryesie të LSI-së që nuk bëjnë aktin më formal, të respektit formal ndaj statutit të partisë. Nuk paguajnë kuotizacionin e të qenit anëtar të LSI. Atëherë, çfarë duhet të bëjmë? Duhet të vazhdojmë të heshtim sikurse kemi heshtur deri më sot? Duhet të vazhdojmë të bashkëjetojmë me këtë lloj gjendjeje amorfe? Solla një detaj që është formal por është i rëndësishëm, sepse kemi zgjedhur me vullnet të lirë të jemi anëtar të LSI-së, por këtë zgjedhje në duhet ta respektojmë, duke respektuar LSI-në, duke përmbushur detyrimet ndaj saj”, tha Rama. Në vijim, kandidati për postin e kreut të LSI shtoi “si mund të besoj unë dhe të gjithë ju që një drejtues, anëtar i kryesisë së LSI-së do të mund të angazhohet të prodhojë vota për LSI-në kur nuk ka guximin dhe kurajën të dalë përpara njerëzve? Apo nuk ndjen detyrimin formal të përmbushë detyrimet ndaj LSI? Prandaj me moton ‘Vepro Tani’ ejani të veprojmë së bashku, të vëmë pikën mbi I, të vëmë gishtin ndaj cilitdo që stonon me ritmin, me angazhimin, me energjinë, me përkushtimin, me dinamizmin dhe me solidaritetin tuaj. Këto që flas natyrisht ne do t’i diskutojmë në një proces që do të vazhdojë. Ndaj unë ju ftoj të jeni pjesë e kësaj fushate të rëndësishme”.



