La Liga, Real Madrid rikthehet tek fitorja
Karim Benzema dhe Cristiano Ronaldo me golat e tyre, i kanë dhënë fitoren Real Madrid në transfertë ndaj Rayo Vallecano me rezultatin 2-0. Ndeshja e shtyrë nga mbrëmja e së dielës për shkak të një defekti elektrik është luajtur në stadiumin Vallecas, ndërsa Los Blancos kaluan në avantazh qysh në minutën e 13 me anë të francezit Benzema.
Rayo kishte humbur tetë përballjet e fundit ndaj Real Madrid, ndërsa fitorja e fundit e Vallecanos ndaj Los Blancos është shënuar 15 vite më parë. rasti më i mirë për të barazuar ndeshjen e kishte malazesi Delibasic, i cili nuk shfrytëzoi sic duhet një gafë të mbrojtësit të Real Madrid, Arbeloa, kur ktheu një top pas në mënyrë të rrezikshme. Megjithëse një përballje e lehtë në letër, Los Blancos sërisht nxorën në pah problemet në mbrojtje dhe mesfushë.
Goli i sigurisë për madrilenët, të cilëve iu anulluan dy gola për pozicione jashtë loje, u shënua nga Ronaldo me 11 metërsh. Me fitoren ndaj Vallecano, kampionët në fuqi të La Liga ndodhen 8 pikë larg kryesuesve të Barcelonës që kanë 15 pikë, pas 5 javësh.




