Zgjedhjet ne LSI, Meta: Politika të realizojë reformat integruese! Rama: Jo kandidat për të mundur Ilir Metën
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i bëri një apel klasës politike në vend për të bashkëpunuar në mënyrë të përgjegjshme për realizimin e reformave integruese jo vetëm në Kuvend, por edhe jashtë tij. “Bashkimi Europian ka sfidat e tij dhe mënyrë më e mirë për të realizuar ambiciet tona është përshpejtimi i reformave dhe kjo relalizohet përmes një bashkëpunimi të përgjegjshëm mes klasës politike në Kuvend dhe jashtë tij”, theksoi Meta, sipas të cilit politika duhet të ngrihet mbi interesat e momentit për të realizuar integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në këtë kuadër, Meta theksoi se politika shqiptare nuk ka nevojë për një retorikë destruktive dhe një konflikt që kontaminon jetën politike, por ka nevojë për një bashkëpunim, i cili forcon institucionet, përmirëson ekonominë e vendit dhe nxjerr në pah gjithë pozitivitetin që ka vendi i cili ka si moto përmirësimin e vazhdueshëm”. Këto deklarata Kreu i LSI i bëri gjatë mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie, ku u shpall zyrtarisht gara për zgjedhjen e drejtuesit të ri të forcës së dytë më të madhe të koalicionit qeveritar. Referuar procesit të zgjedhjeve në parti Meta tha se po shkojmë drejt një procesi të rëndësishëm për LSI-në, jo vetëm për ridimensionimin e saj të mëtejshëm por edhe për gjithë politikën në vend ku LSI luan një rol të rëndësishëm, përcaktues në dobi të stabilitetit të vendit, në dobi të reformave. Ai u shpreh se LSI do të jetë një formacion shumë konstruktiv, ndërsa ftoi të rinjtë që të jenë aktivë në garë. “Kemi të bëjmë me një sfidë që ka të bëjë me një vizion të LSI-së përtej 2013-ës dhe jo për një politikë me qëllime afatshkurta. Inkurajoj të gjithë të rinjtë për të qënë sa më aktivë që të rivlerësojnë dhe të vendosin piketën për një të ardhme afatgjatë”, u shpreh Meta.
Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, i cili rivalizon Metën në postin për kryetarin e partisë, u shpreh se në këtë garë nuk ka hyrë për të mundur Ilir Metën, por që LSI të fitojë zgjedhjet e 2013-ës. Ai kërkoi zhvillimin e një gare transparente dhe jo me debate jashtë korridoreve. “Ju falënderoj se duke pranuar kandidimin tim në këtë fazë të rëndësishme, ku gjendet LSI të mund të ofroj një kontribut më shumë që vlera jonë që lidhet me funksionimin demokratik, të shpaloset në këto zgjedhje me një vlerë dhe dimension tjetër me synimin të ruajmë gjithçka të mirë që ka bërë LSI që në themelimin e saj, por të mos tu kënaqur me kaq, por të ridimensiojmë rolin e saj me sfidat e afërta siç janë zgjedhjet e vitit 2013”, tha Rama.





