Rama takon Josipovic dhe Milanovic: Kroacia të mbështesë Shqipërinë për integrimin në BE
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama kërkon mbështetjen e Kroacisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, teksa ka prezantuar edhe programin e partisë më të madhe opozitare në lidhje me ekonominë dhe punësimin. Rama zhvilloi një vizitë dy ditore në Zagreb, ku zhvilloi takime të vecanta me Presidentin Ivo Josipoviç dhe Kryeministrin Zoran Milanoviç.
Gjatë takimit me Presidentin kroat, lideri i opozitës shqiptare e njohu Josipovic me zhvillimet më të fundit në politikën shqiptare dhe sidomos mbi procesin e integrimit europian. Rama kërkoi nga Presidenti Kroat mbështetjen e plotë të vendit më të ri që do të bëhet pjesë e Bashkimit Europian ndaj rrugës së Shqipërisë drejt marrjes së statusit të vendit kandidat. Nga ana e tij, Presidenti Josipoviç e garantoi Ramën për mbështetjen e vazhdueshme që shteti kroat do të japë ndaj Shqipërisë, por në të njëjtën kohë theksoi nevojën për reforma të cilat garantojnë mirëfunksionimin e shtetit të së drejtës dhe pavarësinë e institucioneve kushtetuese, reforma të cilat Presidenti Josipoviç i cilësoi si jetike për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në vijim të takimeve, Rama u prit nga Kryeministri Zoran Milanoviç. Biseda 90 minutëshe u përqendrua kryesisht në situatën politike rajonale, por edhe në politikat e reja për nxitjen e zhvillimit, punësimit dhe taksimit të ndershëm. Rama e njohu Kryeministrin Milanoviç me programin e Partisë Socialiste për një Rilindje Shqiptare, ndërkohë që Milanovic ofroi ndihmën dhe bashkëpunimin e tij për detajimin e programit qeverisës të opozitës shqiptare në fushat e turizmit, mbrojtjes së vijës bregdetare dhe zhvillimit portual e peshkimit. Një tjetër temë e rëndësishme e takimit ishte edhe procesi integrues ku gjendet Shqipëria. Rama, pasi shpjegoi rëndësinë që ka për Shqipërinë marrja e statusit të vendit kandidat, i kërkoi Kryeministrit Kroat mbështetje për aspiratat europiane të Shqipërisë.




